LAJMI I FUNDIT:

Rusia: Negociatat do të vazhdojnë edhe pas 10 dhjetorit

Rusia: Negociatat do të vazhdojnë edhe pas 10 dhjetorit

Rusia sërish ka deklaruar se bisedimet për statusin e Kosovës nuk duhet të përfundojnë më 10 dhjetor, datë pas së cilës zyrtarët kosovarë kanë thënë se, do ta shpallin pavarësinë. "Procesi i negociatave nuk përfundon më 10 dhjetor. Ne nuk e shohim 10 dhjetorin si çast vendimtar. Është vetëm përmbyllje e një faze", ka deklaruar i dërguari rus në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov, për agjencinë Reuters.

Dhjetë dhjetori është afati përfundimtar kur treshja ndërmjetësuese e Grupit të Kontaktit për statusin e Kosovës, duhet të raportojë te sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, për rezultatet e bisedimeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë deklaruar se kjo datë, do të duhej të shënonte fundin e negociatave, ndërsa Rusia është shprehur kundër vendosjes së afateve.

Chizhov ka thënë se pasi që treshja të përfundojë raportin e saj, “sekretari i përgjithshëm i OKB-së është ai, i cili do të vendosë së çfarë të bëjë më tutje – ose do t’i kërkojë treshes që ta vazhdojë punën e saj, ose do të krijojë një format të ri të bisedimeve, ose shqiptarët dhe serbët do të arrijnë marrëveshje deri në atë kohë”.

"Ekzistojnë disa hapa modest në këtë drejtim. Së paku ekziston një dialog në mes të shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve”, ka shtuar ai. "Do të ishte gjë e parakohshme dhe e rrezikshme të flitet për përfundimin”, ka thënë Chizhov për të përfunduar: “Të shpresojmë se, gjatë kohës që kemi deri më 10 dhjetor, do të kemi mjaft elemente pozitive dhe se negociatat do të vazhdojnë”.