LAJMI I FUNDIT:

Keqmenaxhimi masiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit

Keqmenaxhimi masiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit

Në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS) dyshohet se kanë ndodhur disa shkelje ligjore dhe keqpërdorime përmes disa veprimeve të organizuara dhe vendimeve që dyshohet se janë të kundërligjshme.

Preportr ka siguruar një raport të policisë, i cili më datën 22.05.2024 është dërguar si raport informues për Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Pika e parë e raportit thekson dyshimet se në mënyrë të kundërligjshme Byroja, me përfshirjen e personave Sami Mazreku dhe Venhar Hana, kanë kompensuar palët M.L dhe N.M.


Palët e përfshira në aksident, përmes avokatit Bajram Mujaj, kishin parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë- dega në Istog ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimit, pas një aksidenti që kishte ndodhur në vitin 2011.

Sipas raportit, gjykata ua kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë për kompensim të dëmit material dhe jomaterial. Byroja kishte bërë ankesë. Rasti kishte shkuar në Gjykatën e Apelit, e cila e kishte refuzuar pjesërisht si të bazuar ankesën e Byrosë dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë– dega në Istog për kompensim dëmi.

Më datën 05.03.2019 pala paditëse e përfaqësuar nga avokati Bajram Mujaj ka ushtruar revizion në Gjykatën Supreme, duke atakuar vendimin e Gjykatës së Apelit. Me datën e njëjtë kur është dërguar lënda në Gjykatën Supreme, Byroja ka bërë pagesën e kompensimit në vlerë prej 65 mijë e 240 eurove, e cila ishte vendosur në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës më 14.01.2019. Pagesa ishte bërë në llogarinë e avokatit Bajram Mujaj.

Byroja më 15.03.2019 përgatit përgjigje në revizionin e ushtruar nga paditësit kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me datën 08.04.2019 Gjykata Supreme e Kosovës, nxjerrë aktgjykim ku refuzohet si i pabazuar revizioni i paditësve i paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Aktgjykimi i Supremes e kishte bërë të plotfuqishëm vendimin Gjykatës së Apelit.

Me këtë gjë përfundon zyrtarisht saga shumëvjeçare e këtij rasti. Sipas raportit të policisë, të siguruar nga Preportr, për të njëjtin rast nisë një proces tjetër. Sipas policisë, avokati i palëve Bajram Mujaj bënë sërish padi për të njëjtin rast në gjykatën e njëjtë dhe rastin e shqyrton gjyqtari i njëjtë, derisa pensionohet.

Sipas raportit të policisë, pasi që aktgjykimi nga Gjykata Supreme e Kosovës  refuzon si të pabazuar revizionin paditësve, të paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, dyshohet se kundërligjshëm, në vitin 2019 paditësit përmes të autorizuarit të tyre avokatit Bajram Mujaj, pas pranimit të mjeteve financiare në vlerë prej 65 mijë e 240 euro, vlerë financiare e caktuar përmes aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përsëri vazhdojnë me padi kundër Byrosë Kosovare të Sigurimeve në Gjykatën Themelore në Pejë- dega në Istog dhe për këtë padi ishte njoftuar edhe Byroja.

Byroja ishte në dijeni së të njëjtit paditës kishin parashtruar padi në vitin 2011, por të njëjtit nuk e kanë pranuar faktin se për këtë lëndë ka një aktgjykim të plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit, thekson raporti.

Marrëveshja jashtëgjyqësore

Edhe pse aktgjykimi i Gjykatës së Apelit kishte vendosur për lëndën dhe ishte bërë i plotfuqishëm, palët paditëse përmes të autorizuarit të tyre avokatit Bajram Mujaj, e paditura Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe D.D (tashmë i ndjerë) gjyqtar në gjykatën Themelore në Pejë – dega në Istog (i cili ishte gjyqtar që nga fillimi i këtij procesi gjyqësor e deri në pensionimin e tij), dyshohet se kundërligjshëm këtë lëndë e kanë kthyer në rishqyrtim, duke mbajtur disa seanca.

Gjatë këtij procesi gjyqësor, paditësit dhe e paditura bëjnë ujdi dhe me datë 06.08.2021 lidhin marrëveshje jashtëgjyqësore. Me datën 30.09.2021 nxirret aktvendimi nga gjykata, ku konstatohet se është tërhequr padia e datës 05.10.2011.

Sipas policisë, me datën 06.08.2021 në mbledhjen e departamentit juridik të Byrosë, të kryesuar nga Sami Mazreku, ku të pranishëm përpos zyrtarëve të byrosë ishte edhe avokati i paditësve Bajram Mujaj, në bazë të propozimeve të Mazrekut, është arritur marrëveshje jashtëgjyqësore në mes të Byrosë të përfaqësuar nga Faik Sylejmani dhe palës paditëse.

“Në këtë mbledhje Sami Mazreku – drejtor ekzekutiv i Byrosë, kishte diskutuar për lëndën e M.L dhe N.M edhe pse ishte në dijeni se aktgjykimi i datës 14.01.2019 i Gjykatës së Apelit ishte i plotfuqishëm dhe palët ishin kompensuar në bazë të aktgjykimit 1352/14”, thuhet në raportin e policisë.

Sipas raportit, Byroja i propozon palës paditëse, duke i ofruar kompensim plus shpenzimet e procedurës për dy paditësit (200 mijë euro për njërin dhe 20 mijë për tjetrin person). Ndërsa në emër të shpenzimeve të procedurës 11 mijë e 599 euro i janë paguar avokatit Bajram Mujaj. Pra sipas raportit të policisë dyshohet që në total Byroja ka paguar 231 mijë e 599 euro.

Mbledhja ku u vendos për marrëveshjen duket të ketë zgjatur pak. Preportr ka siguruar procesverbalin e kësaj mbledhje. Në këtë mbledhje Sami Mazreku ka njoftuar të pranishmit edhe për praninë e avokatit Bajram Mujaj dhe ka prezantuar ofertën për palën paditëse.

“Drejtori (Mazreku) i drejtohet avokatit ku i tregon se për M.L kemi dy rrugë, e para të vazhdojmë me procedurat e gjykatës ku do të ketë kërkesa të ndryshme dokumente shtesë dhe zgjatje të lëndës që do të shkojnë edhe shumë vite të tjera apo rruga e dytë është oferta e jonë prej 200,000 euro plus shpenzimet e procedurës, vetëm të shoh Faik shko te financat edhe shif se si është gjendja e llogarisë tonë se a i kemi këto mjete që para orës 15:00 mjetet të kalojnë tek avokati”, thuhet ndër të tjera në procesverbal. Ndërkohë që konfirmohet se mjetet janë në llogari të Byrosë dhe aty edhe nënshkruhet transferimi i mjeteve. Sipas procesverbalit, të pranishmit e tjerë nga Byroja e konsideruan këtë marrëveshje si sukses tejet të madh, të jashtëzakonshëm dhe të leverdishëm për Byronë.

Raporti i policisë thekson se për rastin në fjalë deri në vitin 2014 përfaqësues në gjykatë për palën e paditur ishte Venhar Hana me autorizim deri në përfundim të lëndës në gjykatën e shkallës së parë. Aty thuhet se i njëjti ka qenë këshilltar ligjor-ekspert i jashtëm ligjor i Sami Mazrekut në kohën kur është arritur marrëveshja jashtëgjyqësore në mes të Byrosë dhe palës paditëse dhe dyshohet se ka kontribuuar në arritjen e marrëveshjes jashtëgjyqësore, pasi që ishte i njohur mirë me lëndën dhe se gjatë vitit 2021 dhe 2022 kishte pranuar mjete financiare nga Byroja në emër të “Hana Law L.L.C” për kryerjen e disa shërbimeve juridike për Byronë.

Raporti konkludon se nga veprimet e përshkruara më lartë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit Sami Mazreku, Venhar Hana, Faik Sylejmani, Bajram Mujaj dhe gjyqtari D.D (tashmë i ndjerë) kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 i KPRK-së, lidhur me nenin 31, bashkëkryerja në KPRK-së dhe veprën penale mospërfillja e gjykatës nga neni 393 i KPRK-së.

Byroja Kosovare e Sigurimit përmes një e-maili nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet dhe pretendimet e policisë.

Por Faik Sylejmani, Drejtor i Departamentit Ligjor, Administratë dhe Trajnime në Byro, ka kthyer si përgjigje një lloj ligjërate për aspektet ligjore dhe etike se si duhet raportuar në gazetari. Ai ka thënë se nuk është në dijeni për ndonjë marrëveshje të jashtëligjshme. Ndërkaq, në këtë komunikim ka përfshirë edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës duke shprehur pakënaqësi për raportin e policisë se pse e posedon Preportr.

“Sigurisht lidhur me dilemat dhe shqetësimet tua lidhur me përmbajtjen e aktgjykimeve referuese, do të njoftojmë edhe Drejtorin Ekzekutiv, Bordin e Drejtoreve të institucionit që përfaqësoni, përfshirë dhe donatorët e institucionit që përfaqësoni për domosdoshmërinë e ndjekjes së trajnimeve bazike të gazetarisë, trajnimeve përkitazi me trajtimit të dokumentacioneve në fazat hetimore, përdorimin e tyre si dhe domosdoshmërinë e të kuptuarit të dispozitivëve të aktgjykimeve referuese”, ka shkruar ndër të tjera Sylejmani.

Lidhur me këtë rast dhe pretendimet e policisë, Preportr ka dërguar pyetje me shkrim përmes emal-it dhe telefonit te Venhar Hana, ndërkohë ai është përgjigjur shkurt përmes telefonit se është shkruar mjaftueshëm për këtë çështje dhe se nuk ka se çka të thotë për këtë temë.

Avokati Bajram Mujaj përmes një përgjigje me shkrim nga aplikacioni Viber ka thënë për Preportr, se rasti është kthyer në rigjykim dhe se nuk kanë bërë padi të dytë siç theksohet në raportin e policisë. Ai thotë se çështja është zgjidhur në harmoni me ligjin.

“Gjykata e Apelit në Prishtinë, pjesërisht e ndryshon Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Dega në Istog, e pjesërisht e kthen në rigjykim këtë çështje, në ndërkohë e pranojmë një ofertë nga e paditura që këtë çështje ta mbyllim me marrëveshje jashtëgjyqësore me qëllim të ekonomizimit të procedurës dhe mos krijimit të shpenzimeve të reja, për çka palët e pranojnë ofertën e ofruar nga BKS-ja, dhe kemi lidhur marrëveshje jashtëgjyqësore”, thotë Mujaj.

Por, raporti i policisë thekson se rasti nuk është kthyer në rigjykim dhe se këtë e dëshmon edhe revizioni që avokati Mujaj e ka bërë në Gjykatën Supreme.

Ndërkaq, i pyetur se a ka bërë revizion në Gjykatën Supreme, pasi që ajo gjë përmendet në raportin e policisë si fakt i vërtetimit të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Mujaj e ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, nuk kam bërë revizion, ngase lënda është kthyer në rigjykim”, ka thënë Mujaj.

Raportin e plotë të Preportr mund ta lexoni KËTU:

Në trend Ekonomi

Më shumë
Kreu i ZRRE-së: Nëse deri sot keni paguar 50 euro për rrymën, nga prilli do të paguani 58 euro

Kreu i ZRRE-së: Nëse deri sot keni paguar 50 euro për rrymën, nga prilli do të paguani 58 euro

Ekonomi
Dita e Pranverës festohet në Melodia PX me koleksionin e ri të veshmbathjeve

Dita e Pranverës festohet në Melodia PX me koleksionin e ri të veshmbathjeve

Ekonomi
Kamomili, Kantarioni, Lavanda e Dëllinja e Zezë - flora shëruese dhe aromatike, vihen në qarkullim pullat postare

Kamomili, Kantarioni, Lavanda e Dëllinja e Zezë - flora shëruese dhe aromatike, vihen në qarkullim pullat postare

Ekonomi
Freskoni karrierën tuaj këtë pranverë me Telegrafi Jobs!

Freskoni karrierën tuaj këtë pranverë me Telegrafi Jobs!

Ekonomi
Plotë një vit nga hapja e Jumbo Central Park - zbritje dhe atmosferë festive për të gjithë familjen

Plotë një vit nga hapja e Jumbo Central Park - zbritje dhe atmosferë festive për të gjithë familjen

Ekonomi
El Taxi zgjeron ekipin - 15 pozita të reja pune për shoferë/e

El Taxi zgjeron ekipin - 15 pozita të reja pune për shoferë/e

Ekonomi
Kalo në kategori