LAJMI I FUNDIT:

Moska dhe rajoni i saj u goditën gjatë natës nga dronë, në “një nga sulmet më të mëdha të Ukrainës ndaj Rusisë në tri vjet”

Moska dhe rajoni i saj u goditën gjatë natës nga dronë, në “një nga sulmet më të mëdha të Ukrainës ndaj Rusisë në tri vjet”

Të paktën një person është vrarë dhe tre janë plagosur në një sulm të madh me dron gjatë natës në Moskë dhe rajonin përreth, kanë thënë zyrtarët lokalë.

Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, tha se viktimat ishin në rajonet Vidnoye dhe Domodedovo, të vendosura jashtë kryeqytetit.

Në një postim në mediat sociale, Vorobyov postoi fotografi që thuhet se tregonin një nga apartamentet e dëmtuara së bashku me automjetet e djegura në një parkim makinash.


Ai shtoi se mbi një duzinë njerëzish, përfshirë fëmijë, duhej të evakuoheshin.

Kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin tha se mbi 70 drone u rrëzuan ndërsa fluturonin drejt kryeqytetit rus.

Në total, ushtria ruse tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 337 dronë ukrainas në 10 rajone ruse, me shumicën e rrëzuar mbi Kursk. Të paktën 91 u qëlluan mbi rajonin e Moskës.

Fluturimet janë kufizuar brenda dhe jashtë gjashtë aeroporteve dhe trafiku është ndalur përmes stacionit hekurudhor Domodedovo në atë që duket të jetë një nga sulmet më të mëdha me dron ukrainas në Rusi në tri vjet.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar ende për sulmin.

Gjatë natës, forcat ajrore të Ukrainës postuan në Telegram se rrëzuan një raketë balistike Iskander-M dhe të paktën 79 dronë në rajone të ndryshme anembanë Ukrainës, përfshirë Kievin.

Sulmet vijnë ndërsa përfaqësuesit nga SHBA-ja dhe Ukraina takohen në Arabinë Saudite për bisedime të vështira të fokusuara në përfundimin e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Dy zyrtarë të lartë ukrainas i thanë AP të hënën se delegacioni ukrainas do të propozonte një armëpushim që mbulonte Detin e Zi dhe sulmet me raketa me rreze të gjatë, si dhe lirimin e të burgosurve ukrainas të mbajtur në Rusi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili do të jetë i pranishëm në bisedime tha përpara diskutimeve se SHBA do të bënte vlerësimin e propozimeve të Ukrainës. /Telegrafi/