LAJMI I FUNDIT:

Pse Kosova nuk ka asnjë kontratë lobimi në SHBA?

Pse Kosova nuk ka asnjë kontratë lobimi në SHBA?

Si rrallëherë në historinë e pasluftës së Kosovës, institucionet shtetërore, aktualisht, nuk kanë asnjë kontratë aktive lobimi në Shtetet e Bashkuara.

Njohësit e politikave vendore dhe ndërkombëtare paralajmërojnë se kjo rrezikon ta lërë Kosovën nën hije dhe “pa një vend në tavolinë”.

Që nga viti 1992, Kosova ka pasur pothuajse vazhdimisht kompani lobimi, të kontraktuara për të shtyrë përpara agjendën dhe interesat e saj në SHBA.


Për momentin, asnjë kontratë e tillë nuk listohet si aktive në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Deri vitin e kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës i ka pasur dy marrëveshje të tilla, por ato tani kanë skaduar.

Edhe pse ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se do të shqyrtohet vazhdimi i atyre kontratave njëvjeçare, një gjë e tillë nuk është bërë.

Analistja politike, Donika Emini, paralajmëron se institucionet e Kosovës nuk duhet të mbështeten vetëm në diplomacinë konvencionale – pra përmes ambasadave e konsullatave – veçanërisht në kohën kur, siç thotë, “tensionet gjeopolitike po përshkallëzohen dhe përçarjet transatlantike po thellohen”.

“Kosova kërkon e pret mbështetje politike nga SHBA-ja pa ofruar asgjë në këmbim. Uashingtoni nuk është një vend ku vlerësohesh vetëm për vullnetin e mirë; është një fushëbetejë e influencës, ku lobimi, partneritetet strategjike dhe aftësia diplomatike përcaktojnë se kush zë vend në tavolinë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

Dhe, kush po zë vend në tavolinë? Serbia, thotë Emini.

Ajo argumenton se, përderisa Kosova nuk po arrin ta prezantojë veten si “kontribuuese e vlefshme në rendin e ri global”, Serbia “është pozicionuar si një aktore transaksionale, duke ofruar bashkëpunim ekonomik dhe duke shfrytëzuar burimet e saj natyrore”.

“Nëse Kosova nuk modernizon qasjen e saj diplomatike, rrezikon të bëhet një lojtare dytësore në politikën rajonale, me fatin e saj të diktuar gjithnjë e më shumë nga të tjerët, jo vetëm nga SHBA-ja, por edhe nga rivalët e saj rajonalë, të cilët janë shumë më agresivë, strategjikë dhe transaksionalë në angazhimin e tyre me Uashingtonin”, shton Emini.

Aktualisht, institucionet shtetërore të Serbisë kanë pesë kontrata lobimi aktive në SHBA. Institucionet e Kosovës s’kanë treguar nëse do të nënshkruhen kontrata të tilla tani, pas ndërrimit të administratës në SHBA.

Si lobojnë vendet e rajonit?

Institucionet shtetërore të Serbisë – Qeveria, Republika, Ambasada dhe Oda Ekonomike – kanë pesë kontrata me firma amerikane të lobimit.

Njëra prej tyre është lidhur këtë vit me kompaninë BlackSummit Capital, për të ndihmuar Serbinë në raport me “sanksionet e vendosura së voni ndaj sektorit të energjisë”.

Vlera e kësaj kontrate nuk është specifikuar, ndërsa Serbia do ta paguajë 65 mijë dollarë në muaj kompaninë Valcour dhe 60 mijë dollarë në muaj kompaninë KARV Commnications, Ambasada e Serbisë do ta paguajë 50 mijë dollarë në muaj kompaninë BGR Group dhe Oda Ekonomike do ta paguajë 840 mijë dollarë për një vit kompaninë Yorktown Solutions.

Nga Bosnje e Hercegovina, ndërkaq, janë gjashtë kontrata – të gjitha nga entiteti i Republikës Sërspka (RS).

Njëra prej tyre – me kompaninë Zell&Associates International Advocates – është lidhur këtë vit.

Në kontratën e publikuar në FARA është censuruar vlera e saj, por tregohet se, mes tjerash, synohet heqja e sanksioneve ndaj presidentit të RS-së, Millorad Dodik.

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk kanë asnjë kontratë lobimi, ndërsa nga Shqipëria kontratë “pro bono” ka lidhur vetëm politikani Lulzim Basha.

Pak pasi Kosova ka mbetur pa asnjë kontratë lobimi në SHBA, atje është ndërruar administrata, në krye të së cilës është presidenti republikan, Donald Trump.

Deri më tani, komunikimi i vetëm zyrtar i tij me Kosovën ka qenë një letër urimi për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, dërguar presidentes Vjosa Osmani.

Ajo letër ka ardhur pas disa kritikave që i dërguari i Trumpit për misione të veçanta, Richard Grenell, i ka bërë ndaj Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Grenell ka thënë se SHBA-së i duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e Kurtit nuk është e tillë.

Grenell ka thënë, po ashtu, se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë kurrë në pikë më të ulët.

Pikërisht shkaku i këtyre tensioneve në raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve amerikanë, ambasadori i parë i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, thotë se kontraktimi i lobuesve në SHBA, do të ishte kyç.

“Duhet të them se nëse ne i krijojmë hapësirë të zbrazët Serbisë për të lobuar, atëherë kjo është në dëmin tonë. Ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë të zbrazët në këtë kohë, kur na duhet më së shumti mbështetja e SHBA-së”, thotë Spahiu.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit si president, në periudhën 2017-2021, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në Uashington për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Por, ajo marrëveshje nuk është zbatuar në plotësi në terren, njëjtë si shumë nga marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Tani, Kosova pret të ketë qeveri të re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të cilat i ka fituar partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti – Lëvizja Vetëvendosje – por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar e vetme qeverinë.

Emini shpreson që qeveria e re ta ndryshojë qasjen ndaj SHBA-së. Ajo e cilëson këtë si “çështje mbijetese diplomatike”.

“Nëse Kosova nuk merr masa urgjente, rrezikon të mbetet në hije në Uashington, e paaftë për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Serbisë dhe e anashkaluar në qarqet kyçe të vendimmarrjes”, paralajmëron Emini.

Ajo thotë se fakti që Kosova nuk i ka dhënë rëndësi SHBA-së, reflektohet edhe në numrin e vogël të diplomatëve të angazhuar në ambasadë, në krahasim me Serbinë.

Të pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse do të ketë ndonjë kontratë të re lobimi, nga MPJD-ja kanë thënë se nuk mund t’i komentojnë kontratat e lobimit pasi që “ato janë konfidenciale”.

Këto kontrata, megjithatë, publikohen të plota e të pacensuruara në ueb-faqen e FARA-s, pasi që ligjet në SHBA i detyrojnë lobistët t’i raportojnë të gjitha aktivitetet e ndërmarra gjatë kohës sa janë të kontraktuar nga “agjentë të huaj”.

Nga raportet në këtë ueb-faqe, REL-i ka raportuar në të kaluarën për punën e dy shqiptarëve të kontraktuar në vitin 2023 për lobim njëvjeçar nga MPJD-ja, Avni Mustafaj dhe Afërdita Rakipi.

Shumë prej shpenzimeve gjatë gjashtëmujorit të parë të atyre kontratave janë raportuar për dreka dhe darka pune në Kosovë, ndonëse me to është paraparë ofrimi i këshillave dhe përfaqësimit të MPJD-së “brenda Shteteve të Bashkuara”.

Ndërsa, në gjashtëmujorin e dytë, ata kanë raportuar punë pothuajse identike – duke kontaktuar të njëjtit persona, në të njëjtat ditë, me të njëjtën përmbajtje të emaileve – edhe pse kontratat e tyre kanë qenë individuale.

Megjithëse pa lobues të kontraktuar tash për tash, MPJD-ja thotë se është “e përkushtuar për ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve të qëndrueshme, strategjike dhe afatgjate me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Nga kjo ministri thonë se këtë synim do ta arrijnë përmes “instrumenteve të ndryshme të diplomacisë, duke përfshirë edhe kontratat e lobimit”.

Konferenca Kombëtare amerikane e Legjislaturave Shtetërore e përkufizon lobimin si “përpjekje për të ndikuar në veprimet e qeverisë përmes komunikimit me shkrim ose me gojë”.

Pra, përmes lobimit, shtete të huaja mund të tentojnë në mënyrë të ligjshme të ndikojnë politikat e SHBA-së.

“Në Uashington, lobimi nuk është luks; është domosdoshmëri. Është mënyra se si vendet e vogla e forcojnë zërin e tyre në korridoret me fuqi politike”, thotë Emini.

Në të kaluarën, edhe institucione të tjera shtetërore, si Presidenca dhe Kryeministria e Kosovës, kanë lidhur kontrata lobimi në SHBA. Një javë më parë, REL-i i ka pyetur të dyja këto institucione se pse nuk kanë aktualisht kontrata lobimi, por nuk ka marrë përgjigje.

Për miliona eurot e shpenzuara ndër vite, në Kosovë kanë qenë të kontraktuara kompani të njohura amerikane për lobim, si Podesta Group dhe Ballard Partners.

Njëra kontratë me Podesta Group është nënshkruar gjatë kohës sa Avni Spahiu ka qenë ambasador i Kosovës në SHBA.

Spahiu, i cili ka shërbyer si ambasadori i Kosovës në Uashington në vitet 2008-2012, thotë se edhe në atë kohë, kur Kosova ka gëzuar përkrahje të madhe nga SHBA-ja, lobimi, prapëseprapë, ka pasur efekt.

“Mirëpo, tani mendoj se duhet të ketë përpjekje të re për t’i rikrijuar këto raporte, në kuptim të përforcimit dhe përmirësimit – edhe për shkak të ndryshimeve në Shtëpinë e Bardhë, por edhe për shkak të disa gjërave që kanë ndodhur në raportet mes dy vendeve”, thotë Spahiu.

Ai e përmend lobimin në vitet e 90-ta si histori suksesi të lobit shqiptar në SHBA dhe thotë se sërish duhet të ketë një angazhim të tillë për “kthimin e besimit të plotë të SHBA-së ndaj Kosovës”.

“Kjo është me rëndësi dhe mendoj se duhet të bëhet sa më parë. Ndonëse nuk është i mjaftueshëm vetëm angazhimi i ndonjë kompanie, por duhet edhe një diplomaci më proaktive e Kosovës, një angazhim edhe i ambasadës dhe i të gjitha forcave diplomatike që kemi aktualisht”, shton Spahiu.

Për Eminin është shqetësuese që Kosova, edhe 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, mbështetet në Uashington për garanci sigurie dhe përkrahje politike si në vitin 1990 dhe në fillim të viteve 2000.

“Ndryshe nga viti 2008, kur mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës ishte e palëkundur, sot politika e jashtme drejtohet nga ajo që një vend mund të ofrojë, jo vetëm nga ajo që kërkon”, thotë Emini.

Ajo i ka të qarta kërkesat për institucionet e Kosovës: investoni në lobim, zgjeroni prezencën diplomatike në Uashington, krijoni vizion të qartë për atë që Kosova mund të ofrojë si aleate dhe ringjallni angazhimin me diasporën./REL

Në trend Lajme

Më shumë
Plani tjetër i rrezikshëm i Serbisë për një “shtëpi të verdhë” në Shtime

Plani tjetër i rrezikshëm i Serbisë për një “shtëpi të verdhë” në Shtime

Lajme
Haxhiu konteston rezultatin e zgjedhjeve të diasporës: Skema e organizuar kriminale është raportuar në polici e prokurori

Haxhiu konteston rezultatin e zgjedhjeve të diasporës: Skema e organizuar kriminale është raportuar në polici e prokurori

“Kemi vërejtur shumë gurë, drunj e pjesë të hekurit”, zyrtari policor tregon se si e menaxhuan protestën e 2015-ës

“Kemi vërejtur shumë gurë, drunj e pjesë të hekurit”, zyrtari policor tregon se si e menaxhuan protestën e 2015-ës

Drejtësi
Zbulohet organizatori i vrasjeve të shqiptarëve në Ekuador, krahu i djathtë i Dritan Rexhepit

Zbulohet organizatori i vrasjeve të shqiptarëve në Ekuador, krahu i djathtë i Dritan Rexhepit

Lajme
Prokurori Krasniqi: Gjykata ka bazë ligjore ta gjobisë Kurtin

Prokurori Krasniqi: Gjykata ka bazë ligjore ta gjobisë Kurtin

Kurti: S’mund të ketë pajtim me Serbinë, derisa ajo zotohet se do ta përsëriste gjenocidin ndaj Kosovës

Kurti: S’mund të ketë pajtim me Serbinë, derisa ajo zotohet se do ta përsëriste gjenocidin ndaj Kosovës

Kalo në kategori