LAJMI I FUNDIT:

Mori 12 mijë vota nga diaspora, Abdixhiku i del në mbrojtje djalit të heroit Sali Çekaj

Mori 12 mijë vota nga diaspora, Abdixhiku i del në mbrojtje djalit të heroit Sali Çekaj

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hysen Çekaj, ka marrë 12 mijë vota nga votimi që është bërë përmes postës.

E reagime rreth kësaj ka pasur nga kundërshtarët politikë, të cilët edhe akuzuan LDK-në që ka bërë manipulime me votat e diasporës, transmeton Telegrafi.

Pikërisht për këtë ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë “Mllef e plot vrer për një djalë të ri nga mërgata, sepse merr vota, merreni me mend, nga vet mërgata”.


“Nga vendi ku ka kaluar gjithë jetën e tij – me barrën e babës hero mbi supe – dhe me ëndrrën e madhe se një ditë do të kthehet në vendlindje në shërbim! Në moçalin e madh të pështymave e të konspiracioneve të liga, të partisë që në ambasada mbushë thasë me vota, e në Kosovë nxitë veç helm e vrer, Hysen Sali Çekaj qëndron fort dhe duron me dinjitet gjithë këtë sulm të egër – ende pa nisur mirë karrierën e tij politike”, shkrun kreu i LDK-së.

Më tej, ai ka shkruar se Çekaj po sulmohet pasi duan ta dekurajojnë, njollosin e zhvlerësojnë.

“Sepse janë me mllef, me shumë mllef, që ai së bashku me ne, theu një mit që s’mendohej se do të thyhej ndonjëherë! Si një njeri i urtë, si një djalë i jashtëzakonshëm, ai ka më së paku nevojë për mbrojtje. Tani me barrën e re të përfaqësimit, ka veç një mision. Të shenjtin para vetes. Që popullizmin rrënues, atë që po na mbanë peng në urrejtje, ta çrrënjosë me ka krejt, e herën tjetër të dyfishojë këtë mbështetje”, thotë ai.

Abdixhiku ka shtuar mes tjerash “Kokën lartë Hysen”.

“Ky mision është fisnik për të gjithë ne. Shihe me çfarë duhet ballafaquar këndej! E juve mërgatë, sërish, për të satën herë, edhe një herë, ju faleminderit”./Telegrafi/