LAJMI I FUNDIT:

Sot, shtëpia botuese “Dukagjini” promovon librin “Shumica e poezive” nga autori Tom Lanoye

Sot, shtëpia botuese “Dukagjini” promovon librin “Shumica e poezive” nga autori Tom Lanoye

Libri “Shumica e poezive” nga autori Tom Lanoye do të promovohet sot, më 28 shkurt, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nëna Terezë”).

Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë:

Ilir Breca, profesor i letërsisë (UP), studiues dhe

Vlora Konushevci, poete, përkthyese.

Promovimi do të moderohet nga Liridona Bytyçi.

Rreth librit:

“Shumica e poezive” nga Tom Lanoye është një koleksion poetik me poezi që pasqyrojnë pasionin e autorit për gjuhën dhe ndjenjat e thella të jetës. Lanoye përdor stilin e tij të njohur, i cili shpesh është i mbështjellë me humor, ironi dhe reflektim të thellë për natyrën e qenies njerëzore. Poezitë e tij shqyrtojnë tema, si fati tragjik i qenies njerëzore, dashuria dhe idealet. Përmes humorit të hollë, Lanoye i vesh poezitë e tij me një analizë të thellë të shoqërisë, kritikë socio-politike, përfshirë çështje të identitetit dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore. Është e shpërfaqshme ndjeshmëria e tij ndaj padrejtësive shoqërore dhe shpeshherë autori synon provokim mendimi kritik te lexuesit.

Rreth autorit:

Tom Lanoye njihet si romancier, poet, dramaturg dhe skenarist. Ai është përkthyer në më shumë se pesëmbëdhjetë gjuhë dhe dramat e tij janë luajtur në shumë teatro. Është një nga autorët më të lexuar dhe më të nderuar në zonën e tij gjuhësore (Holandë dhe Flanders), dhe shfaqet rregullisht në të gjitha festivalet kryesore të teatrit evropian.

Disa nga librat dhe dramat e tij fituan çmime të ndryshme. Në vitin 2007 iu dha “Gouden Ganzenveer” për gjithë koleksionin e tij të punës dhe mori një doktoratë nderi nga Universiteti i Antwerpit. Në vitin 2013, ai përsëri mori çmim për “veprën e tij të deritanishme” – Çmimin “Constantijn Huygens”, më i rëndësishmi në gjuhën holandeze. Romani i tij i vitit 2006 “Het derde huwelijk” u përshtat nga regjisori David Lambert për filmin “Troisièmes noces”.

Të gjithë ju, dashamirë të librit, ftoheni në këtë promovim mjaft të veçantë të cilin shtëpia botuese “Dukagjini” e sjell në kuadër të kolanës “Effugium” – projekt i mbështetur nga “Evropa Kreative”.