LAJMI I FUNDIT:

Raportimet për tërheqjen e trupave amerikane, “OCTOPUS” i quan propagandë dhe manipulim për të krijuar frikë në Ballkan

Raportimet për tërheqjen e trupave amerikane, “OCTOPUS” i quan propagandë dhe manipulim për të krijuar frikë në Ballkan
Foto: AP

Gazeta gjermane “Bild” së fundmi publikoi një artikull rreth mundësisë së tërheqjes së trupave amerikane nga Evropa, si rrjedhojë e negociatave ShBA-Rusi.

Në këtë kontekst, “Bild” shkruante se një zyrtar i sigurisë së Evropës tha: “Sipas informacioneve tona, bëhet fjalë për kërkesat e (Vladimir) Putinit të vitit 2021, pra tërheqjen e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990”.

E gjithë kjo ndezi përsëri narrativat armiqësore pro-ruse veçanërisht pas negociatave të nisura në Riad.


Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” në një analizë të publikuar së fundmi ka theksuar se portretizimi i ridislokimit të burimeve ushtarake amerikane si një “tërheqje” është një raport i njëanshëm, i synuar për të përhapur frikë dhe shqetësim në publik.

“Pavarësisht nëse motivi i medias është i drejtuar nga një agjendë politike apo një prirje ndaj sensacionalizmit, interpretimi i paralajmërimit të Presidentit Trump se ai do të ulte numrin e trupave me rreth 20,000—për shkak të barrës financiare që nuk duhet të përballohet vetëm nga taksapaguesit amerikanë—duke i nxitur vendet evropiane të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen, është një interpretim i gabuar dhe i pabazuar”, thuhet në njoftim.

“OCTOPUS” ka theksuar tutje se nga takimi Trump-Macron në Shtëpinë e Bardhë nuk dolën asnjë tregues për një tërheqje të trupave amerikane nga kontinenti evropian.

“Aktualisht, SHBA mban rreth 65,000 trupa të përhershme në Evropë, me forca rotative shtesë që e çojnë totalin në rreth 100,000 ushtarë”, thuhet në analizën e këtij instituti.

“Trupat amerikane mund të largohen nga Kosova”, shkruan Bild – mediumi gjerman sjell edhe skenarët e mundshëm për vendet e tjera evropiane
Lexo po ashtu “Trupat amerikane mund të largohen nga Kosova”, shkruan Bild – mediumi gjerman sjell edhe skenarët e mundshëm për vendet e tjera evropiane

Artikulli i gazetës gjermane “Bild” pati reagime të shumta edhe në Ballkanin Perëndimor, për shkak të implikimeve të tij për Kosovën. “OCTOPUS” thekson se mediat serbe e vendosën të ashtuquajturën “tërheqje” të trupave amerikane nga Kosova në qendër të raportimeve të tyre, pavarësisht se këto spekulime u adresuan menjëherë nga KFOR-i.

“Prania e trupave amerikane brenda KFOR-it ka qenë një faktor vendimtar në ruajtjen e paqes në Kosovë, siç u dëshmua nga roli i tyre në zmbrapsjen e sulmeve të huliganëve serbë në vitin 2023 dhe inkursionit të armatosur në veri të Kosovës në shtator 2024, i cili e detyroi NATO-n të rrisë numrin e trupave. Një tërheqje e mundshme e SHBA-së do të krijonte një vakuum të pushtetit që ekstremistët serbë mund ta interpretonin si një mundësi për të shtyrë përpara ambiciet e tyre territoriale. Në të njëjtën kohë, Serbia, për shkak të lidhjeve të saj të ngushta me Rusinë, mund ta shihte këtë ndryshim si një shans për të zgjeruar ndikimin e saj, duke rritur rrezikun e destabilizimit dhe mundësisë së një konflikti në rajon”, thuhet tutje në analizën e “OCTOPUS”.

Instituti ka shtuar se prania ushtarake amerikane në Kosovë përbëhet nga dy kategori: trupa brenda KFOR-it, që operojnë nën strukturën komanduese të NATO-s dhe personel që vepron jashtë kësaj strukture komanduese.

“Kampi Bondsteel, baza më e madhe amerikane në Ballkan, jo vetëm që strehon trupa të KFOR-it, por gjithashtu përfshin personel të inteligjencës, logjistikës dhe bashkëpunimit të sigurisë, të cilët punojnë ngushtë me institucionet e Kosovës. Roli i SHBA-së në transformimin e FSK-së—i dëshmuar nga aprovimi i blerjes së raketave Javelin dhe, më së fundmi, helikopterëve Black Haëk—nënvizon më tej rëndësinë strategjike të Kosovës. Në këtë kontekst, çdo tërheqje e mundshme e forcave amerikane nga Kosova do të krijonte një vakuum të pushtetit që mund të shfrytëzohej nga Rusia dhe aktorë të tjerë armiqësorë. Duke pasur parasysh mbështetjen e Rusisë për Serbinë, një tërheqje e SHBA-së do të zhvendoste ekuilibrin rajonal të pushtetit në favor të interesave ruse në Ballkan”, thuhet në analizë.

“OCTOPUS” ka theksuar se shqetësimet e ngritura nga artikulli i “Blid” ilustrojnë se si informacioni i vjetruar mund të ripërdoret për të ndikuar në perceptimet e reja, në varësi të kontekstit politik.

“Qoftë qëllimisht apo jo, një informacion i tillë mund të shërbejë si një konstrukt strategjik i destinuar për të ndikuar opinionin publik dhe vendimmarrësit shtetërorë”, thuhet në analizën e tyre. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dëshmitari i akuzuar për spiunazh: Na ofruan para që vëllai ta tërheq deklaratën e dhënë lidhur me shpërthimi në lokalin “Sekiraqa”

Dëshmitari i akuzuar për spiunazh: Na ofruan para që vëllai ta tërheq deklaratën e dhënë lidhur me shpërthimi në lokalin “Sekiraqa”

Drejtësi
Një grua humb jetën nga sulmi në zemër pas ndjekjes nga qentë në Podujevë

Një grua humb jetën nga sulmi në zemër pas ndjekjes nga qentë në Podujevë

Kronika e Zezë
Nis numërimi i votave nga jashtë, mbi 15 mijë fletëvotime pritet të numërohen

Nis numërimi i votave nga jashtë, mbi 15 mijë fletëvotime pritet të numërohen

Lajme
Aksident komunikacioni në Prishtinë, lëndohen dy motoçiklistë

Aksident komunikacioni në Prishtinë, lëndohen dy motoçiklistë

Kronika e Zezë
Hooper: Kosova duhet të komunikojë më mirë me Uashingtonin, mos t'i japë leksione SHBA-së

Hooper: Kosova duhet të komunikojë më mirë me Uashingtonin, mos t'i japë leksione SHBA-së

Lajme
Këto janë të gjitha vendimet e qeverisë

Këto janë të gjitha vendimet e qeverisë

Lajme
Kalo në kategori