LAJMI I FUNDIT:

Investuan mbi 720 milionë euro në fabrikë, por po vonojnë prodhimin e Mini Cooperit elektrik

Investuan mbi 720 milionë euro në fabrikë, por po vonojnë prodhimin e Mini Cooperit elektrik

Pavarësisht investimit të madh, prodhimi i makinave elektrike në fabrikën Mini në Oksford është shtyrë për një periudhë të pacaktuar për shkak të ngadalësimit dhe stagnimit të shitjeve globale të modeleve elektrike. Mini elektrik do të vazhdojë të importohet nga Kina me taksën doganore të rritur, gjë që do të ndikojë edhe më tej në shitjet tashmë të ulëta.

Grupi BMW, kompania mëmë e MINI-t, kishte njoftuar më parë se e gjithë prodhimi i Mini Cooper Electric dhe Mini Aceman për tregun evropian dhe të tjera do të zhvendosej nga Kina në Oksford.

Me këtë plan, BMW synonte të ndalonte importin e këtyre modeleve nga Kina për të shmangur tarifën shtesë prej 20.7 për qind. Megjithatë, tani është e qartë se kjo praktikë do të vazhdojë, gjë që nuk është në favor të blerësve evropianë. Më shumë se 600 milionë funte (723 milionë euro) janë investuar tashmë në përgatitjen e fabrikës, si dhe në impiantin e shtypjes së karoserive në Swindon, për prodhimin e veturave elektrike. Këto fonde janë përdorur kryesisht për zgjerimin e punishtes së llamarinës, ndërtimin e një hapësire të re për montimin e baterive dhe objekte të reja logjistike.


Zëdhënësi i Grupit BMW deklaroi se aktualisht po shqyrtohet plani për rikthimin e prodhimit të modeleve elektrike Mini në Oksford. Ai shtoi gjithashtu se subvencionet shtetërore të paralajmëruara më parë, të cilat do të ishin pjesë e investimeve në fabrikë përveç fondeve të BMW, nuk do të përdoren më.

Në vitin 2024, shitjet e veturave elektrike në Evropë kanë rënë, me pjesën e tregut që ka pësuar një rënie të lehtë nga 15.7 për qind në 15.4 për qind. Kjo rënie i atribuohet heqjes së subvencioneve dhe çmimeve të larta mesatare të makinave elektrike me bateri.

Fabrika e Mini-t në Oksford, ku punojnë rreth 4000 njerëz, prodhon makina për tregjet globale. Aktualisht, ajo prodhon versionet me benzinë të Mini Cooper-it dhe ishte planifikuar të kalonte në prodhimin e modeleve elektrike.

Planet fillestare për fabrikën parashikonin një kapacitet maksimal vjetor prej 200 mijë automjetesh midis 2026 dhe 2030. Megjithatë, ky plan duket se do të duhet të rishikohet. /Telegrafi/