LAJMI I FUNDIT:

Avokati i akuzuar e quan gjyqtarin kontrabandist, Veli Kryeziu i përgjigjet: Kam punuar punë të ligjshme, babën nuk e kam pasur shpijun

Avokati i akuzuar e quan gjyqtarin kontrabandist, Veli Kryeziu i përgjigjet: Kam punuar punë të ligjshme, babën nuk e kam pasur shpijun

Në gjykimin ndaj avokatit Hamdi Jashari, ku gjyqtari Veli Kryeziu dëshmoi si i dëmtuar dhe dëshmitar, seanca u karakterizua nga fyerje dhe akuza mes tyre.

Pasi përfundoi dëshminë e tij, Jashari iu drejtua Kryeziut duke i thënë se nuk ka marrë asnjëherë lëndë të gjykuara prej tij.

“Fjala te unë s’t’ka dhezë ty, lëndët që i ke gjyku ti unë s’ti punoj ato”, tha Jashari.


Kryeziu iu kundërpërgjigj duke deklaruar se çështjet që ka përfaqësuar Jashari nuk kanë pasur kurrë mundësi të kenë sukses para tij.

“O kurrë unë te ti s’ka pas shans me të dhezë ty te unë”, deklaroi Kryeziu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më tej, ai akuzoi avokatin se kishte paguar persona për ta përmendur në portale dhe se kishte bërë kallëzime penale kundër tij, të cilat ishin hedhur poshtë.

“Ke pagu njerëz me pare me më qit në portale, ke ba kallëzime penale dhe të gjitha t’u kanë hudhë”, tha Kryeziu.

Nga ana tjetër, Jashari e akuzoi Kryeziun se kishte qenë kontrabandist.

“Ka shit lakna, patligjana… me kanë kontrabandistë është marre, edhe e dimë krejt”, tha Jashari.

Në përgjigje, Kryeziu tha se ishte shkarkuar nga ish-sistemi në vitet e ‘90-ta nga pozita e gjyqtarit dhe pas kësaj ishte marrë me veprimtari të ligjshme.

Po ashtu, ai i përmendi familjen Jashari, duke nënkuptuar se babai i avokatit kishte qenë i lidhur me ish-regjimin serb.

“Por unë babën nuk e kam pas shpijun. Unë mixhën se kam pas që më ka marrë pjesë në Rambuje me Sllobodan Millosheviqin. Unë s’i kam pas këto”, tha Kryeziu.

Ai sqaroi se kishte raportuar rastin tek ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, sepse nuk kishte besim tek Policia dhe Prokuroria në Gjilan.

“Se s’kam besim”, tha ai.

Kryeziu shtoi se kishte dyshime për mosveprimin e Prokurorisë dhe Policisë.

“Kam pasur dyshimet e mia, që as nga Prokuroria, as nga Policia nuk do të ndërmerreshin veprime ndaj të njëjtit, ky rast do të heshtje”, deklaroi ai.

Ai sqaroi gjithashtu se audio-incizimet ku dëgjohet i akuzuari Jashari duke kërkuar para në emër të gjyqtarëve, i kishte marrë nga Selver Xhelili dhe jo nga Selver Kryeziu.

“Unë edhe në polici edhe në prokurori kam deklaruar se audio-incizimet i kam marrë nga Selver Xhelili”, tha Kryeziu.

Gjyqtari tha se me të dëmtuarin tjetër, Ilmi Ajruni, ishte kontaktuar për t’i kërkuar që të shkonte në Polici për të dhënë deklaratë.

I pyetur nga vetë i akuzuari Jashari nëse ishte detyrë e tij ta thërriste Ajrunin për të dëshmuar, Kryeziu tha se këtë e kishte bërë me kërkesë të hetuesit policor për të shmangur vonesat.

Ai shtoi se kishte raportuar rastin në Polici vetëm pasi ishte marrë vendimi gjyqësor për Avni Ajrunin, vëllanë e Ilmi Ajrunit, për të cilin Jashari, sipas aktakuzës, kishte kërkuar 8 mijë euro që të lirohej.

Megjithatë, Jashari kundërshtoi, duke thënë se dokumentet e lëndës tregonin të kundërtën dhe se Kryeziu kishte vazhduar të ishte pjesë e trupit gjykues në çështjen e Ajrunit edhe pas raportimit të rastit.

Prokurori i çështjes, Bashkim Zeqaj, deklaroi se veprimet e të akuzuarit Jashari kishin cenuar vlerat themelore të sistemit të drejtësisë.

“Përveç se plotësohet figura e veprës penale të ushtrimit të ndikimit, po cenohen edhe vlerat themelore të sistemit të drejtësisë. Janë kërkuar para në emër të gjyqtarëve të Republikës së Kosovës, është cenuar besimi i publikut, pasi që i njëjti pret të kemi një sistem më të mirëfilltë gjyqësor”, tha Zeqaj.

Ai theksoi se provat do të dëshmojnë fajësinë e të akuzuarit dhe paralajmëroi se raste të tilla përbëjnë rrezik për të ardhmen.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i Jasharit, avokati Shemsedin Piraj, argumentoi se provat e paraqitura nuk dëshmonin kryerjen e veprës penale.

Vetë i akuzuari Jashari tha se kishte një marrëveshje me shkrim me Ilmi Ajrunin për ofrimin e shërbimeve juridike për vëllanë e tij, Avni Ajrunin, i cili ishte në burg.

Sipas Jasharit, ata ishin dakorduar që për këto shërbime të paguhej 8 mijë euro, prej të cilave 4 mijë euro për procedurën penale dhe 4 mijë euro për borxhet e mëparshme të familjes Ajruni ndaj tij.

“E që sipas Jasharit një gjë e tillë nuk është marrë fare për bazë nga ana e prokurorit të rastit”.

Në seancë mungoi i dëmtuari Ilmi Ajruni, ndërsa një familjar i tij paraqiti raporte mjekësore, duke deklaruar se nuk mund të jepte dëshmi për shkak të problemeve shëndetësore.

Ndërkohë gjatë seancës, gjykatësi Kryeziu thotë se rastin e avokatit të akuzuar e raportoi te Kryeprokurori i Shtetit. 

Jashari  më 8 qershor 2023 ishte arrestuar nga policia dhe ishte ndaluar për 48 orë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamdi Jashari, në cilësi të avokatit mbrojtës të të dënuarit-kërkuarit Avni Ajruli nga 25 maj 2022 deri më 2 qershor 2022, ka kërkuar drejtpërdrejt dhe pranuar para në shumë prej 8 mijë euro nga Ilmi Ajruli, vëllai i Avniut, me qëllim që i njëjti t’ia japë këtë shumë të parave kolegjit të gjyqtarëve Naser Maliqi, kryetar i kolegjit dhe anëtarëve Aziz Sheqiri dhe Veli Kryeziu.

Në aktakuzë thuhet se këto mjete i janë dhënë të akuzuarit me qëllim që të njëjtit të ushtrojnë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e tyre në çështjen penale sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan për ekstradimin e të dënuarit Avni Ajruli për shkak të veprës penale “Vrasje”, sipas nenit 123 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilin person e kërkonte shteti në fjalë për ekstradim, e që një kërkesë e tillë të refuzohet nga kolegji i lartcekur.

Me këto veprime, i akuzuari Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, nga neni 424, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në trend Lajme

Më shumë
Përqindja e votave të partive politike – në sa komuna prijnë LVV, PDK e AAK-Nisma?

Përqindja e votave të partive politike – në sa komuna prijnë LVV, PDK e AAK-Nisma?

Lajme
Arrestohen pesë të dyshuar në Pejë, po planifikonin vrasje

Arrestohen pesë të dyshuar në Pejë, po planifikonin vrasje

Kronika e Zezë
Zelensky bisedë telefonike me Ramën, tregon çështjet që diskutuan

Zelensky bisedë telefonike me Ramën, tregon çështjet që diskutuan

Lajme
Qindra çifte në listë të pritjes për IVF në QKUK

Qindra çifte në listë të pritjes për IVF në QKUK

Shëndetësi
Akuzat për lejen e ndërtimit në Yrshek dhe tenderin e pastrimit, Veliaj reagon nga burgu: Ia dhashë biznesmenit gjithë këto, t’i merrja 9 mijë euro mbrapsht?

Akuzat për lejen e ndërtimit në Yrshek dhe tenderin e pastrimit, Veliaj reagon nga burgu: Ia dhashë biznesmenit gjithë këto, t’i merrja 9 mijë euro mbrapsht?

Lajme
Sakrifikimi për më shumë vota, numri i deputetëve të LVV-së, partisë të Guxo dhe Alternativës

Sakrifikimi për më shumë vota, numri i deputetëve të LVV-së, partisë të Guxo dhe Alternativës

Lajme
Kalo në kategori