LAJMI I FUNDIT:

Cilat janë simptomat e hershme të belbëzimit te fëmijët – sqaron logopedja Kabashi

Cilat janë simptomat e hershme të belbëzimit te fëmijët – sqaron logopedja Kabashi

Belbëzimi është një çrregullim i të folurit, ku individët kanë vështirësi në shprehjen e fjalëve ose formimin e fjalive të plota.

Logopedja Luljeta Kabashi në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka folur lidhur për këtë çrregullim, gjersa ka theksuar se belbëzimi mund të jetë me bazë gjenetikë, por mund të jetë edhe prej faktorëve ambientalë.

Ajo po ashtu foli rreth asaj se si mund t’i vërejmë simptomat e hershme të belbëzimit te fëmijët, në mënyrë që edhe trajtimi të nisë me kohë.


Sipas saj, simptomat e hershme janë për shembull nëse fëmija po e përsërit fjalën, po e zgjat, ka vështirësi me fillu..

“…nëse përsërit një zanore aaaa, pastaj nis me vështirësi me fol duhet të konsultohet logopedi”, u shpreh Kabashi.


Tutje logopedja tha se lidhur me këtë këshillohen edhe prindërit se si të përgatiten dhe të sillen me fëmijët, mandej u dërgohen informata edhe edukatorëve.

“Mësohet teknikat se si me u menaxhu të folurit dhe pastaj një belbëzues e menaxhon shumë mirë të folurit e tij, pasi belbëzimi është humbje e rrjedhshmërisë në të folur. Kjo manifestohet me frymëmarrje të çrregulluar…”, tha ajo.

Tutje, Kabashi theksoi se fëmijët që belbëzojnë kanë kryesisht inteligjencë të lartë.

Podcastin e plotë, ku Kabashi flet për çrregullimet në të folur, ndikimin e teknologjisë, belbëzimin, disleksinë mund ta shikoni më poshtë. /Telegrafi/