LAJMI I FUNDIT:

Trashëgimia e Lirisë – Vetura e heronjve të Kosovës në Oldtimer Fest Kosova 2025

Trashëgimia e Lirisë – Vetura e heronjve të Kosovës në Oldtimer Fest Kosova 2025

Më 17 shkurt 2025, Oldtimer Club Kosova do të organizojë “Oldtimer Fest Kosova”, një ngjarje madhështore për të festuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

E mbajtur në parkingun e Viva Fresh Veternik, kjo ngjarje do të kulmojë me një paradë të jashtëzakonshme të automjeteve historike, duke përfshirë Lada-n ikonike ku u vranë heronjtë Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Zahir Pajaziti.

Përveç veturës, publiku do të ketë mundësinë të shohë edhe Pinzgauerin ushtarak dhe Niva-n ushtarake, që kanë mbijetuar fushëbetejat e ndryshme dhe qëndrojnë si dëshmi e historisë së lavdishme të Kosovës.

Kryetarja e Klubit Vjollca Rifati, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimeve rajonale me klubet e oldtimer-ave dhe organizatat kulturore nga vendet pjesëmarrëse, për të ndërtuar ura të reja miqësie dhe për të forcuar lidhjet kulturore.

Programi i eventit “Oldtimer Fest Kosova” do të përfshijë një hapje zyrtare me “Paradën Rajonale të Pavarësisë”, që fillon me një ceremoni solemne dhe performancë patriotike, duke prezantuar automjete historike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kroacia.

Gjatë programit do të shfaqet një dokumentar i shkurtër për historinë e Kosovës, duke përfshirë pamjet e para të luftës dhe prezantimin e veturave heroike të UÇK-së.

Ky aktivitet jo vetëm që feston pavarësinë, por gjithashtu nderon trashëgiminë e përbashkët dhe përpjekjet heroike të popullit të Kosovës për liri dhe drejtësi.

Oldtimer Fest Kosova 2025 premton të jetë një ngjarje e paharrueshme për të gjithë dashamirësit e historisë dhe kulturës automobilistike.