LAJMI I FUNDIT:
Prishtina 3° clearsky_night

Vazhdon gjendja emergjente me mbeturina, Komuna e Prishtinës akuzon kompaninë “Pastrimi” se ka prishur edhe kamionët e rinj

Vazhdon gjendja emergjente me mbeturina, Komuna e Prishtinës akuzon kompaninë “Pastrimi” se ka prishur edhe kamionët e rinj

Komuna e Prishtinës ka fajësuar sërish kompaninë “Pastrimi” se nuk po kryen obligimet e tyre në grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, deklaroi se nga gjendja emergjente që është krijuar me mbeturina, ka rrezik edhe për epidemi, transmeton Telegrafi.

“Gjendja me menaxhimin e mbeturinave vazhdona te jetë emergjente, ku edhe kemi shpresuar që ndërmarrja “Pastrimi”, si e vetmja që ofron shërbime në grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, do të marrë me seriozitet gjendjen që e ka krijuar vetë. Fatkeqësisht përkundër faktit që ne në fund të nëntorit të vitit 2024 kemi siguruar 2500 kontejnerë të rinj për kryeqytetin, për të gjitha lokacionet e kryeqytetit, mirëpo ndërmarrja “Pastrimi”, përkundër këtij fakti, sot e kësaj ditë nuk po bën shpërndarjen e kontejnerëve”, deklaroi ai.


Brestovci tha se kanë kërkuar nga kompania “Pastrimi” që të bëjë shpërndarjen e kontejnerëve por që të njëjtit nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim.

Ai gjithashtu theksoi se kompanisë i kanë dhuruar edhe 6 kamionë të rinjë, por që të njëjtit nuk janë vënë fare në operim.

“Më datën 6 shkurt, kemi dhënë 6 kamionë, duke shpresuar që të njëjtën ditë, ata kamionë do të jenë në operim, dhe prapë nuk janë vënë në operim. Kemi informacione që këta kamionë, kompania “Pastrimi” i ka prishur dhe ka krijuar defekte. Kjo është papërgjegjësi në kryerjen e ofrim shërbimit”.

Brestovci tha se faji kryesor është te kompania “Pastrimi” dhe se ka rrezik për shpërndarje te epidemive.

Ai deklaroi se kjo kompani nuk po e merr punën me seriozitet, ndërsa deklaroi se brenda dy javësh do të ndërmarrin të gjitha veprimet për largimin e mbeturinave./Telegrafi/