LAJMI I FUNDIT:

Gjorgjievski: Nëse kandidoj për kryetar të Qytetit të Shkupit pres fitore që në raundin e parë

Gjorgjievski: Nëse kandidoj për kryetar të Qytetit të Shkupit pres fitore që në raundin e parë

Kryetari i Komunës së Kisella Vodës dhe kryetar i BNJVL-së, Orce Gjorgjievski, deklaroi se nëse do të kandidojë për kryetar të Qytetit të Shkupit pret fitore që në raundin e parë dhe se këtë e bazon në mbështetjen që ka nga qytetarët dhe rezultatet që i ka arritur deri tani si kryetar i Komunës së Kisella Vodës.

Në intervistën për të përjavshmen “Fokus”, Gjorgjievski flet për punën e deritanishme, vizionin e tij për Shkupin dhe mundësinë për të kandiduar për kryetar të kryeqytetit.

“Nëse bëhem kandidat për kryetar të Shkupit, pres të fitoj që në raundin e parë. Siç tha edhe kryetari i Qeverisë dhe lideri i OBRM-PDUKM-së, në periudhën e ardhshme do të bëhen anketa, ku përveç meje, supozoj se do të përfshihen edhe kryetarët e tjerë të Shkupit nga OBRM-PDUKM, por sigurisht që do të ketë edhe individë të tjerë që do të anketohen. Unë, ambicien time, duke pasur parasysh se jam kryetar i BNJVL-së, e kam shprehur para më shumë se një viti. Besoj se kam bërë shumë punë në komunë, se kemi rezultate pas vetes, energji, ekip… Por, mbi të gjitha, kam edhe koncept se si duhet të duket Shkupi në perspektivë, si duhet të organizohet qyteti në një kohë relativisht të shkurtër. Mendoj se këtë periudhën e kaluar e kanë mirëpritur edhe qytetarët nga të cilët kam marrë mbështetje serioze. Pra, as në të kaluarën e as tani nuk e kam fshehur ambicien time për të qenë kryetar i Shkupit”, theksoi kryetari Gjorgjievski.


Në intervistë, ai përmend problemin e transportit publik si një nga më kryesorët për Shkupin dhe propozoi zgjidhje konkrete – ndërtimin e një metroje të lehtë, por është fokusuar edhe në nevojën e një policie komunale për të përmirësuar higjienën dhe rendin publik në qytet, si dhe planin për ta kthyer Drisllën në një biocentral. Duke folur për nevojën për një sistem stabil energjetik në Shkup, ai paralajmëroi iniciativë për ndërtimin e termocentralit me gaz, i cili, siç theksoi, do të ishte zgjidhja e duhur.

“Ajo që i mungon qytetit dhe duhet të punohet deri në fund është gazifikimi i Shkupit dhe termocentralit me gaz i cili duhet të ndërtohet në Shkup dhe sipas meje një nga pozitat më të mira për këtë është “Ohis”. Nëse veprohet në mënyrë të organizuar, pushteti i qytetit në bashkëpunim me komunat, të cilat do të veprojnë në kohën e duhur, do t’i largojnë deponitë, do të krijojnë sipërfaqe të gjelbra dhe nëse pushteti qendror i bashkohet procesit, duke mundësuar gazifikimin dhe ndërtimin e një termocentrali me gaz, mendoj se ndotja në kryeqytet do të ulet jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Gjorgjievski.