LAJMI I FUNDIT:

Brenda një viti 97 të vdekur në Kosovë nga aksidentet në trafik

Brenda një viti 97 të vdekur në Kosovë nga aksidentet në trafik

Vetëm gjatë vitit të kaluar, 97 persona e kanë humbur jetën në rrugët e Kosovës. Sipas ekspertëve të komunikacionit, shkaktarët kryesorë mbesin shpejtësia, përdorimi i telefonave gjatë ngasjes së automjetit dhe mosrespektimi i sinjalistikës rrugore.

Numri i personave të vdekur në rrugët e Kosovës është 97, bazuar në statistikat e fundit të trafikut rrugor të vitit paraprak, pra gjatë periudhës janar- dhjetor 2024.

Sipas këtyre statistikave të autoriteteve, aksidentet mbeten një shqetësim i madh për sigurinë e qytetarëve kosovarë.


Nol Dedaj, ekspert i Komunikacionit, vlerëson se situata është rënduar ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara.

Shkaktarët kryesorë të aksidenteve vazhdojnë të jenë shpejtësia, përdorimi i telefonave celularë gjatë drejtimit dhe mosrespektimi i sinjalistikës rrugore.

Mungesa e infrastrukturës së sigurt, si dhe shmangia e masave të sigurisë nga qytetarët, janë gjithashtu faktorë që kontribuojnë në rritjen e aksidenteve.

Në dy vitet e fundit janë regjistruar 22. 586 aksidente në të gjithë Kosovën, policia e trafikut ka shqiptuar gjithsej 724 mijë e 493 gjoba ndaj shkelësve të rregullave./RTK