Nga: James Holland, historian / The Daily Telegraph (titulli origjinal: The poison Hitler deployed against defenceless Jews)
Përkthimi: Telegrafi.com
Nga fundi i vitit 1931, gazetarja amerikane Dorothy Thompson pati mundësinë të intervistonte Adolf Hitlerin në apartamentin e tij në hotelin “Kaserhof” në Berlin, ku asokohe jetonte ai – ylli në ngjitje i politikës gjermane. Ajo kishte shkuar në takim duke pritur të takonte diktatorin e ardhshëm të Gjermanisë, por e ndryshoi shpejt mendimin, pasi e konceptoi atë si një figurë “pa formë, pothuajse pa fytyrë” dhe si mishërim të “njeriut të vockël”. Ajo u përpoq të debatonte me të në mënyrë racionale, por Hitleri vuri të gjitha të këqijat e botës mbi supet e hebrenjve. Kjo, sipas saj, nuk kishte aspak kuptim. “Ajo mendonte se, meqë ajo, si një gazetare e botës së sprovuar”, shkruan historiani Laurence Rees, “ishte në gjendje të shihte përtej fjalimeve boshe dhe të dallonte paragjykimin e verbër që qëndronte pas tyre, atëherë edhe të tjerët do të bënin të njëjtën gjë”. Parker përfundoi se Hitleri nuk përbënte ndonjë kërcënim serioz.
Lexo po ashtu nga Laurence Rees: Karizma e errët e Adolf Hitlerit
Sa shumë gaboi. Më pak se një vit më vonë, Hitleri u bë kancelar i Gjermanisë dhe shumë shpejt do ta zhyste botën në një luftë katastrofike dhe me mizori të paimagjinueshme, duke shkaktuar vrasjen e dhjetëra milionëve dhe shpërnguljen e miliona të tjerëve. Evropa, e më pas e gjithë bota, u gjend në mes të një katastrofe globale, pasojat e së cilës vazhdojmë t’i ndiejmë edhe sot.
Dhjetë vjet më parë, dukej qesharake të imagjinohej se një tjetër Hitler, ose një regjim po aq i tmerrshëm, mund të ngrihej sërish në Perëndim. Por, papritur po jetojmë në kohë të ndryshme. Ajo që bëhet e qartë në librin Mendja naziste [The Nazi Mind], në historinë e re provokuese dhe tronditëse të Rajhut të Tretë, shkruar nga Laurence Rees, është se demokracia është një entitet tepër i brishtë. Nuk duhet të ketë vend për vetëkënaqësi ndërsa reflektojmë mbi 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Dhe, megjithëse historia e ngritjes dhe rënies së nazizmit nuk është aspak e panjohur, Rees ka një pozicion unik për ta parë këtë histori paralajmëruese nga një këndvështrim i ri: jo vetëm që ai ka kaluar mbi 30 vjet duke studiuar këtë temë, por është gjithashtu një regjisor fitues i çmimit Bafta dhe ka intervistuar në detaje shumë nga pjesëmarrësit e fundit të mbijetuar të atij regjimi. Me fjalë të tjera, ai di shumë mirë se për çfarë po shkruan.
Qasja e Reesit është të shqyrtojë historinë e Rajhut të Tretë si në mënyrë kronologjike, ashtu edhe tematike. Edhe pse nuk bën krahasime të drejtpërdrejta me kohët moderne, kushdo që është i njohur me trazirat politike në Perëndim, veçanërisht në Amerikë, do të shohë shumë gjëra të njohura dhe shqetësuese. Hitleri e kuptoi herët se ishte e rëndësishme, për shembull, të krijohej ndjenja “Ne kundër Atyre” – ideja se njerëzit e zakonshëm po viktimizoheshin nga forcat e errëta të jashtme. Vetëm duke krijuar një ndjenjë uniteti, sipas kësaj teorie, mund të luftoheshin këto forca. Në Gjermaninë e pasluftës së Parë Botërore, ato forca të errëta ishin hebrenjtë dhe kërcënimi global i bolshevizmit.
Teoritë konspirative kishin gjithashtu rëndësi. Gënjeshtra ishte praktikë sistematike dhe e qëllimshme për nazistët; shumica e njerëzve ishin – dhe ende janë – mjaftueshëm naivë saqë, nëse diçka përsëritet mjaft shpesh, ata janë të gatshëm ta besojnë. Në fund të viteve 1920, nazistët nuk po përparonin sa duhet, por ata u ringjallën nga kriza në bursën e Nju-Jorkut [Wall Street], e cila e zhyti Gjermaninë në një depresion ekonomik dhe i shtyu votuesit të kërkonin alternativa ndaj status quo-së. Hitleri dhe ndjekësit e tij kryesorë kishin nisur tashmë procesin e rekrutimit dhe shpëlarjes së trurit të rinisë gjermane, dhe tani kishin një ushtri gjithnjë e më të madhe të të rinjve të zhgënjyer, të gatshëm të dilnin në rrugë.
Megjithatë, ajo që i solli nazistët në pushtet ishte bashkëpunimi i elitave: burra që besonin se ishin superiorë ndaj këtij radikali dhe se mund ta kontrollonin atë, ose që ishin të gatshëm të kthenin shikimin nga ana tjetër për shkak të lakmisë dhe interesave vetjake. Rees vëren se Hitleri u votua dy herë, për të ardhur në pushtet vetëm në vitin 1933, pa mbështetje dërrmuese, dhe se apatia politike ishte po aq e rëndësishme sa ideologjia e tij e egër. Shumica e gjermanëve nuk shqetësoheshin aq shumë për demokracinë, sa për atë që kishte më shumë gjasa të siguronte vende pune dhe mirëqenie ekonomike. Hebrenjtë përbënin më pak se një për qind të popullsisë gjermane dhe ishin të lehtë për t’u shtypur; ose, më saktë, ishte e lehtë që njerëzit të injoronin trajtimin e tyre në emër të përfitimit. Përdorimi dinak dhe manipulues i mediave të kontrolluara përmes gënjeshtrave të përsëritura, vetëm sa e forcoi mesazhin nazist.
Gjysma e parë e Mendjes naziste është lexim thellësisht tronditës. Komplotet dhe manipulimet e nazistëve, si dhe modelet e sjelljes njerëzore që lindën si rezultat i tyre, do të duken të frikshme për këdo që ka ndjekur politikën e viteve të fundit në Perëndim. Ajo që pason, sidoqoftë, pavarësisht se sa e njohur është historia, mund të lexohet me tmerrin që vetëm se grumbullohet. Leximi i mizorive vërtet të tmerrshme të kryera ndaj polakëve, që nga viti 1939, ose asaj që ndodhi pas pushtimit të Bashkimit Sovjetik dhe rrëshqitjes drejt Holokaustit, merr papritur një domethënie edhe më të thellë. Dhe, e gjithë kjo u arrit, siç tregon Rees, përmes distancës që krijoi eufemizmi, si dhe bashkëpunimit të politikanëve dhe apolitikëve, të intelektualëve, njerëzve të zakonshëm, oportunistëve – njerëz të cilët nga pamja e jashtme nuk ishin ndryshe nga unë apo ti. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëRefuzimi amerikan ndaj kërkesës së Leka Zogut për ta përmbysur Enver Hoxhën me ndihmën e sauditëve
Thënie të thella që nuk pendoheni nëse i lexoni!
Mendja naziste
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Librat e Kunderës, betejë e përjetshme e njeriut me sistemin
Të lexuarit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Nuk ndalen ofendimet brenda BBVA: 'Komplet familjen atij' – Jozi shan rëndë Gjestin
Kualifikohen 18 skuadra, Man City rrezikon seriozisht eliminimin - situata para ndeshjeve të fundit
Bolton: Me Trumpin mund të ndodh shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë
Maqedonci reagon pas publikimit të letrës së KFOR-it për dërgimin e ushtrisë në veri: S'ka rizotim, por sqarim
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump zbulon se është mbështetës i gjigantit të Ligës Premier
Rikthehet gjakmarrja në Dragoç, familja e autorit të vrasjes ka mbetur e ngujuar