LAJMI I FUNDIT:

Lajçak: Takimi për të pagjeturit dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së Serbisë

Lajçak: Takimi për të pagjeturit dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së Serbisë

Takimi i parë i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit, i paraparë të mbahej sot në Bruksel, ka dështuar.

Dështimi i këtij takimi erdhi pasi që delegacioni i Serbisë refuzoi të marrë pjesë, në shenjë proteste pas aksionit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë.

I dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, tha se takimi i së mërkurës i Komisionit të përbashkët për të pagjeturit duhej të mbahej në nivel zëvendësish, por dështoi për shkak se pala serbe njoftoi se nuk do të merrte pjesë në takim për shkak të zhvillimeve në Kosovë.


“Sot synuam të mbajmë takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për Persona të Zhdukur në nivel deputetësh. Jam takuar veçmas me të dyja palët. Kosova prezantoi prioritetet e saj. Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët për shkak të zhvillimeve në Kosovë”, ka shkruar Lajçak në “X”.

Anulohet në Bruksel takimi për personat e zhdukur, Hoti: Prania e Petkoviqit orkestroi dështimin e këtij takimi
Lexo po ashtu Anulohet në Bruksel takimi për personat e zhdukur, Hoti: Prania e Petkoviqit orkestroi dështimin e këtij takimi

Kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, reagoi në llogarinë e tij në Facebook pas dështimit të takimit, duke e quajtur arsyetimin e delegacionit serb “banal” dhe “të dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”.

“Kjo demonstron për të disatën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur”, shkroi Hoti.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha më herët se “e ka braktisur atë takim”, për shkak të ndodhive në Kosovë.

“Kurti nuk do dialog, por dhunë”, u tha ai gazetarëve në Bruksel. /Telegrafi/