Saranda Lubishtani, 37 vjeçare, nënë e dy fëmijëve, 10 vite më parë kishte vendosur t’i japë fund martesës së saj, për shkak të dhunës fizike e psikike të ushtruar në të nga bashkëshorti i saj.
“Në atë kohë fëmijët i kishim të vegjël, njëri rreth pesë vjeç dhe tjetri rreth 1 vjeç. Kanë qenë momente shumë të vështira, në njërën anë doja të vazhdoja martesën për shkak të fëmijëve e në anën dhuna sa vinte e shtohej”, kujton ajo duke shtuar se “dhuna kishte filluar të shtohej kur bashkëshorti i saj iu kishte rikthyer alkoolit, dhe si pasojë përjetonin edhe gjendje të vështirë ekonomike”.
Ajo tregon se për t’i shpëtuar fëmijët nga ato skena të dhunës, kishte vendosur të divorcohej ligjërisht, “Fëmija ynë i parë i mban mend të gjitha torturat që m’i ka shkaktuar babai i saj. Gjykata ka vendosur që fëmijët të jetojnë me mua dhe kjo ka qenë ajo që më ka mbajtur të fortë”.
Ndërsa, para pak vitesh pasi kishte rimarrë vetën Saranda kishte vendos historinë e saj ta ndante me publikun përmes rrjeteve sociale, për t’i motivuar edhe gra të tjera që gjenden të situata të vështira e të cilat janë pjesë e dhunës në familje.
“Dalja ime publike, fillimisht më ka ndihmuar mua si shpirtërisht ashtu edhe psiqikisht, sepse duke folur rreth asaj çfarë kam përjetuar kam filluar të çlirohem nga ngarkesat që më rëndonin prej vitesh. Pastaj, përmes platformave sociale më kanë kontaktuar shumë gra, ku disa prej tyre më kanë dërguar mesazhe pozitive e që më kanë bërë të ndihem e lumtur, e disa gra të tjera më kanë kërkuar këshilla, pasi që edhe ato kanë qenë viktima të dhunës në familje por që s’kanë gjetur forcë e as guxim për t’i biseduar me askënd, madje s’kanë as mbështetje nga familjet e tyre”.
Duke vlerësuar mediat sociale si një mundësi ku dëgjohet zëri i atyre që s’kanë zë, ajo shprehet se, “për situata të tilla dhune, është shumë e rëndësishme mbështetja e familjes”.
E qasja e lehtë në informacionet për luftimin e dhunës me baza gjinore, ofrimi i mbështetjes për viktimat dhe organizimi i fushatave sensibilizuese janë rezultat i mediave sociale, e të cilat po luajnë rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e shoqërisë. Ani pse, krahas këtij suksesi janë evidentuar një varg efektesh negativ, ku përmes mediave sociale herë pas herë shpërndahen mesazhe të dëmshme që ndikojnë në përkeqësimin e situatave të viktimave, por edhe duke paraqitur rrezik edhe te masa ku përmes komenteve tentohet të normalizohet dhuna.
Eksperti i mediave sociale, Diamant Bajra, ka potencuar se mediat sociale kanë luajtur një rol kyç në ndërgjegjësimin dhe luftën kundër dhunës me baza gjinore në Kosovë, duke ofruar një hapësirë ku zëri i individëve dhe organizatave joqeveritare mund të dëgjohet më gjerësisht. Përmes tyre, temat tabu dhe përvoja të heshtura më parë janë sjellë në diskutim publik, duke çuar drejt mobilizimit të komuniteteve dhe institucioneve.
“Shembull konkret është ai i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), që shpesh përdorin mediat sociale për fushata ndërgjegjësimi si #MosHesht, ku gra dhe vajza ndajnë përvoja personale për të nxitur denoncimin e dhunës. Videot dhe mesazhet vizuale ndikojnë fuqishëm në shoqëri duke ndihmuar në thyerjen e stigmës”.
Sipas ekspertit Bajra, mediat sociale janë bërë një armë e fuqishme në Kosovë për ngritjen e zërit kundër dhunës me baza gjinore, dhe “ky është shembulli më i mirë për të theksuar se kur përdoren me përgjegjësi, ato mund të nxisin ndryshime të qëndrueshme shoqërore dhe institucionale”.
Ndikimi i artit – figurat publike në luftimin e dhunës me baza gjinore
Aktorja Sheqerie Buqaj, është shprehur se çdo personazh publik e ka obligim moral të reagojë ndaj çdo padrejtësie e sidomos kur bëhet fjalë për dhunën në baza gjinore.
“Është e vetmja temë që arti mund të përdoret për këtë lloj kauze. Çdo përdorim i artit që tejkalon fushëveprimin e tij duke u përdorur për kauza tjera e dobëson dhe e humb fuqinë e artit. Por, në këtë rast kur është fjala për këtë çështje ia vlen të përdorim artin. Sepse dhuna me baza gjinore është një problem serioz që kërkon ndërgjegjësim të vazhdueshëm dhe veprime konkrete”, ka thënë Buqaj, duke shtuar se “vetëdijesimi është për një kategori të njerëzve por është një tjetër kategori që vështirë vetëdijesohet dhe aty duhet të veprojë ligji”.
Tutje, aktorja ka bërë të ditur se përmes mediave sociale, ka mundësi të flasë drejtpërdrejt me një audiencë të madhe, duke ndarë histori që frymëzojnë shoqërinë.
“Kam përdorur kryesisht Instagram dhe Facebook, për të ndarë informacione, histori dhe fushata që mbështesin viktimat e dhunës gjinore. Pra, prej pas luftës së fundit, ne kemi pasur shfaqje në këto tema, kemi shkuar në shumë vende të Kosovës, kam qenë edhe si aktore edhe si aktiviste, reagimet kanë qenë të ndryshme, ku disa kanë ndarë falënderime dhe përvoja personale, ndërsa të tjerë kanë bërë pyetje apo kanë kërkuar më shumë burime për ndihmë. Kemi pasur shfaqje forum- teatër në tema të tilla. Nuk kam refuzuar asnjëherë ftesat për përdorimin e artit filmik ose skenik që ka të bëjë me dhunën në baza gjinore”.
Perspektiva sociologjike – ndikimi i mediave sociale: ndërgjegjësim nëse nuk keqpërdoren informacionet
Për sociologen Mimoza Sojeva – Pajaziti, mediat sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit për dhunën me bazë gjinore. “Platforma si Facebook, Instagram, dhe X u kanë mundësuar viktimave të ndajnë përvojat e tyre, duke thyer tabutë dhe duke inkurajuar të tjerët të flasin. Fushatat si #MeToo, #NiUnaMenos dhe #OrangeTheWorld kanë krijuar një lëvizje globale që ka ekspozuar problemin në përmasa të mëdha”.
Tutje, Sojeva – Pajaziti ka potencuar se përmes organizimit online dhe fushatave virale, qytetarët mund të ushtrojnë presion ndaj qeverive, institucioneve, dhe organizatave për të ndërmarrë veprime konkrete, si përmirësimi i legjislacionit apo sigurimi i mbrojtjes për viktimat.
“Platformat online shpërndajnë materiale edukative mbi format e dhunës me bazë gjinore, duke ndihmuar publikun të kuptojë më mirë shkaqet, pasojat dhe mënyrat për t’u angazhuar në zgjidhjen e problemit. E në anën tjetër viktimat mund të gjejnë mbështetje emocionale dhe praktike përmes grupeve dhe komuniteteve virtuale që synojnë luftimin e dhunës me bazë gjinore“.
Krahas rezultateve pozitive që përbëjnë mediat sociale, sociologia Mimoza Sojeva – Pajaziti, rreshton disa sfida si, dezinformimin, abuzimin online ndaj aktivistëve dhe viktimave, dhe mungesën e kontrollit për përmbajtjet e dëmshme.
Ndjeshmëria ndaj mediave sociale
Sociologia Mimoza Sojeva – Pajaziti, thekson se disa grupe shoqërore janë më të ndjeshme ndaj fushatave të mediave sociale për dhunën me bazë gjinore për shkak të çasjes së tyre ndaj teknologjisë, përvojave të jetës dhe mënyrës si i perceptojnë çështjet e barazisë gjinore.
“Të rinjtë janë përdoruesit më aktivë të mediave sociale dhe janë të hapur ndaj ideve të reja dhe ndryshimeve kulturore. Ata janë më të prirë të mbështesin barazinë gjinore dhe të kundërshtojnë dhunën përmes pjesëmarrjes aktive”.
Ndërsa, sipas saj, grupi më i prekur nga dhuna me bazë gjinore, gratë dhe vajzat ndihen të përfaqësuara dhe të fuqizuara nga fushatat që adresojnë përvojat e tyre. “Pasi që platformat sociale u ofrojnë hapësirë për të ndarë historitë e tyre dhe për të gjetur mbështetje emocionale dhe praktike”.
Fuqizimi i barazisë gjinore përmes mediave sociale
Agjencia për Barazi Gjinore, potencon se mediat sociale kanë një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin dhe promovimin e barazisë gjinore, veçanërisht për çështje që lidhen me dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore.
‘‘Vite me parë ABGJ në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Zyrën e UN Ëomen në Kosovë dhe Komisionin e Pavarur për Media kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në fushën e avancimit të barazisë gjinore në media dhe eliminimin e seksizmit. Ky memorandum i obligon palët që të bashkëpunojnë ngushtë dhe të krijojnë modalitete në luftimin e seksizmit, gjuhës së urrejtjes dhe pengesave që gratë hasin në fushën e mediave“.
Potenciali i mediave sociale: (mos) promovimi i dhunës
Marigona Shabiu, drejtoreshë e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), në Prishtinë, ka treguar se si luftimi dhe parandalimi i dhunës në çfarëdo baze, e sidomos në baza gjinore është shumë i rëndësishëm dhe në qendër të përpjekjeve të organizatës që drejton është liria, barazia e drejtësia.
“Ndër vite ne kemi iniciuar dhe mbështetur protesta masive kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore në përgjithësi, por edhe aktivitete të tjera edukative me të rinj që fokusohen në promovim të të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe të drejtave të personave LGBTQI+. Gjithashtu, së bashku me organizata të tjera për të drejtat e njeriut vazhdimisht avokojmë fuqishëm për implementim më të madh të kornizës ligjore që e dënon dhe parandalon dhunën në baza gjinore dhe garanton siguri dhe respektim të dinjitetit dhe integritetit të grave dhe personave LGBTQI+”.
Shabiu, vlerëson se mediat sociale janë shumë të rëndësishme për faktin e shtrirjes që e kanë në shoqërinë tonë, e sidomos të gjeneratat e reja.
“Mediat sociale kanë shumë potencial për të përhapur mesazhet tona kundër dhunës në baza gjinore. Por, në anën tjetër, ka disavantazhe për shkak të vështirësisë së kontrollimit të përmbajtjeve që plasohen në media sociale. Kur këto përmbajtje promovojnë dhunën ndaj grave dhe personave LGBTQI+, atëherë ka rrezik të madh që ndikimi i tyre të përhapet shumë dhe gjuha e urrejtjes të bëhet masive, sidomos në pjesën e komenteve”.
Mbrojtja e viktimave dhe pasojat ligjore ndaj keqpërdoruesve të mediave sociale
Avokati Arbër Jashari, ka theksuar se mediat sociale kanë lehtësuar komunikimin e ndërsjellë në mes njerëzve dhe e kanë bërë shumë më të lehtë plasimin e informacioneve në përgjithësi. Kjo pastaj e bënë të mundur që shoqëria dhe shtetin të informohet më shpejtë për rastet e dhunës në familje, dhe si rrjedhojë edhe të reagoj më shpejtë.
“Falë mediave sociale, krimi në familje, më nuk është më një çështje e mbyllur brenda dyerve të oborrit të shtëpisë, por është një problem i cili kur ndodhë e prekë të gjithë komunitetin. Mediat sociale po ashtu luajnë një rol të madh në sensibilizimin e opinionit, ngritjen e vetëdijes dhe edukimin shoqërorë”, ka thënë Jashari.
Policia e Kosovës, ka potencuar se dhunën gjinore që ndodhë në platformat sociale e trajton bazuar në kodin penal të Republikës së Kosovës.
“Të gjitha rastet që raportohen në Policinë e Kosovës, iniciohen dhe trajtohen në koordinim me organet e drejtësisë”.
Ndërsa, për të mbrojtur viktimat nga kërcënimet dhe intimidimi në platformat sociale, Policia e Kosovës, ndërmerr masa përmes kanaleve të ndryshme të komunikimit, përfshirë platformat sociale ofron e publikon informacione relevante lidhur me rastet e ndryshme dhe mënyrat e raportimit të tyre.
“Komunikimi transparent dhe pro aktiv, si dhe fushatat e ndryshme vetëdijësuese luajnë një rol të madh në ndërgjegjësim dhe parandalim të veprave të kundërligjshme”, thuhet ndër tjerash në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Mediat sociale – komunikim direkt me audiencën
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), ka bërë të ditur se përmes platformës së saj qika.org dhe rrjeteve sociale, adreson dhunën me bazë gjinore nëpërmjet fushatave të ndryshme ndërgjegjësuese, posterëve, artikujve dhe shkrimeve sensibilizuese si dhe infografikave, duke informuar ndjekësit dhe promovuar luftën kundër çdo forme të dhunës.
“E konsiderojmë median sociale si një mjet shumë efektiv për rritjen e ndërgjegjësimit, për shkak të ndërveprimit të drejtpërdrejtë me audiencën dhe mundësisë për komunikim të dyanshëm, rrjedhimisht pranimin e feedback-ut, gjë që na ndihmon të përshtatim përmbajtjen dhe qasjen tonë me nevojën për edukim dhe ndërgjegjësim”, kanë thënë në përgjigjen e tyre nga QIKA, duke theksuar se, “ne periodikisht mbledhim, analizojmë dhe publikojmë të dhëna nga institucione si Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Gjykatat, duke ofruar informacione të sakta dhe të bazuara për rastet e dhunës me bazë gjinore në Kosovë”.
Ndërsa, sa i përket privatësisë së viktimave, sidomos në rastet kur, QIKA, raportojnë apo shkruajnë për raste specifike, për ato mbetet qenësore që të mbrohet privatësia dhe integriteti i viktimave andaj, “kujdesemi që të respektojmë me përpikëri kodin e etikës dhe të ndjekim parimet e raportimit të ndjeshëm gjinor”.
Perspektiva e të rinjve për luftimin e dhunës me baza gjinore
Për studentin nga Prishtina, Burim Krasniqi, përjetimi i mediave në çdo formë është i mirëseardhur në të mirë të shoqërisë e aq më tepër kur kontributi i tyre në luftimin e dhunës me baza gjinore është jashtëzakonisht i madh. Anipse si pas tij, “mungojnë fushatat promovuese apo të dobishme, mirëpo trajnimet e shumta janë të nevojshme sepse i japin fryt shoqërisë në rrugën e ndryshimit”.
Krasniqi, duke vlerësuar rolin e mediave në promovimin e kësaj kauze është i madh e veçanërisht kur drejtpërsëdrejti e prek shoqërinë, qoftë me intervista nga terreni apo dhe emisione të veçanta mund të sjellin progres.
“Mediat sociale kanë ndikuar mjaft në sjelljen dhe vetëdijesimin e shoqërisë për tu bërë shpesh herë të një zëri dhe për ta dërguar mesazhin aty ku duhet”. /Mihane Hoxha/
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëJashari reagon pas kritikave ndaj mbylljes së institucioneve paralele, citon Gjergj Fishtën
Lirohet Nol Nushi, jep detaje pas ndalimit në kufirin Kosovë - Maqedoni
"Fëmijët kërkojnë të vizitojnë varrin e nënës", avokati i familjes së Liridona Ademajt: Presim burgim të përjetshëm
Haradinaj pritet në mënyrë madhështore në Grabanicë
"Duhej plotësuar shumë dokumente", Haradinaj për Kurtin: Është fyese mos me i vizitu ish-krerët e UÇK-së në Hagë
Maqedonci në SHBA: Kosova do të ketë helikopterë ‘Black Hawk’
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Ia përmendën faktin që s'ka fëmijë, Rozana Radi qan me dënesë: Unë jam pa shtëpi vetëm për këtë, më shumë shkoj unë në spital se doktorët
Videoja e BBVA që po bëhet virale, G Bani dhe Laerti flasin greqisht me gjuhë denigruese dhe kërcënuese për Gjestin
Jashari reagon pas kritikave ndaj mbylljes së institucioneve paralele, citon Gjergj Fishtën
Situatë tejet e tensionuar mes Rozanës dhe Gertës në BBVA, G Bani hyn në mes që t'i ndajë
Kontrata e shekullit në futboll: Përveç milionave, Ronaldo po bëhet edhe bashkëpronar te Al Nassr
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime