LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët në mënyrë gjeniale penguan që shtëpia e fqinjit të merrte flakë në Los Angeles

Qytetarët në mënyrë gjeniale penguan që shtëpia e fqinjit të merrte flakë në Los Angeles

Zjarret në Los Angeles nuk po shuhen. Zyrtarët kanë konfirmuar të paktën dhjetë vdekje, por numri i viktimave mund të rritet pasi hetuesit të jenë në gjendje të hyjnë të sigurt në vendbanime.

Pamjet nga zona e prekur nga zjarri po shpërndahen në rrjetet sociale dhe një prej tyre ka shkaktuar shumë vëmendje së fundmi në platformën X.

Mbrëmjen e së mërkurës zjarri përfshiu kodrat mbi bulevardin Hollywood dhe në shuarjen e zjarrit morën pjesë edhe helikopterë.


Mijëra banorë u detyruan të evakuohen. Në këto rrethana të vështira, shumë njerëz ndihmojnë njëri-tjetrin dhe kamerat e televizionit ABC7 kanë regjistruar disa persona duke ndihmuar fqinjët e tyre për të mos lejuar që zjarri të përfshijë shtëpinë e tyre.

Përballë një shtëpie kishte një palmë, maja e së cilës ishte djegur dhe vendasit kishin frikë se prushi i saj mund të binte mbi shtëpinë.

“Është shqetësuese që prushi po bie. Mund të ketë djegur këtë shtëpi dhe shtëpinë pranë saj. E dini si shkon – një shtëpi bëhet dy, dhe dy bëhen dhjetë shumë shpejt”, tha Tim Caputo për ABC7.

Për të parandaluar përhapjen e zjarrit, një grup njerëzish përdorën një video-kamerë vëzhgimi në një nga shtëpitë e kërcënuara për të kontaktuar pronarët që tashmë ishin evakuuar.

Pronarët u dhanë atyre qasje që të mund të merrnin tubin, dhe më pas fqinjët u ngjitën në çati dhe spërkatën ujë mbi palmën, pasi prushi prej saj filloi të binte në rrugë dhe në shtëpinë poshtë.

Ndryshe, pas 40 minutash kanë arritur të shuajnë flakët. /Telegrafi/