LAJMI I FUNDIT:

Bie qeveria franceze e Michel Barnier pas humbjes së votës së mosbesimit

Bie qeveria franceze e Michel Barnier pas humbjes së votës së mosbesimit

Michel Barnier të mërkurën u bë kryeministri me mandatin më të shkurtër të Francës pasi aleanca e majtë Fronti i Ri Popullor (NFP) dhe partia e ekstremit të djathtë Rally National (RN) bashkuan forcat për ta rrëzuar atë gjatë një votimi mosbesimi.

Qeveria e Barnier u rrëzua me 331 vota që mbështesin mocionin për të cilën gjë kërkohej një shumicë prej 288 votash, përcjell Telegrafi.

Siç bëhet e ditur, 73-vjeçari do të ketë qëndruar vetëm 91 ditë në detyrë, ndërsa qeveria e tij, e përbërë nga ministra të qendrës dhe të djathtë, shërbeu vetëm 74 ditë.


Barnier, i cili ka vetëm tre muaj në detyrë, tani është i detyruar t’i paraqesë presidentit Emmanuel Macron dorëheqjen e tij, si dhe dorëheqjen e të gjithë qeverisë.

Rënia e qeverisë franceze vlerësohet se i ka rrënjët në vendimin e presidentit Macron për të shpërndarë parlamentin në qershor, duke çuar në zgjedhje të parakohshme.

Këto zgjedhje rezultuan në një parlament të ndarë në tri grupe afërsisht të barabarta pa një shumicë të qartë.

Franca tani rrezikon ta mbyllë vitin pa një qeveri të qëndrueshme ose një buxhet të vitit 2025, megjithëse kushtetuta lejon masa të veçanta që do të shmangnin një “mbyllje të qeverisë në stilin amerikan”. /Telegrafi/