Shumica e partive politike të serbëve në Kosovë po përgatiten të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 9 shkurtit.
Por, tani për tani, mbetet e paqartë nëse Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – po përgatitet gjithashtu për atë proces.
Me nismën e saj, pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe më pas i bojkotuan zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq.
Kjo parti, e vetmja në Kosovë që gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të marrë pjesë në zgjedhje.
Por, më 19 nëntor, përmes një njoftimi të shkurtër për media, ajo deklaroi se ka mbajtur një takim, ku është diskutuar për, siç tha, “gjendjen politike dhe të sigurisë, si dhe për aktivitetet e ardhshme”.
Paraprakisht, zyrtarë të Listës Serbe u takuan me drejtorin e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, në Rashkë të Serbisë.
Siç u bë e ditur më vonë, në atë takim u diskutua për “situatën e vështirë politike dhe të sigurisë” në Kosovë dhe për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve.
REL-i pyeti edhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nëse këtë herë do të ofrojë mbështetje për pjesëmarrje në zgjedhjet e Kosovës edhe për partitë e tjera politike serbe, por nuk mori përgjigje.
Deri më tash, asnjë parti politike serbe nuk aplikoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Afati për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzim të listës së kandidatëve për deputetë në KQZ është deri më 24 dhjetor, 2024.
Kush merr pjesë në zgjedhje?
Nenad Rashiq, lider i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, thotë për Radion Evropa e Lirë se subjekti që ai drejton, është duke finalizuar listën me kandidatët për deputetë.
Ai vlerëson se ka ardhur koha që serbët ta përfaqësojnë vetveten në institucionet e Kosovës.
“Nëse jeni politikan, nëse keni parti, natyrisht që nga ju pritet të merrni pjesë në zgjedhje në çfarëdo rrethanash. Dhe, ka pasur rrethana edhe më të këqija se këto aktuale”, thotë Rashiq, njëherësh ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Millija Bishevac nga Lëvizja Popullore Serbe thekson, gjithashtu, rëndësinë e krijimit dhe zhvillimit të “politikës autoktone” për t’i mbrojtur interesat e komunitetit serb në Kosovë.
Ai thotë se qëllimi i partisë së tij, që nga formimi i saj vitin e kaluar, ishte të merrte pjesë në procesin zgjedhor.
“Kjo gjendje sigurie është gjithmonë e paparashikueshme. Ne kemi vendosur që të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, si parti e pavarur, si Lëvizja Popullore Serbe. Shpresoj vetëm që të ketë qetësi, në mënyrë që zgjedhjet të mund të mbahen”, thotë Bishevac.
Në dy vjetët e fundit, veriu i Kosovës u përshkua me tensione të larta, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë aktuale për ta shtrirë autoritetin në atë pjesë, ku popullata shumicë është serbe.
Disa nga veprimet e ndërmarra në këtë drejtim ishin: mbyllja e institucioneve paralele serbe, heqja nga përdorimi e dinarit serb, si dhe zëvendësimi i targave serbe me targa të Kosovës.
Të gjitha këto u kundërshtuan fuqishëm nga popullata lokale.
Nga Partia e Serbëve të Kosovës e Aleksandar Jabllanoviqit thonë se kanë vendosur në parim për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Orientimi ynë është që të shkojmë në këto zgjedhje. Por, duhet të shohim në ditët në vijim se si do të organizohen ato – para së gjithash në veri të Kosovës. Jam i bindur se do të dalim, sepse nuk e shoh se cila është alternativa”, thotë Jabllanoviq për Radion Evropa e Lirë.
Në zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Lepoasaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – në prill të vitit 2023, partia e Jabllanoviqit u tërhoq nga gara tri ditë para zgjedhjeve, duke i ftuar edhe mbështetësit e saj që t’i bojkotojnë ato.
Atëkohë, zgjedhjet i bojkotuan edhe subjektet tjera politike serbe, përfshirë Listën Serbe.
Për rrjedhojë, pushtetin në katër komunat në veri e morën kryetarët shqiptarë.
Udhëheqësi i Demokracisë Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, thotë se është ende herët për të vendosur rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.
Por, shton ai, në rast se partia e tij vendos në favor të pjesëmarrjes, atëherë do të shkojë në zgjedhje në mënyrë të pavarur.
Për mbështetjen e Beogradit
Lista Serbe, që nga themelimi në vitin 2013, si dhe pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në vitin 2014, është partia e vetme e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar.
Bishevac thotë se Beogradi, deri më tani, e ka konsideruar vetëm Listën Serbe si përfaqësuese relevante të serbëve në Kosovë – gjë që, sipas tij, “nuk është absolutisht e vërtetë”.
Ai shton se si “pasojë” e mbështetjes absolute nga Beogradi, zyrtarët e Listës Serbe janë pothuajse në të gjitha pozitat drejtuese në institucionet e Serbisë në Kosovë – që nga autoritetet e Kosovës konsiderohen si jolegale – dhe i përdorin ato “për ta shantazhuar” elektoratin.
“U thonë njerëzve se do të kenë paga vetëm nëse ata fitojnë. Është një instrument i fortë për shantazh, por, përmes bisedave me qytetarë, e kemi parë se edhe ata e kuptojnë se një politikë e tillë është e keqe”, thotë Bishevac.
Ai shton se qëllimi i Lëvizjes Popullore Serbe është të mbledhë njerëz nga populli, që jetojnë në Kosovë dhe që do të mund t’i shprehin publikisht dhe lirisht pikëpamjet apo shqetësimet e tyre.
“Ta kemi politikën tonë zyrtare autoktone të Kosovës dhe Metohisë. Deri më tani nuk kemi hasur në mirëkuptimin e askujt nga Beogradi, por shpresoj që edhe ata të kuptojnë se si është situata, të ulen në tavolinë dhe të bisedojnë me të gjithë serbët dhe të mos favorizojnë një opsion”, thotë Bishevac.
Rashiq nuk beson se Beogradi zyrtar do ta ndryshojë qasjen kur bëhet fjalë për mbështetjen e Listës Serbe.
Ai pret që Lista Serbe të vazhdojë “t’i përdorë edhe më tej, në mënyrë brutale, të gjithë mekanizmat që i ka Serbia në Kosovë”.
Si shembull, ai përmend se individë të caktuar tashmë janë “sanksionuar”, për shkak se kanë shfrytëzuar ndihmën nga ministria që ai drejton.
“Për herë të parë më ndodhi që pesë prej tyre refuzuan ndihmën për ndërtimin e shtëpive. Ata thanë: ‘Nuk guxojmë të marrim asgjë nga ju, sepse do të na heqin ndihmën sociale, pagat’. Për mua do të ishte një befasi e këndshme të shihja që Beogradi ndryshon qasje, por nuk besoj se do të ndodhë”, thotë Rashiq.
Ai shton se gara kundër Listës Serbe në zgjedhje, nuk ka qenë asnjëherë e drejtë dhe e barabartë, për shkak të mbështetjes së Beogradit.
“Por, nëse e duam sadopak Kosovën, duhet t’i rezistojmë Listës Serbe, sa më mirë që mundemi dhe dimë”, shprehet Rashiq.
Megjithatë, Jabllanoviq thotë se “mbetet të shihet” nëse Lista Serbe do të jetë opsioni i vetëm politik që do ta ketë këtë herë mbështetjen e Beogradit.
“Mendoj se të gjitha opsionet politike serbe, me përjashtim të Nenad Rashiqit, janë kualifikuar për të marrë mbështetje nga Beogradi, sepse ne nuk bëjmë asgjë kundër interesave të popullit serb dhe shtetit të Serbisë. Por, ne nuk pajtohemi me disa metoda dhe politika të Listës Serbe”, thotë Jabllanoviq.
Ai beson se, në ditët në vijim, do të dihet më shumë lidhur me çështjen e mbështetjes nga Beogradi dhe shton se është e pakuptimtë të merret pjesë në zgjedhje dhe më pas të bojkotohet puna e institucioneve të Kosovës.
“Serbët që vendosin të marrin pjesë në këto zgjedhje, duhet të jenë të gatshëm të marrin pjesë edhe në punën e institucioneve dhe zëri i tyre të dëgjohet atje”, thotë Jabllanoviq.
Me Kushtetutën e Kosovës, pjesëtarëve të komunitetit serb u garantohen dhjetë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Aktualisht, nëntë ulëse të Kuvendit i përkasin Listës Serbe. Deputeti i dhjetë vepron si i pavarur, por është ende deputet i Grupit parlamentar “Lista Serbe”.
Këta deputetë morën zyrtarisht mandatin në mes të nëntorit të vitit 2022, dhjetë ditë pasi paraardhësit e tyre dhanë dorëheqje, në kuadër të tërheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e targave serbe.
Ata nuk marrin pjesë në seancat e Kuvendit për shkak të “veprimit strategjik”, siç e cilësuan më herët bojkotimin e institucioneve të Kosovës, por paraqiten një herë në gjashtë muaj për të mos i humbur mandatet. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje