LAJMI I FUNDIT:
Prishtina 4° lightrain

Hapet Kampi Pyjor 2024 në Novobërdë, mbështetur nga BE dhe Suedia

Hapet Kampi Pyjor 2024 në Novobërdë, mbështetur nga BE dhe Suedia

Sot në Novobërdë u hap Kampi Pyjor 2024, në kuadër të programit të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Suedia “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”.

Ky program zbatohet nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO).

Kampi Pyjor 2024, që mbahet nga 21 deri më 25 tetor 2024, synon të promovojë menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, të përmirësojë jetesën rurale dhe të angazhojë komunitete të ndryshme në adresimin e ndryshimeve klimatike. Kampi i këtij viti thekson rëndësinë e menaxhimit shumëqëllimor të pyjeve, duke integruar objektiva ekonomike, mjedisore dhe sociale. Për më tepër, thekson krijimin e zinxhirëve të vlerës që i përgjigjen barazisë gjinore për të fuqizuar komunitetet lokale, veçanërisht gratë dhe të rinjtë, në sipërmarrjet që lidhen me pylltarinë, si produktet jo drurore të pyllit dhe ekoturizmin. Ky kamp gjithashtu do të përfshijë të rinjtë e interesuar për të ardhmen e pyjeve dhe mundësitë për gjenerimin e të ardhurave dhe zhvillimin ekonomik në komunat e tyre.

Kampi Pyjor 2024 do të shtrihet në tri lokacione: Novobërdë, Gjilan dhe Kamenicë, duke mbledhur së bashku 150 deri në 200 pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Pyjeve e Kosovës, Instituti i Pylltarisë, kryetarët e komunave, donatorë, menaxherë pyjesh, pronarë privatë të pyjeve, studentë, profesorë universitarë, shfrytëzues të pyjeve, gra sipërmarrëse në sektorin e pylltarisë dhe komunitete lokale.

Udhëtimi pesë-ditor filloi në Novobërdë, ku pjesëmarrësit eksploruan pyjet lokale dhe mësuan rreth menaxhimit shumëqëllimor të pyjeve dhe praktikave silvikulturale, me fokus në përfshirjen e komunitetit, veçanërisht të rinjve dhe grave. Në ditët në vijim, vizitat në vendet pyjore në Novobërdë, Gjilan dhe Kamenicë do të prezantojnë mundësi për prerjen e pyjeve, agroturizmin dhe turizmin malor.

Ceremonia e hapjes së Kampit Pyjor 2024 u ndoq nga përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Komuna e Novobërdës, Ambasada e Suedisë në Prishtinë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, FAO dhe Agjencia e Pyjeve e Kosovës. Gjatë fjalimeve të tyre, përfaqësuesit e këtyre organizatave theksuan rolin e këtij aktiviteti në promovimin e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve dhe zhvillimit rural në Kosovë, duke ritheksuar angazhimin e tyre për praktika të qëndrueshme pylltare dhe fuqizimin e komuniteteve lokale.

Zëvedësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, tha që pyjet kërkojnë angazhim të përditshëm në terren, inspektime të rregullta dhe angazhim maksimal të të gjithëve.

“Për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës për rëndësinë e sektorit të pylltarisë, si Ministri në bashkëpunim me FAO-n kemi zhvilluar aktivitete në kuadër të Strategjisë së Komunikimit dhe Informimit në Sektorin Pyjor, e cila ka përfshirë fushata sensibilizuese që promovojnë njohuritë mbi menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve. Ky kamp pyjor, është një mundësi e shkëlqyer për të thelluar njohuritë dhe për të inkurajuar të rinjtë që të angazhohen në ruajtjen e këtyre pasurive natyrore. Së bashku me Ambasadën Suedeze, Bashkimin Evropian dhe FAO-n, synojmë një të ardhme më të gjelbër përmes zbatimit të Objektivit 15 të Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke bërë që Kosova të shndërrohet në një model të suksesshëm të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve”, tha Demelezi.

Fatos Mulla, zyrtar për projekte në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë, përmendi sfidat kryesore me të cilat përballet sektori i pylltarisë në Kosovë.

“Sektori i pylltarisë në Kosovë përballet me sfida thelbësore si mungesa e financimit të qëndrueshëm, mungesa e profesionistëve të kualifikuar dhe njohja e pamjaftueshme e rolit të tij ekonomik dhe mjedisor. Investimet nga Suedia prej 12 milionë eurosh kanë mbështetur zhvillimin, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar qëndrueshmërinë”, tha Mulla.

Vadim Stirbu nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha që pyjet janë një nga pasuritë më të çmuara të planetit dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për Kosovën, ku 45% e tokës është e mbuluar me pyje.

“Pyjet janë shumë më tepër sesa vetëm dru zjarri: ato janë ekosisteme të rëndësishme që mbështesin biodiversitetin, rregullojnë klimën dhe ofrojnë burime jetësore për komunitetet. Pyjet janë thelbësore në luftën tonë kundër ndryshimeve klimatike, duke vepruar si thithës të karbonit, duke rregulluar klimën lokale dhe duke mbështetur biodiversitetin që fuqizon qëndrueshmërinë e ekosistemeve. E ardhmja e qëndrueshme varet nga pyjet e menaxhuara mirë: pa to, ne nuk mund të zhvillohemi tutje”, tha Stirbu.

Naser Krasniqi, udhëheqës i ekipit vendor të FAO-së, theksoi rëndësinë e organizimit të Kampit Pyjor.

“Sikurse edhe vitin e kaluar në Radushë të Istogut, edhe këtë vit këtu në Novobërdë, Kampi Pyjor është një mundësi unike për ndërveprim mes të rinjve, pronarëve të pyjeve, përdoruesve dhe menaxherëve të tyre, duke ofruar mundësi të ndryshme për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të eksploruar në mënyrë kolektive rolin jetik të pyjeve në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të zonës së Novobërdës”, tha Krasniqi.

Kampi Pyjor 2024 do të përfundojë më 25 tetor me fjalimet përmbyllëse dhe shpërndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit.

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Magazina
Kalo në kategori