LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria humb deri në një miliard euro në vit nga emigracioni i të rinjve

Shqipëria humb deri në një miliard euro në vit nga emigracioni i të rinjve

Individët në moshë pune që emigrojnë, i sjellin vendin humbje deri në 15 mijë euro, ndërkohë, në total, për të gjitha largimet vjetore humbja arrin deri në një miliard euro.

Shqipëria humb deri në 1 miliard euro në vit nga emigracioni i të rinjve. Shifra del në studimin e fundit të fondacionit, Westminster i cili llogarit se për çdo person të ikur humbja është rreth 15 mijë euro.  

Studimi merr në konsideratë daljen e 41 700 personave të larguar vitin fundit, nga të cilët 37 500 ishin në moshë pune.


Duke llogaritur se ata arritën qëllimin dhe u punësuan menjëherë në vendin pritës, humbja e vlerës bruto të shtuar arrin në 455 milionë euro, me efekt direkt në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Kanali tjetër i dëmit konsiderohen investimet e humbura në arsim. Një i ri që ka përfunduar studimet në vitin 2018, për shkollën fillore kushton rreth 6000 euro, për shkollën e mesme 9300 euro dhe për arsimin e lartë 18 300 euro.

Nëse llogaritet edhe kostoje e studimeve doktorale ato arrijnë 32 mijë euro dhe largimi i të rinjve, e çon koston e humbjes nga 200 deri në 500 milionë euro në vit.

Nga ana tjetër, përfitimet që merr vendi nga emigrantët janë remitancat, të cilat bashkë me burimet e tjera, që vijnë nga jashtë e që arrijnë deri në një miliard euro në vit, arrijnë të balancojnë peshën humbjes ekonomike nga emigrimi.