LAJMI I FUNDIT:

Salianji dorëzohet në polici, mbështetësit e opozitës e presin me brohorima

Salianji dorëzohet në polici, mbështetësit e opozitës e presin me brohorima

Një numër i madh simpatizantësh të Partisë Demokratike ishin mbledhur përpara Drejtorisë së Policisë së Shtetit në Tiranë, ku deputeti Ervin Salianji u dorëzua tek autoritetet për të nisur dhe dënimin me një vit burg për kallëzim të rremë.

“Rama ik, poshtë diktatura” ishin thirrjet e të pranishmëve, teksa Salianji tha përpara tyre se shumë shpejt edhe dita e demokratëve do të vijë.

“Kjo betejë nuk përfundon këtu. Nuk është e lehtë. Shumë demokratë kanë vuajtur represionin e kësaj qeverie, përmes vjedhjeve, doganave, policisë, varfërisë, banditëve. Ne do t’i çmontojmë. Dita e demokratëve do të vijë”, tha Salianji.


Salianji deklaroi se betejën e tij për të vërtetën do ta vijojë edhe nga qelia, duke thënë se shpreson që të frymëzojë dhe qytetarët me këtë gjë.

“Jam shprehur që do të përballem kudo dhe me këtë ndërmarrje banditeske për të më hequr lirinë. Shpresoj që beteja ime të frymëzojë qytetarët. Ne jemi më të mirë se ta, ne vendosim sakrificën për të thënë të vërtetën, pasi ajo nuk ka çmim. Nuk kam dashur protestë para drejtorisë së policisë ku po shkoj të vetëdorëzohem. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen”, tha Salianji.

Sipas raportimeve në media, Salianji do ta kryejë dënimin e tij në burgun e Fierit. /Telegrafi/