LAJMI I FUNDIT:

Pse Starmeri interesohet për paktin e pakuptimtë mes Italisë dhe Shqipërisë për migrantët?

Pse Starmeri interesohet për paktin e pakuptimtë mes Italisë dhe Shqipërisë për migrantët?

Nga: Lea Ypi, profesoreshë e Teorisë Politike në LSE [London School of Economics] dhe anëtare e Akademisë Britanike / The Guardian (titulli origjinal: Italy’s migrant pact with Albania makes no sense. So what’s the real reason Starmer is showing interest?)
Përkthimi: Telegrafi.com

Në një mbrëmje të ftohtë të vonë dimri, në vitin 1999, prisja trenin në stacionin “Termini” në Romë, kur vura re një zonjë të moshuar që po mundohej me valixhet e saj dhe i ofrova ndihmë. “Signorina”, zëri i saj dridhej paksa. “Për fat të mirë ka ende të rinj si ju. Isha shumë e shqetësuar. Ky stacion është plot me grabitës shqiptarë. Është një pushtim”.

Në atë kohë nuk pata guximin t’i thosha se isha shqiptare. Isha një nga ato me fat – studente me bursë, ndryshe nga bashkëqytetarët e mi që punonin si pastrues, ndërtues, kujdestarë dhe punonjëse seksi. Ne krijonim tituj në Itali në ato ditë. Ndonjëherë si një komb kontrabandistësh, tutorësh dhe hajdutësh; ndonjëherë si individë të dështuar, të socializuar nën një sistem tjetër, që luftonin për t’u integruar; dhe, ndonjëherë si njerëz të korruptuar, dembelë e të paaftë për të zbatuar në vendin e tyre formulën e suksesit që kishin parë të ndriçonte përtej detit Adriatik në kanalet televizive të Silvio Berlusconit.


“Pushtuesit” ishte vetëm një prej etiketave. Në kuptimin fjalë për fjalë, i vetmi pushtim në historinë e dy kombeve ndodhi në drejtim të kundërt. Ishte më 7 prill 1939, kur trupat e Mussolinit zbarkuan në qytetin tim të lindjes, në Durrës, dhe aneksuan mbretërinë shqiptare në atë të Italisë, duke e përcaktuar si një bazë ushtarake për pushtimin e mëvonshëm të Greqisë, duke shfrytëzuar bakrin, kromin dhe burimet e tjera natyrore të saj, dhe duke stolisur flamurin shqiptar me simbole fashiste.

Që nga fundi i sundimit komunist në fillim të viteve 1990, asnjë politikan shqiptar nuk ka guxuar të sfidojë ndonjë qeveri italiane mbi trashëgiminë e marrëdhënieve të saj koloniale me Shqipërinë. Përkundrazi, ashtu si me marrëveshjen e fundit që i mundësoi qeverisë së Giorgia Melonit të shqyrtojë azilkërkuesit në mënyrë ekstraterritoriale në Shqipëri, miqësia e veçantë historike midis dy kombeve shumë shpesh çmohet. Në fund të fundit, ndryshe nga pushtimi italian i Etiopisë, ne u kursyem nga armët kimike. Incidenti i marsit të vitit 1997, ku dhjetëra gra dhe fëmijë u mbytën pasi një varkë patrullimi italian e goditi anijen e tyre, tashmë klasifikohet si aksident.

Megjithatë, qeveria nuk është e njëjtë me njerëzit e saj. Shumë shqiptarë kujtojnë me mirënjohje mikpritjen që pranuan që nga vitet 1990 e në vazhdim. Gjatë viteve të studimeve në Romë, takova dhjetëra italianë që më siguronin se të huajt ishin të mirëpritur dhe më kërkonin falje për fyerjet që dëgjoja shpesh në publik. Ata shpjegonin se edhe italianët dikur kishin qenë emigrantë. Nuk ishin ata që besonin në mitin Italiani brava gente (italianët, njerëz të mirë), një mit që shërbeu për të normalizuar dhe shfajësuar trashëgiminë e Mussolinit. Ata nuk mendonin se kombi duhej të trumbetonte gjithçka. Ata nuk votuan për parti si ajo e Melonit.

Zyrtarët britanikë, mes të cilëve thuhet se është edhe Keir Starmer, kanë deklaruar se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është e interesuar për një pakt migrimi të ngjashëm me atë shqiptar. Nuk bëhet fjalë për Shqipërinë. Qeveria shqiptare më parë shqyrtoi kërkesat e zyrtarëve britanikë dhe i refuzoi ato, duke deklaruar se vendi nuk do të shndërrohej kurrë në deponi të Evropës.

Megjithatë, gjithçka që i duhet Britanisë për një marrëveshje ekuivalente është një ish-koloni me një qeveri që ka një kujtesë mjaft të kthjellët për të kujtuar rrugët dhe ndërtesat që ish-zotëruesi i saj ndërtoi në shekullin e kaluar, por jo qeniet njerëzore që shfrytëzoi në dekadat e fundit. Një popull i traumatizuar nga e kaluara e tij e afërt, mjaftueshëm sa për të hequr nga kujtesa të largëtën dhe për t’u qeverisur nga një elitë politike e nënshtruar ndaj rendit liberal, e cila përsërit mantrën se të gjithë duhet të ndajmë bashkërisht pasojat e migrimit, pa vënë në dyshim shkaqet e tij gjeopolitike.

Megjithatë, do të ishte naive të kritikohen përpjekjet e Starmerit për të trajtuar migracionin duke moralizuar mbi këto çështje, siç bëjnë shpesh shumë njerëz në të majtën. Kur argumenti se duhet “të jemi pragmatikë” është i pari që vihet në tavolinë, parimet – kujtesa, përgjegjësia, kujdesi për njerëzit, ndjeshmëria, dhe të tjera – veçse janë pezulluar.

Si ta kundërshtojmë atëherë këtë? Ndoshta me logjikë të thjeshtë. Marrëveshjet e migracionit, si ajo që laburistët me sa duket po e studiojnë, bazohen në disa supozime të ndryshme: se migrimi në vetvete është një problem, se migrimi i parregullt luftohet më së miri me kufizime drakoniane kufitare, se ndalimi jashtëterritorial mund të veprojë si një pengesë. Ka shumë kërkime që tregojnë se çdo premisë është e dyshimtë. Por, edhe duke supozuar se ato janë të vlefshme, ka tri çështje të tjera me të cilat duhet të përballet çdo politikan “pragmatik”.

Politikisht, modeli i Shqipërisë paraqitet si një risi në menaxhimin e flukseve të migrantëve, sepse përfshin bashkëpunimin ndërmjet një kandidati për në BE dhe një shteti anëtar të BE-së. Frymëzuar nga dëshira për të gjetur një zgjidhje “strukturore” për çështjen e emigracionit të parregullt, në realitet ajo bën pikërisht të kundërtën: ua lë negociatave dypalëshe atë që duhet të arrihet si rezultat i një procesi në mbarë BE-në. Më shumë se kaq, dhe më e rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar, e cila nuk ka plan për t’u ribashkuar me BE-në, krijon një precedent të rrezikshëm ku shtetet individuale ndjekin marrëveshjet e tyre për të adresuar “problemin” e tyre të migracionit, duke shmangur shanset për një proces vërtet të koordinuar nëpër Evropë.

Së dyti, parimi i moskthimit, i përfshirë në Konventën e OKB-së të vitit 1951 mbi statusin e refugjatëve, ndalon dëbimin ose kthimin e njerëzve në vende që konsiderohen të pasigurta. Meloni këmbëngul se Shqipëria është e sigurt, duke përmendur statusin e saj kandidat në BE. Por, nëse është kështu, pse gratë shtatzëna, fëmijët dhe kategoritë e tjera të cenueshme përjashtohen nga marrëveshja?

Së treti, është çështja ekonomike. Për të respektuar ligjin ndërkombëtar, migrantët e dëbuar duhet të mbeten përgjegjësi e Italisë. Sipas marrëveshjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, Italia është përgjegjëse për të gjitha kostot e ndërtimit dhe menaxhimit të dy qendrave, si dhe për personelin e policisë, mjekët, infermierët dhe zyrtarët administrativë, për një shpenzim total që vlerësohet të arrijë në 670 milionë euro. Një emigrant i parregullt në Shqipëri i kushton Italisë po aq ose më shumë sesa po të shqyrtohej në territorin italian. Përfitimi i vetëm është se emigrantët bëhen të padukshëm – lontano dagli occhi, lontano dal cuore, siç thotë fjala italiane.

Na thuhet se qeveria e Starmerit është pragmatike dhe e interesuar për atë që funksionon. Por, si mund të konsiderohet ende “pragmatike” një “zgjidhje” që nuk ka kuptim logjik nga pikëpamja politike, juridike dhe ekonomike?

Ndoshta ka vetëm një përgjigje të besueshme: propaganda. Laburistët e dinë se janë në një shumicë të pasigurt, të kërcënuar nga politikanët e ekstremit të djathtë që bëjnë zhurmë për rrezikun e migracionit. Laburistët qartazi mendojnë se mund të dërgojnë një mesazh për votuesit më të djathtë në koalicionin e tyre se edhe ata janë të ashpër ndaj migrantëve. Duke bërë kështu, ata marrin si të mirëqenë mbështetësit e tyre liberalë dhe të majtë. Ata mund të pezullojnë parimet e tyre dhe të harrojnë retorikën për një kohë. Por, kontradiktat politike, ligjore dhe ekonomike do të mbeten. Dhe, nëse planet vazhdojnë, mbështetësit do të fillojnë të pyesin se çfarë lloj pragmatizmi po mbështesin. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
Shefja e Misionit të BE-së: Deklaratat e Grenell ishin ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë, pushteti pati gjuhë negative

Shefja e Misionit të BE-së: Deklaratat e Grenell ishin ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë, pushteti pati gjuhë negative

Lajme
Shkelje procedurale, KQZ del me një sqarim për rezultatet preliminare edhe për 21 vendvotime

Shkelje procedurale, KQZ del me një sqarim për rezultatet preliminare edhe për 21 vendvotime

Lajme
KQZ del me rezultate të reja, numërohen 90.09 për qind e votave

KQZ del me rezultate të reja, numërohen 90.09 për qind e votave

Lajme
Pse qytetarët po heqin dorë nga shtetësia e Kosovës?

Pse qytetarët po heqin dorë nga shtetësia e Kosovës?

Lajme
Gjyqtari legjendar italian, Collina kërkon ndryshimin e rregullit të goditjes së penalltisë

Gjyqtari legjendar italian, Collina kërkon ndryshimin e rregullit të goditjes së penalltisë

Ndërkombëtare
Kalo në kategori