LAJMI I FUNDIT:

Izraeli publikoi videon e tunelit ku u vranë gjashtë pengjet, ata u mbajtën në kushte të tmerrshme

Izraeli publikoi videon e tunelit ku u vranë gjashtë pengjet, ata u mbajtën në kushte të tmerrshme

Ushtria izraelite publikoi të martën pamjet të një tuneli në Gaza, ku thotë se gjashtë pengje u vranë së fundmi nga Hamasi.

Videoja tregon një vendkalim të ulët e të ngushtë thellë nën tokë që nuk kishte banjë dhe ajrim të dobët, transmeton Telegrafi.

Zbulimi i trupave të pengjeve muajin e kaluar ka shkaktuar një shpërthim masiv zemërimi në Izrael, dhe publikimi i videos së re mund të shtojë presionin ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu për të arritur një marrëveshje armëpushimi me Hamasin, për të sjellë në shtëpi pengjet e mbajtura nga Hamasi.


Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha të martën se pamjet e tunelit të Gazës u ishin shfaqur familjeve të pengjeve, dhe se “ishte shumë e vështirë për ta të shihnin se si të dashurit e tyre mbijetuan në ato kushte”.

Hagari e zbuloi videon në një konferencë shtypi në televizionin kombëtar pasi vizitoi vetë tunelin. Ai tha se tuneli u zbulua nën dhomën e gjumit të një fëmije në një shtëpi në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Tuneli ishte rreth 20 metra nën tokë dhe shtrihej rreth 120 metra.

Në video, Hagari i kërrusur, i paaftë për të qëndruar drejt në vendkalimin e ngushtë me hark, i përshkruan kushtet si jashtëzakonisht të lagështa dhe të vështira për të marrë frymë.

Ai tregoi shishe me urinë, një kovë që dukej se shërbente si një tualet i improvizuar, një tabelë shahu dhe municione për një pushkë automatike që besohej se ishte përdorur nga Hamasi. /Telegrafi/