LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Situata në RTK është tepër shqetësuese, Kuvendi duhet të ndalë degradimin e mediumit publik

Hoti: Situata në RTK është tepër shqetësuese, Kuvendi duhet të ndalë degradimin e mediumit publik

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se zhvillimet në mediumin e vetëm publik të Republikës së Kosovës, RTK, janë tepër shqetësuese.

Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se tendenca për përdorim të këtij mediumi publik kundër gazetarisë kritike duhet të marrë përgjigje sipas kushtetutës dhe ligjit.

“Është e qartë se Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së nuk kanë as fuqi dhe as vullnet për tu marrë me situatën e krijuar.  Është obligim shtetëror i Kuvendit të Kosovës të ndërpresë degradimin e mediumit publik.


Është obligim shtetëror i opozitës në veçanti të ndërmarrë veprimet kushtetuese e ligjore, në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, për të ndërprerë udhëheqjen e mediumit publik nga ‘komisarët politik të Kurtit’ përmes kukullave të tyre të vendosura në Bordin dhe menaxhmentin e RTK-së”, ka shkruar Hoti.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, ka shtuar se komisionet përkatëse Parlamentare janë vonuar që të ftojnë për raportim Bordin bashkë me menaxhmentin e RTK-së dhe Drejtorin e AKI-së, si hap i parë në veprimet që duhet të ndërmerren. /Telegrafi/