LAJMI I FUNDIT:

Kompania e Zvonko Veselinoviqit sërish merr punë nga Serbia: Ortakut të Milan Radoiçiqit sanksionet nuk mund t’i bëjnë asgjë

Kompania e Zvonko Veselinoviqit sërish merr punë nga Serbia: Ortakut të Milan Radoiçiqit sanksionet nuk mund t’i bëjnë asgjë

Kompania “Novi Pazar-put”, e cila është në pronësi të biznesmenit kontrovers nga Kosova, Zvonko Veselinoviq, sërish ka marr punë nga shteti, kështu që nga fillimi i vitit ka lidhur kontrata në vlerë prej gati gjysmë milioni eurosh. Me sa duket, as lidhja me vepra të ndryshme kriminale, as fakti që ai është nën sanksionet e SHBA-së, Veselinoviqit nuk mund t’ia rrezikojnë biznesin e suksesshëm me ndërmarrjet shtetërore.

Kompania “Novi Pazar-put” merret me ndërtimin e rrugëve dhe autostradave, por nuk është e njohur për opinionin e gjerë për shkak të projekteve që ka bërë, por për shkak të pronarit të saj. Përkatësisht, është pjesë e kompanisë “Inkop”, kompani e cila është në pronësi të biznesmenit kontrovers nga Kosova Zvonko Veselinoviq, e cila ka 60 për qind të aksioneve, ndërsa 40 për qind mban vëllai i tij Zharko.

Zvonko Veselinoviq ka lidhje me vepra të ndryshme kriminale – nga trafikimi i drogës, përfshirja në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, deri te nxjerrja e paligjshme e zhavorrit, dhe gjithashtu është nën sanksionet e Ministrisë së Financave të SHBA-së. Megjithatë, kjo nuk e pengon atë të bëjë biznes të mirë me shtetin.


Siç shkruan “Nova”, Veselinoviqi që nga fillimi i vitit ka nënshkruar katër marrëveshje me shtetin serb, ndërsa të fundit e ka fituar më 5 gusht, kur ka dorëzuar ofertë më të mirë se një ofertues tjetër, në procedurën e shpallur nga Kompania Publike për Rregullimin e Tokave Ndërtimore Novi Pazar. Bëhet fjalë për furnizimin me material prej guri. Vlera e kontratës është 15.96 milionë dinarë me TVSH, që është rreth 136,400 euro, transmeton Telegrafi.

Edhe tri punë nga shteti

Vetëm dhjetë ditë më parë, më 24 korrik, “Novi Pazar-put” mori punë nga Administrata Komunale e Komunës së Tutinit. Kësaj radhe, vëllezërit Veselinoviq ishin të vetmit të interesuar për punën e rregullimit të rrugëve të qytetit dhe rrugëve lokale, kështu që u shpërblye me një punë në vlerë prej 3.5 milionë dinarë (30,000 euro) me TVSH.

Dy punët e mbetura nga fillimi i vitit “Novi Pazar-put” i ka marrë nga Kompania“Putevi”. Të dyja i ka marrë më 27 shkurt në një procedurë të vetme dhe kontratat peshojnë afërsisht 246 mijë dhe 27,300 euro.

Bëhet fjalë për punë në furnizimin me gur të granitit për shtresa tampon dhe agregat gurit eruptiv.

Së paku 10 kompani janë të lidhura me Veselinoviqin dhe Radoiçiqin

Ndryshe, së paku 10 kompani janë të lidhura me Veselinoviqin dhe ortakun e tij Milan Radoiçiq, të cilët zyrtarisht e lanë pronësinë e kompanisë “Inkop” nga Çupria, dhe rrjedhimisht edhe subjektet juridike të varura. Hulumtimi i “Nova” ka treguar se së paku pesë kompani drejtohen në emër të Veselinoviqit dhe “Inkop-it”, ndërsa po aq janë të lidhura drejtpërdrejt apo tërthorazi me dyshen nga Kosova.

Konkretisht, përveç “Inkop”, aty janë edhe kompanitë “Betonjerka Aleksinac”, “Dolly Bell”, “Novi Pazar-put”, “Velmort trans plus”, kurse Radoiçiq dhe Veselinoviq kanë qenë edhe pronarë të “Putne izgradnje Novi Pazar”, e cila u likuidua dhe “Čivija komerc” e cila u fshi nga regjistri. Me Veselinoviqin janë të lidhura edhe dy kompani të tjera – “SZTR Prizma B.I.” dhe “Ferari preduzeće za usluge i promet polovnim vozilima D.D.”, për të cilën Ministria e Financave konstatoi se është nën kontrollin e tij, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër, sipas vlerësimit të tyre nën kontrollin e vëllait të tij Zharko janë edhe tri kompani të tjera – “Zarko Veselinović B.I” dhe STR “Kristal”, me seli në Kosovë dhe Nautika centar D.O.O. me seli në Kroaci.

Por, duhet të përmendim edhe kompanitë e gruas së Veselinoviqit, Ljiljana Bozhoviq. Ajo është bashkëpronare e kompanisë “Bioroganika Beograd”, dhe ka pasur aksione edhe në kompaninë “Storenergy” nga Kragujevci, bashkëpronar i së cilës është kumbarë i Vuçiqit, Nikolla Petroviq. Sipas të dhënave të APR, ajo transferoi ose shiti pjesën e saj të pronësisë tek Petroviq, i cili tani zotëron 60 për qind të kompanisë. Po ashtu, një pjesë e kompanisë “Granit Pesca” nga Ligu ishte në pronësi të Veselinoviqit dhe Petroviqit, por tani gjithçka menaxhohet nga “Nukelus” nga Lazarevaci.

Nga shteti edhe kredi të favorshme

Njëra nga kompanitë e lidhura me Zvonko Veselinoviqin është edhe “C&LC”, e cila vitin e kaluar ka marrë kredi nga Fondi shtetëror për zhvillim, i cili çdo vit jep kredi të favorshme për kompanitë, me qëllim të paktën siç thuhet në faqen zyrtare të këtij institucioni shtetëror, për të ndihmuar në përmirësimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Megjithatë, fondet shkojnë edhe për kompanitë që marrin punë fitimprurëse nga shteti dhe janë pranë qeverisë aktuale të SNS.

Paratë e dhëna në formë kredie variojnë nga 300,000 deri në 250 milionë dinarë, ndërsa normat e interesit shkojnë nga vetëm 1.5 për qind deri në maksimum 2.8 për qind, të cilat janë aq të ulëta sa që këto kredi mund të trajtohen pothuajse si dhuratë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Lajme
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
​KFOR, EULEX e Policia e Kosovës mbajnë stërvitjen e përbashkët 'Golden Sabre 2024'

​KFOR, EULEX e Policia e Kosovës mbajnë stërvitjen e përbashkët 'Golden Sabre 2024'

Lajme
Kalo në kategori