LAJMI I FUNDIT:

Në Holivud shkova me një ëndërr, por e nënvlerësova kulturën toksike që më priste

Në Holivud shkova me një ëndërr, por e nënvlerësova kulturën toksike që më priste

Nga: Kate Wilson / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur isha e re, ëndërroja t’ia dilja mbanë në Holivud dhe të punoja në filma. E magjepsur nga industria e shoubizit, doja të bëhesha producente e madhe dhe të shihja emrin tim në titujt e ekranit të argjendtë. Dhe, disi arrita atje. E bëra udhëtimin prej 8 851 kilometrave, nga Londra në Los Anxhelos, duke ndjekur UCLA-n [Universiteti i Kalifornisë], duke bërë praktikën në një kompani produksioni të njërit që paraqitej si i famshëm i listës A, ndërsa në fund sigurova sponsorizimin për një vizë pune. Më nxorën nga errësira, ma dhanë shansin, ndërsa koha nuk mund të ishte më e mirë, mendova unë, meqë aterrova pak pasi filmi Pulp Fiction i Quentin Tarantinos pati ndikim sizmik në popullaritetin e filmave të pavarur autorialë.

Por, ëndrra ime ishte jetëshkurtër dhe, vetëm tre vjet më vonë, u ktheva në Londrën e ftohtë dhe të lagësht. Ndërkohë që më parë kisha parashikuar orët e detyrueshme me çaj, me leximet e pafundme të skenarëve dhe ndëshkimet që testojnë aftësitë e asistentes për këtë punë – madje edhe premtimet për t’u çlodhur një ditë në tapetin e kuq me yjet e filmit – këto nuk ishin sa duhet bindëse për të arsyetuar kulturën shumë toksike që ishte pjesë e industrisë së asaj kohe.


Bëja sikur qeshja kur eprorët e mi bënin komente për pamjen time ose ndonjë ftesë të sikletshme për darkë, por isha e papërgatitur për atë se në çfarë ekstremi do të shkonin: telefonatat në orët e vona të natës dhe dhuratat të cilat nuk i kam kërkuar – trëndafilat e kuq dhe të brendshmet nga punëdhënësit; burrat në industri që mburreshin se flenë me punonjëse seksi dhe me yje të pornografisë; dhe, një figurë e lartë e industrisë i cili, teksa firmosja kontratën, më tha: “Është si të marrësh përmes postës, nusen me porosi”!

Kur i tregoj këto histori tani, shumëkush vëmendjen e pakëndshme, të padëshiruar seksuale dhe romantike e etiketojnë si ngacmim seksual. “Pse nuk fole?” – pyesin. Në fund të viteve 1990, në një qytet të drejtuar nga Harvey Weinsteini dhe të ngjashmit e tij, unë thjesht nuk e kisha gjuhën për të etiketuar atë që ndodhte – si ngacmim seksual, keqpërdorim, detyrim, manipulim. Çfarë do të kisha thënë, saktësisht? Dhe, kujt do t’ia kisha thënë?

Një herë e përlotur u rrëfeva te një grua në pozitë, për më të keqen nga këto përvoja – për një përplasje që arrinte në sulm fizik dhe seksual – por, më tha se ishte “çështje personale private mes teje dhe atij”. Ashtu si shumë të tjera të cilat më vonë ndien se janë gati që të dalin përpara me #MeToo [fushatë kundër abuzimit dhe ngacmimit seksual], në atë kohë nuk guxoja të ngrija dorën për t’u ankuar – ose ta ngrija zërin mbi pëshpëritje. Nuk besoja se mundem.

Dhe, kështu, u largova pa e kërkuar zgjidhjen alternative. E shihja veten në pozitë të paqëndrueshme dhe si e vetmuar, si e paaftë për të punuar pa e dëmtuar vetëvlerësimin dhe dinjitetin tim. Papritmas, të paarritshme u ndjenë ëndrrat e mia për t’ia dalë mbanë në Holivud.

Edhe pse nuk mund ta kuptoja këtë në atë kohë, eksodi im ishte larg të qenit vetmi. Skenaristet, producentet dhe gratë regjisore që punonim në biznesin e filmit në Los Anxhelos në vitet 1990, do të duhej tashmë të ishim në kulmin e karrierës, duke qenë në krye të listës së meritave dhe duke përgatitur fjalimet tona për çmimet e mirënjohjes. Por, ky është realiteti i shumë pak grave.

Vetëm një në pesë punët më të larta në linjë sot mbahen nga një grua dhe, në historinë e saj 95-vjeçare, vetëm tri gra e kanë fituar çmimin e regjisores më të mirë nga Akademia amerikane e Filmit [Oscar]. Ato prej nesh që ikën nga Hollivudi në atë kohë, të brezit ku historitë tona u heshtën nga kontratat që u dorëzuan si copa letre, bien në sy nga mungesa jonë.

Lëvizja #MeToo na ndihmoi të jemi në qendër të vëmendjes; çdo grua që foli për një të kaluar konfuze dhe shpeshherë traumatike, e dha zërin e vet të protestës për krizën kolektive në lulëzim.

Njëzet e pesë vjet pasi u largova nga Holivudi, e ardhmja e kinemasë është e pasigurt, e hedhur në ujërat e thella dhe të turbullta të publikimeve në internet. Sot kohët janë të rënda për të gjithë në Holivud. Ironikisht, tani kemi një sërë provash të pakundërshtueshme se në përfaqësim janë përmirësuar filmat, se në ekran dhe jashtë ekranit ofrojnë më shumë të ardhura dhe kontribuojnë në një ekonomi më të qëndrueshme dhe me kosto efektive. Është e qartë se industria e filmit përgjatë viteve do të kishte përfituar nga diversiteti më i madh i mendimeve.

Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por kam shpresë për të ardhmen e kinemasë nëse thjesht i hapim dyert e saj të mbrojtura mirë dhe nëse i bindim për rikthim disa nga gratë që dikur ishin shumë të padëshirueshme. /Telegrafi/