LAJMI I FUNDIT:

Macroni është historia, Le Peni është triumfuese: Çfarë bëjnë votuesit “e arsyeshëm” francezë?

Macroni është historia, Le Peni është triumfuese: Çfarë bëjnë votuesit “e arsyeshëm” francezë?

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë gjithë jetës sime të rritur, familja Le Pen ndihej si hije e varur mbi kokën time. Babai Jean-Marie tallej me Holokaustin. Ka qenë parashutist francez në Algjeri, i cili u akuzua për torturimin e të burgosurve. Më pas erdhi vajza e tij Marine, e cila dukej më pak kërcënuese, por më ambicioze. Pastaj mbesa e saj Marion, e cila doli të jetë edhe më reaksionare.

Dukej se ndikimi i Le Penit po rritej, por gjithmonë kisha idenë naive se njerëzit e “arsyeshëm”, si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, nuk do t’i linin kurrë të fitonin. Kjo doli të jetë e vërtetë në vitin 2002, kur Jean-Marie Le Pen arriti në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale: francezët më pas në mënyrë masive votuan për Jacues Chiracun. Doli prapë e vërtetë më 2017 dhe më 2022, kur Marine gjithashtu arriti në raundin e dytë dhe u mund nga Emmanuel Macroni – autsajderi i ri premtues i cili donte të çmontonte vijën ndarëse majtas-djathtas. Nuk është më e vërtetë.


Këtë mëngjes u zgjova në një tjetër vend, në vendin ku klani Le Pen është në portat e pushtetit. Për herë të parë në Francë, një parti politike e së djathtës ekstreme përmes zgjedhjeve mund të fitojë shumicën e përgjithshme të vendeve në Parlament dhe ta çojë figurën kukull, 28-vjeçarin Jordan Bardella, në Kështjellën de Matinjon – në zyrën e kryeministrit në Paris. Rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve të parakohshme legjislative, të thirrura nga Macroni, ishin fitore e qartë për Tubimin Kombëtar – i cili është Fronti i riemërtuar Kombëtar i krijuar nga Jean-Marie Le Pen.

Raundi i dytë i planifikuar për 7 korrik, po kthehet në moment të së vërtetës për politikën franceze – me pasoja të mëdha për vendin, për Evropën, për Ukrainën dhe për shumë çështje të tjera në këtë botë të trazuar. Pyetja e vetme për raundin e dytë është nëse Tubimi Kombëtar do të dalë me shumicë të përgjithshme, gjë që do ta fuste Macronin në një “bashkëjetesë” poshtëruese dhe komplekse: në fenomenin francez ku presidenti dhe kryeministri vijnë nga partitë kundërshtare.

Mënyra e vetme për ta parandaluar shumicën e tillë është që të gjitha forcat e tjera politike të zbatojnë rregullin e thjeshtë: ta tërheqin kandidatin e vet nëse është luftë trikahëshe në zonën e tyre zgjedhore. Kjo do të sillte Parlament të varur, paqëndrueshmëri politike dhe kaos të mundshëm; por, do të ishte më pak e dëmshme sesa ta kesh të djathtën ekstreme në pushtet. Të paktën kështu do të mendonin njerëzit “e arsyeshëm”.

Por, në një vend të polarizuar ku fronti i bashkuar i partive të majta doli i dyti – duke e lënë bllokun qendror të Macronit në vendin e tretë të largët – politika është më e ndërlikuar se kaq. Disa njerëz, me sa duket, kanë më shumë frikë nga e majta sesa nga e djathta ekstreme.

Merreni si shembull gazetën më të vjetër të së djathtës, Le Figaro, e cila i përket familjes Dassault të aeroplanëve luftarakë Rafale: të hënën në mëngjes, kjo gazetë e formatit të madh e shndërroi raundin e dytë në një garë midis Bardellas dhe Jean-Luc Mélenchonit – liderit të lëvizjes së majtë radikale Franca e Papërkulur (LFI), i cili është figura kryesore në aleancën e majtë – por, jo i vetmi.

Mélenchoni është figurë e frikshme për votuesit e krahut të djathtë dhe Le Figaro po u thotë qartë lexuesve të vet se për kë duhet të mos votojnë, duke e shtyrë kështu narrativën e Mitingut Kombëtar në faqen e parë. Ish-kryeministri Édouard Philippe dhe ministri i Financave, Bruno Le Maire, kanë thënë se duan të kundërshtojnë Tubimin Kombëtar, por për shkak të Melenchonit nuk u kanë bërë thirrje mbështetësve për të votuar për ndonjë kandidat tjetër.

Nëse të dielën e ardhshme votuesit ndajnë të njëjtin shqetësim, bulevardi hapet për kryeministrin e parë të ekstremit të djathtë në historinë e fundit franceze – një kërcim ky drejt të panjohurës.

Çfarë shkoi keq? Padyshim që dikush mund të pyesë veten se pse Macroni vendosi të luante me të ardhmen e vendit përmes zgjedhjeve të parakohshme të cilat nuk e kishte asnjë shans për t’i fituar, duke e hapur kështu portën për të djathtën ekstreme. Këtë do t’ua lëmë historianëve, meqë presidenti tashmë është forcë e shpenzuar.

Gjithashtu mund të pyesim veten se pse ky vend, me pasuritë e veta të shumta, ka gjeneruar kaq zemërim dhe pakënaqësi te qytetarët e vet për të prodhuar rezultatin zgjedhor që ka më shumë gjasa të dëmtojë ekonominë dhe kohezionin social, sesa t’i zgjidh problemet reale. Gjithashtu, mund të vëmë në dyshim elitën politike franceze e cila ishte aq e verbër saqë e la të djathtën ekstreme të përparonte në qoshet e mëdha të një shoqërie që ndihej e harruar dhe e përbuzur.

E gjithë kjo është e vërtetë dhe tani diskutohet kudo në Francë – mes miqve, kolegëve dhe në rrethet tona familjare. Të gjithë shikohen në pasqyrë dhe pyesin se çfarë duhet të bëjnë të dielën e ardhshme në raundin e dytë. Së paku do të duhet të mësojmë të jetojmë në një tokë të ndarë ku Tubimi Kombëtar kontrollon qytetet e vogla dhe zonat e gjera të Francës rurale, ndërsa njerëzit “e arsyeshëm” kanë përparësi në qytetet e mëdha, përfshirë Parisin. Kjo është tragjedia e vërtetë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Kalo në kategori