LAJMI I FUNDIT:

Aston Martin bashkohet me yllin spanjoll të garave për të zbuluar një veturë të re sportive

Aston Martin bashkohet me yllin spanjoll të garave për të zbuluar një veturë të re sportive

Prodhuesi britanik i veturave luksoze Aston Martin ka zbuluar modelin e tij të kufizuar ‘Valiant’, duke thënë se pret që dërgesat e tij të fillojnë nga fundi i vitit.

Aston Martin ka zbuluar veturën e re sportive Valiant, të projektuar në partneritet me shoferin spanjoll të garave dhe kampionin dy herë botëror, Fernando Alonso.

Bëhet e ditur se vetura, prej së cilës janë vetëm 38 në botë, mendohet se kushton rreth 2.37 milionë euro.


Marka ka konfirmuar se të gjitha ato janë para-shitur dhe se dërgesat e tyre do të fillojnë në fund të vitit, përcjell Telegrafi.

Fernando Alonso, i cili aktualisht është duke konkurruar për Aston Martin në Formula 1, tha se përvoja e tij e modelit të mëparshëm Valor të Aston Martin e frymëzoi atë të krijonte “një version më ekstrem, të frymëzuar nga veturat e garave, i cili ishte i fokusuar në pistë, duke ofruar gjithashtu një udhëtim emocionues në rrugë”.

Valour, paraardhësi i Valiant, ishte një automjet me edicion të kufizuar i prezantuar për të festuar 110 vjetorin e Aston Martin vitin e kaluar.

Siç raportohet, të 110 makinat, me një vlerë të vlerësuar prej më shumë se 1.4 milionë euro, u shitën brenda dy javësh.

“Besoj se kemi krijuar një kryevepër”, tha Alonso.

Ndryshe, në një përpjekje për të nxitur rritjen e fitimit, Aston Martin po fokuson energjinë në prodhimin e më shumë veturave të reja, që do të thotë se ka ndaluar prodhimin e modeleve të vjetra.

Modeli modern Valiant fuqizohet nga një motor V12 me dy turbo 5.2 litra. /Telegrafi/