LAJMI I FUNDIT:

​Maqedonci: Anëtarësimi në NATO është nevojë urgjente për sigurinë e Kosovës

​Maqedonci: Anëtarësimi në NATO është nevojë urgjente për sigurinë e Kosovës

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se anëtarësimi në NATO është nevojë urgjente për sigurinë e Kosovës.

Sipas tij, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në aspektin e përgatitjes së saj për të qenë pjesë e aleancës veri-atlantike.

Maqedonci në një intervistë për KosovaPress, thekson se avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi madhor për vendin.


Përmes kësaj, ministri Maqedonci deklaron se deputetët kosovarë që do të jenë pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, do të kenë mundësi të paraqesin rezoluta të ndryshme për sigurinë në Ballkan.

“Avancimi i statusit të Kosovës nga anëtar vëzhgues në vend të asociuar, ka rëndësi të madhe për vendin tonë, veçanërisht për Kuvendin e Kosovës. Legjislativi tani e tutje do të ketë mundësi të zhvillojë shumë më shumë aktivitete në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në krahasim me ato që ka pasur mundësi të zhvillojë gjatë kohës sa ka qenë vetëm vend vëzhgues.

Kuvendi i Kosovës, parlamentarët tanë që do të jenë pjesë e Asamblesë së NATO-s, do të kenë mundësi të marrin pjesë në të gjitha takimet e komitetet dhe nën komitetet të NATO-s, do të kenë mundësi të paraqesin rezoluta të ndryshme, të marrin pjesë në amendamentin e rezolutave, të jenë si raportues special të asociuar kur komitetet bëjnë raporte rreth gjendjes së sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.

Maqedonci deklaron se Kosova në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë ka ndërtuar kapacitetet sipas standardeve të NATO-s.

“Kosova ka bërë hapa shumë të mëdhenj në aspektin e përgatitjes së saj për të qenë pjesë e NATO-s. Institucionet tona kanë bërë veprime të vazhdueshme. Pikë së pari Kosova është një vend demokratik, një vend që përfaqëson të gjitha vlerat e vendeve të NATO-s. Në aspektin politik, në aspektin sesi duket shteti i Kosovës ne i kemi të gjitha parametrat që të jemi pjesë e NATO-s. Veçanërisht në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë ne kemi ndërtuar në vazhdimësi kapacitetet mbrojtëse të vendit tonë, sipas standardeve të NATO-s. Ne trajnojmë pjesëtarët e FSK-së sipas standardeve dhe shkollës së NATO-s”, shton Maqedonci.

Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme luftarake për të qenë pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë.

“FSK-ja të gjithë organizimin e saj, strukturën e ka të dizajnuar në atë format që të jetë i mundshëm ndërveprueshmëria më vendet e NATO-s. Ne taktikat që i zhvillojmë në nivel taktik, doktrinën tonë ushtarake dhe të gjitha dokumentet i kemi të sinkronizuara me ato të vendet e NATO-s. Ne përdorim kalibrat e municionit dhe sistemet e armatimit që përdorën në vendet e NATO-s. Kjo i jep mundësi FSK-së që gjatë operimit të përbashkët me vendet e NATO-s, të ketë mundësi e ndërveprimit me ushtritë e vendeve të NATO-s.

FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme si luftarake, ashtu edhe kapacitete të mbështetjes ushtarake për autoritetet civile që janë ato kapacitete që janë parë shumë herë në FSK-në, si deminimi, kërkim shpëtimi që janë kapacitete të gatshme për të qenë pjesë e NATO-s”, thotë Maqedonci.

Krahas sigurisë për Kosovën, ministri i Mbrojtjes thotë se anëtarësimi në NATO do të paraqiste siguri për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk paraqet vetëm siguri për vendin tonë por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Unë vlerësoj se të gjithë Ballkani Perëndimor duhet të përfshihet në NATO, madje edhe Serbinë edhe pse deri tani nuk ka shfaqur as dëshirën më të vogël për të qenë pjesë e NATO-s. Megjithatë, integrimi në NATO do të jetë një hap i rëndësishëm për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe një objektiv strategjik për Kosovën me qëllim që të mbrojë interesat e saj që ndërlidhen me mbrojtjen dhe sigurisë”, përfundon Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes flet edhe lidhur me sulmin në Banjskë, gjersa thekson se grupi i terroristit serb i Milan Radonjçiqit po lëvizë shpesh afër kufirit të Kosovës.

Sipas tij, ky grup paraqet kërcënim për sigurinë e vendit, derisa mbetet i pandëshkuar për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.

Krahas kësaj, Maqedonci thotë se prezenca e madhe ushtarake e Serbisë përgjatë vijës kufitare me Kosovën, stërvitjet e shpeshtuara në brezin kufitar, si dhe militarizimi i Serbisë nga Rusia dhe Kina, janë rrezik për destabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor.

“…Grupi i Banjskës mbetet i pandëshkuar në Serbi, grupi që ka zhvilluar sulmin terrorist me qëllim të aneksimit të një pjese të territorit tonë. Pavarësisht veprimeve të këtij grupi, pavarësisht dëmeve që i ka shkaktuar stabilitetit dhe sigurisë dhe aktit terrorist, vazhdon të mbetet i lirë në territorin e Serbisë.

Nga drejtori i policisë disa herë është theksuar fakti dhe janë prezantuar informacionet për përfshirjen e këtij grupi në përgatitjet e ndryshme brenda territorit të Serbisë. Kjo mban situatën fragjile, të ndjeshme dhe paraqet kërcënim për vendin tonë. Duke i shtuar faktin se ky grup ka qenë i mbështetur nga strukturat e sigurisë së Serbisë, duke marrë parasysh evidencat që janë gjetur, me theks të veçantë sistemet e armatimit që janë përdorur nga ky grup që kanë qenë sisteme të prodhuar në fabrika në Serbi dhe që nuk mundet të blihen në treg komercial…

Fakti që ky grup vazhdon të jetë i lirë në Serbi dhe që lëvizë shpesh afër kufirit të Kosovës, vazhdon të mbetet një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin. Vlen të theksohet se për herë të parë pas 25 viteve në tri vitet e fundit, Policia e Kosovës ka arritur të shtrijë rendin dhe ligjit në veri. Qeveria ka shtrirë sovranitetin në atë pjesë”, thotë Maqedonci./kp/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori