LAJMI I FUNDIT:

Zyrtari i NATO-s në Beograd: Fushata ajrore e vitit 1999 krijoi kornizë të re të sigurisë së përhershme në Kosovë

Zyrtari i NATO-s në Beograd: Fushata ajrore e vitit 1999 krijoi kornizë të re të sigurisë së përhershme në Kosovë

Shefi i Zyrës së NATO-s në Beograd, Giampiero Romano, duke folur për vendimin për fushatën e sulmeve ajrore të NATO-s kundër ish- Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi) në vitin 1999, tha sot se Aleanca “krijoi bazën për ndërprerjen e armiqësive dhe luajti një rol kyç në përfundimin e konfliktit dhe krizës humanitare”.

Gjenerali i NATO-s në Serbi tha se fushata ajrore “krijoi themelet jo vetëm për ndërprerjen e armiqësive, por edhe për një kornizë të re të sigurisë së përhershme në Kosovë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin,” tha gjeneral brigade Giampiero Romano, shefi i Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të Aleancës Veri-Atlantike në Beograd për Zëri i Amerikës (edicioni në serbisht).

Romano saktësoi se vendimi për të ndërhyrë në mars të vitit 1999 është marrë pas më shumë se një viti luftimesh në Kosovë dhe përpjekjeve të pasuksesshme për zgjidhjen e konfliktit në rrugë diplomatike me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.


Gjenerali italian tha se “gjatë viteve ’90-ta, NATO luajti një rol kyç në përfundimin e konflikteve dhe krizave humanitare në rajon.”

Zëri i Amerikës raporton se edhe një çerek shekulli pas ndërhyrjes së NATO-s në RFJ, nuk dihet numri zyrtar i viktimave dhe se Serbia nuk ka publikuar asnjëherë të dhëna për të vdekurit nga pala serbe, ndërsa në opinion është thënë se ishin nga 1200 deri në 4000, transmeton Telegrafi.

Ndërhyrja e NATO-s përfundoi pasi një marrëveshje ushtarako-teknike u nënshkrua më 10 qershor 1999 në Kumanovë. Autoritetet në Beograd ranë dakord për tërheqjen e ushtrisë dhe policisë nga Kosova dhe Kosova u vendos nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s – KFOR u vendosën në Kosovë dhe vazhdojnë të jenë atje.

“Mandati i misionit paqeruajtës NATO – KFOR, i krijuar në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 1999, është të mundësojë lirinë e lëvizjes dhe një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Romano, duke theksuar se prania e forcat paqeruajtëse në Kosovë kanë qenë për më shumë se dy dekada treguesi më i dukshëm i përkushtimit për siguri të përhershme.

Ai tregoi se Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e ka përsëritur këtë gjatë vizitës së tij në rajon në nëntor të vitit të kaluar.

Romano tha se situata në Kosovë është e qetë, por ende e ndjeshme, dhe vuri në dukje se “për shkak të tensioneve të shtuara në Kosovë vitin e kaluar, KFOR-i ka rritur praninë e tij, që përfshin vendosjen e trupave dhe patrullave shtesë”.

Romano theksoi se NATO-ja mbështet procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Të gjitha palët duhet të përmbahen nga lëvizjet dhe retorika që shkaktojnë tensione dhe ndarje. Është e nevojshme të angazhohemi në dialog me mirëbesim me mbështetjen e BE-së, e cila është e vetmja rrugë drejt sigurisë dhe stabilitetit të përhershëm në rajon. Siç tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg: ‘Stabiliteti varet nga vendimi i palëve për të zgjedhur dialogun dhe diplomacinë në vend të konfliktit dhe dhunës’”, citoi gjenerali italian.

 Shefi i zyrës së ndërlidhjes ushtarake të NATO-s në Beograd tha se marrëdhëniet midis Aleancës dhe Serbisë kanë “përparuar ndjeshëm” krahasuar me vitet 1990. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Siguri
Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Lajme
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar

Kronika e Zezë
Kalo në kategori