LAJMI I FUNDIT:

Muaji i Ramazanit kufizon lëvizjet e qytetarëve të Kosovës në Shqipëri

Muaji i Ramazanit kufizon lëvizjet e qytetarëve të Kosovës në Shqipëri

Kjo fundjavë ishte ndër më të qetat përsa i përket hyrje-daljeve në pikën e përbashkët kufitare të Morinit. Shumë pak qytetarë e automjete kanë lëvizur nga Kosova drejt Shqipërisë por edhe anasjelltas.

Kjo periudhë përkon edhe me muajin e shenjtë të Ramazanit e sigurisht një numër i madh qytetarësh janë me agjërim dhe kufizojnë lëvizjet.

Sipas të dhënave të policisë kufitare, gjatë 24 orëve të fundit, përmes pikës së kalimit kufitar në Morin kanë hyrë në territorin e Shqipërisë më shumë se 7680 shtetas me rreth 4500 automjete, ndërsa në dalje janë regjistruar 9100 shtetas me rreth 5000 automjete.


Në fakt, fluksi i lëvizjeve përgjatë gjithë fundit të muajit shkurt dhe dy javëve të para të marsit ka qenë më i ulët se e njëjta periudhe e vitit të kaluar, duke mos krijuar as kolona të gjata apo pritje në kufi.

E gjithë kjo periudhë tre javore, në fakt përkon edhe me devijimin e trafikut nga rruga e kombit në qytetin e Kukësit, për shkak të punimeve për zhvendosjen e urës së re mbi Drin, punime të cilat janë drejt fundit, por gjatë gjithë kësaj periudhe nuk pati probleme përsa i përket qarkullimit të mjeteve në rrugët e përcaktuara qoftë unaza e qytetit për mjetet e transportit të mallrave por edhe rruga përgjatë pedonales së qytetit e destinuar për automjetet e përdorimit vetjak e publik.

Ngarkesa në këto akse rrugore, pavarësisht fluksit është përballuar më së miri duke mos krijuar radhë, apo edhe incidente të mundshme.

Për garantimin e lëvizjeve në këto akse dhe sigurisht edhe për të orientuar e menaxhuar trafikun u angazhuan patrullat e lëvizshme të policisë rrugore, policia bashkiake dhe pika stacionere të policisë.

Tashmë edhe punimet për montimin e urës në bazamentet përfundimtare janë në ditët e fundit, e sigurisht do të duhet shumë punë deri në mesin e muajit qershor, afat i përcaktuar për përfundimin e plotë dhe vënien në funksion të urës së re mbi Drin./RTSH