LAJMI I FUNDIT:

“Atje ku vajzat janë të nxehta si llava”: Shkrimi në revistën suedeze, që tronditi PPSh-në

“Atje ku vajzat janë të nxehta si llava”: Shkrimi në revistën suedeze, që tronditi PPSh-në
Ilustrim

Gjetkë nëpër botë, do të quhej një aventurë e padëmshme. Por, jo në Shqipërinë e vitit 1988, ku reportazhi i turistit suedez për netët e “zjarrta” në shoqërinë e një shqiptareje, do të shkaktonte një tërmet të vërtetë. Turisti suedez, autor i shkrimit Atje ku vajzat, janë më të nxehta se llava, ka vizituar Sarandën gjatë vitit 1988. Ishin disa syresh në atë kohë që ia dilnin të siguronin vizë, ndaj edhe regjimi e kishte të pamundur ta identifikonte të huajin e aventurës së rrezikshme. Në këtë shkrim, i cili mbërriti në Tiranë nëpërmjet Ambasadës së Shqipërisë në Stokholm, mungonte emri i autorit. Ai përshkruan me detaje vizitën e tij në qytetin e Sarandës, ku qëndroi disa ditë e ku u njoh në hotel me një vajzë shqiptare që punonte aty. Sipas shkrimit dhe fotos nudo të publikuar, vajza quhej Ana dhe nga pamja ishte tepër ezmere. Përshkruhej në detaje sesi u njohën rastësisht dhe pas disa fjalëve ai e fton Anën në dhomën e vet. Po sipas shkrimit, Ana shkon në dhomën e turistit suedez ku kalon atje gjithë natën. Autori në fund të shkrimit shpjegon me hollësi marrëdhëniet intime që pati me vajzën shqiptare, pa e ditur se historia e tij erotike nga Shqipëria do të fuste në hall të madh autoritetet e vendit më të izoluar të Evropës.

Në vitin 1988, vendi më stalinist i Evropës nuk jepte as shenjën më të vogël të devijimit nga rruga e Enver Hoxhës. Ndaj, edhe mund të imagjinohet skandali që shkaktoi në Tiranë shkrimi intim i turistit suedez i formatit të revistave rozë. Për të gjetur personazhet e asaj aventure “mëkatare”, në një hotel të Sarandës, nuk do të ishte fare e lehtë. Duke e ditur se me ç’vend kishte të bënte, suedezi kishte fshehur veten dhe identitetin e vajzës shqiptare me të cilën kishte kaluar natën, duke i vendosur edhe asaj një emër të rremë, në mënyrë që të mos ishte nën vrojtimin e autoriteteve të kohës nëse ata mund ta kërkonin.

Raportimet nga Shqipëria në mediat e huaja, edhe më të parëndësishmet, në atë kohë analizoheshin shumë dhe deri në detaje, pasi i vetmi burim nga brenda vendit ishte informacioni zyrtar që vinte nëpërmjet kanaleve legale, si ATSh-ja apo radiot në gjuhë të huaja të cilat, gjithsesi, i përmbaheshin fort formatit të mërzitshëm komunist.


Vendi në këto vite kishte hyrë në një izolim të thellë dhe PPSh-ja i kishte shpallur luftë pa kthim të gjithë botës. Në këtë sfond historik, shkrimi i turistit suedez në Shqipëri do të ngrinte në këmbë ambasadën e Shqipërisë në Stokholm, Ministrinë e Punëve të Jashtme e atë të Punëve të Brendshme. Të gjithë u vunë në kërkim të Anës. Materiali në fjalë, kaloi në duart e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka, i cili do ta kishte të pamundur të gjente dhe përcaktonte se cila ishte vajza nga Saranda që kishte kaluar një natë me suedezin. Historia e kësaj ngjarje shkon edhe më tej. Materiali i përcillet më 8 mars 1988, ministrit të Punëve të Brendshme të kohës, Simon Stefanit, një ndër drejtuesit më të lartë komunistë – njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili konsiderohej si një nga njerëzit më fanatik e të indoktrinuar që kishte pasur ndonjëherë udhëheqja e lartë e PPSh-së gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri. Stefani, ndoshta ndër ministrat më të jetëshkurtër që njeh historia e shtetit shqiptar, u alarmua nga informacioni dhe i kërkoi ndihmësit të tij, Zylyftar Ramizit, të hetonte dhe të gjente me çdo kusht se cila ishte vajza në revistën suedeze. Jo vetëm kaq, por për regjimin komunist ishte e patolerueshme edhe pamja e vajzës e fokusuar nga suedezi: e uritur, me një mollë në dorë.

Ndërkaq, do të nisin hetimet nga Dega e Punëve të Brendshme në Sarandë për gjetjen e vajzës. Merren në pyetje njerëz të dyshuar. Të gjitha të dyshuarat, punonjëse në hotel, ishin femra me një jetë normale. Fillon krahasimi i fotove me revistën. Asgjë nuk del në dritë. Fillojnë prapë hetimet dhe ngërçi është po ai. Vajza nuk ishte punonjëse hoteli, por një femër nga pjesët inferiore të popullsisë së vendit. Kishte kaluar një natë me të dhe kaq. Turisti suedez në fakt i kishte futur në lojë të gjithë zyrtarët e Shqipërisë.

Ambasada e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Stokholm, ka qenë vigjilente në rastin e botimit të këtij shkrimi. Ajo menjëherë ka bërë përkthimin përgjithësues të materialit, pa hyrë në gjërat e turpshme, dhe këtë ia ka postuar Ministrisë së Punëve të Jashtme. Për eprorët e tij në Tiranë, ambasadori shqiptar në Suedi, shkruan: “Revista e përmuajshme suedeze ‘Stop Weekend’, nr.10/1988, me 45 mijë kopje, në lidhje me vendin tonë, boton shkrimin: ‘Atje ku vajzat janë të nxehta, si llava’”. /Memorie.al/

Në trend Kultura

Më shumë
Qyteti më i vjetër në botë!

Qyteti më i vjetër në botë!

Kulture
Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Kulture
Disa shënime mbi traditën moderne greke

Disa shënime mbi traditën moderne greke

Fjala+
Në nder të Sylvia Plathit

Në nder të Sylvia Plathit

Analiza
NJË PYETJE

NJË PYETJE

Poezi

"Koha e kometës" dhe "Heshtja e Lornës" në Selanik

Kultura
Kalo në kategori