Pasi ish-ministri i Shëndetësisë u emërua në krye të Agjencisë që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, prokurorët dyshojnë se ai dhe vartësit e tij ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive.
Gzona është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë.
I drejtuar nga një shef kuzhine që mori famë prej shfaqjes së tij në emisionin ‘Masterchef’, restoranti premton një evolucion të traditës, me pjata të tilla si byreku me qepë-domate, tru viçi me lulelakër në qymyr si dhe njoki panxhari me djathë mishavinë.
Restoranti frekuentohet nga njerëzit më të pushtetshëm në kryeqytet, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, si dhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian – përfshirë ish-ambasadorin Luigi Soreca dhe shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Megjithatë, prokurorët shqiptarë dyshojnë se pas listës së shquar të klientëve dhe artit të kuzhinës, restoranti fsheh një skemë korruptive me fatura fiktive për të keqpërdorur fondet e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian.
Në qendër të kësaj skeme dyshohet se qëndron Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë që drejtonte deri në dhjetor Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, dhe Ermal Kurtulaj, koordinator i programit ‘USAIR Facility Point’ të financuar nga Bashkimi Evropian.
Si pjesë të hetimit, Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH, ndërmorri më 27 dhjetor një seri bastisjesh të banesave, bizneseve, automjeteve, si dhe kontrollin personal për tetë të dyshuar, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj dhe shoferin e tij, Arben Dani.
Kontrollin në banesë e konfirmoi për gazetarët vetë Beqaj, i cili u paraqit në SPAK në të njëjtën ditë për shkak të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij sa i përket hetimeve për aferën e sterilizimit të pajisjeve mjekësore – një çështje paralele ku ish-ministri dyshohet për shpërdorim detyre.
“Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty,” tha Beqaj për gazetarët jashtë dyerve të SPAK.
Avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj po ashtu konfirmoi kontrollin për mediat dhe shtoi se ishin sekuestruar dokumente, kompjuterë dhe telefonat celularë dhe konfirmoi se veprimet hetimore lidheshin me rolin e ish-ministrit si drejtues i SASPAC.
Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për t’i caktuar atij masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat mbi aferën e sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni i tij si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Kurtulaj nuk ishte i arritshëm për koment.
Interesa pasurore të fshehura
Restoranti Gzona është në pronësi të kompanisë “Albanian Food and Hospitality Lab”, e themeluar në janar të vitit 2019 nga bashkëshortja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Adriana Beqaj dhe Arti Malaj.
Në mars 2019, Adriana Beqaj i fali 35% të aksioneve ortakut të saj Malaj dhe në janar 2020 i shiti atij edhe 15% të aksioneve të mbetura. Në vitin 2022, kompania u shit tek Eduard Curraj, administrator i një distributori të madh farmaceutik, Delta Pharma.
Megjithëse Adriana Beqaj i dhuroi dhe i shiti aksionet e saj në kompaninë “Albanian Food and Hospitality Lab” në janar 2020, bazuar në përgjimet telefonike të realizuara nga Prokuroria në dhjetor 2023, ngrihen dyshime se ish-ministri Beqaj vazhdon të ketë interesa pasurore në restorantin Gzona. Në këto përgjigjime, Beqaj përdor telefonin e shoferit të tij, Arben Dani për te komunikuar me vartësin e tij, Ermal Kurtulaj në mënyrë që të lidhet me administratorin e restorantit, Gazmend Prenga.
Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me Ilir Beqajn që datojnë në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+, duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikeqyrës ka qenë vetë shtetasi Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e agjencisë SASPAC, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.
Po ashtu, rezulton se shtetasi Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme një automjet luksoz të modelit Audi A8, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, i cili rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Ermal Kurtulaj, duke u ngritur dyshime se mjeti mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit të Shëndetësisë.
Nga këqyrja në sistemin E-Gjoba, prokuroria vëren se ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qenë Arben Dani, nga të cilat e fundit rezulton të jetë marrë me 12 dhjetor në momentin kur mjetin e ka patur në përdorim Ilir Beqaj dhe është parkuar përpara SPAK. Ish-ministri paraqitet çdo javë në Prokurori për shak të masës detyrim paraqitje si pjesë e hetimit të sterilizimit.
I pyetur për Ermal Kurtualajn, ish- ministri deklaroi të premten se e njeh prej shumë vitesh dhe prej punës në SASPAC.
“Ermal Kurtulajn e njoh prej 15 vitesh,” tha ai. “Që nga maji i 2022 ka punuar në një projekt që ndiqej edhe nga SASPAC-u,” shtoi Beqaj.
Nga përgjimi i komunikimeve të kryera nga Prokuroria ka rezultuar se Ermal Kurtulaj rezulton i përfshirë në punët e restorantit Gzona. Ai interesohet vazhdimisht për mbarëvajtjen e këtij restoranti, duke vepruar si epror ndaj administratorit të restorantit, Gazmend Prenga dhe në ditët e fundit të dhjetorit, ka disa komunikime ndërmjet tyre në lidhje me rakordimet ndërmjet investimeve të kryera mbi këtë restorant përgjatë vitit dhe me faturat e lëshuara për atë.
“Nga komunikimet e kryera dyshohet se personi nën hetim, Ermal Kurtulaj vepron në këtë restorant për llogari të shtetasit Ilir Beqaj, dyshime të cilat ngrihen nga mënyra se si komunikohet dhe veprohet nga ana e këtyre subjekteve, duke shmangur çdo përfshirje të këtij shtetasi (Ilir Beqaj) si me administratorin ashtu me ortakët dhe duke i mbajtur komunikimet dhe rakordimet e takimeve nëpërmjet shtetasit Ermal Kurtalaj,” shprehet prokurorja Elida Kaçkini në kërkesën “Për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve” drejtuar Gjykatës së Posaçme.
Në dalje nga SPAK të premten, Ilir Beqaj mohoi të kishte akoma interesa financiare mbi restorantin.
“Lokali Gzona nga shkurti i vitit 2020 nuk ka asnjë lidhje financiare me familjen time,” tha ai. “Bashkëshortja ime është larguar para 4 vitesh dhe nga e gjithë puna, ka marrë 1.5 milionë lekë të vjetra,” shtoi Beqaj.
Gzona me fondet e BE-së
Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, u themelua nga Këshilli i Ministrave në tetor të vitit 2021, ndërsa kryeministri Edi Rama emëroi në krye të Agjencisë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Roli i kësaj agjencie është që të koordinojë veprimtarinë dhe programet kombëtare dhe rajonale të asistencës financiare të Bashkimit Evropian, si dhe të monitorojë zbatimin e tyre. Një ndër programet që SASPAC menaxhon dhe monitoron është programi ‘USAIR Facility Point’, i cili është një projekt strategjik i 9 (nëntë) partnerëve në tetë vende, me qëllim mbështetjen e proceseve të zbatuara në kuadër të bashkëpunimit makro -rajonal të rajonit Adriatiko-Jonian.
Koordinator i këtij projekti është emëruar shtetasi Ermal Kurtulaj, i cili konsiderohet si lehtësues që mbështet Koordinatorin Shtetëror të SASPAC, Ilir Beqaj në përmbushjen e detyrave të tij.
Sipas SPAK, rreth orës 4 pasdreke më 16 gusht 2023, shoqëria tregtare ‘Landways International’ ka lëshuar një faturë me përshkrimin ; kontratë shërbimi’ dhe vlerë 149,809.21 euro kundrejt programit EUSAIR të drejtuar nga Kurtulaj. Disa minuta përpara, restoranti Gzona i ka lëshuar kësaj kompani një faturë me vlerë 4,18 milionë lekë dhe përshkrim shërbime kateringu.
Fakti që faturat janë lëshuar pak minuta pas njëra-tjetrës, krijon dyshimin e arsyeshëm “që paraprakisht palët kanë biseduar me njëri-tjetrin dhe që shuma përbën përfitim material, korrupsion që shoqëria tregtare Landëays ka paguar ndaj Gzonës, për shërbimin që ajo ka përfituar për të kryer nga Eussair-i.”
Prokuroria ngre pikëpyetje se një rast i ngjashëm i restorantit është regjistruar me shoqatën ‘Foreign Investors Association of Albania’ (FIAA). Sipas faturave rezulton projekti Eusair ka lëshuar faturë shitje ndaj FIAA me 17 gusht 2023, ora 15:40:55, në vlerën 22,000 Euro dhe kjo shoqatë ka lëshuar 25 minuta më vonë, faturën me vlerë 350,000 lekë kundrejt restorantit “Gzona”.
Për të transferuar fondet e projektit USAIR drejt restorantit ‘Gzona’ duke humbur gjurmët janë përdorur dhe fatura të lëshura nga biznese të tjera kulinare. Nisur nga komunikimi i përgjuar me 11 nëntor midis Ermal Kurtulajt dhe administratorit të restorantit Me’NAM diskutohet transferimin i një vlere prej 325 mijë lekësh nëpërmjet faturave fiktive.
“Këto fatura… i përkasin restorantit “Gzona” dhe këto veprime janë kryer për qëllime që të fshihet lidhja me Gzonës dhe shtetasit Ilir Beqaj, që është dhe vetë drejtori i SASPAC-ut që monitoron këto projekte,” thekson prokuroria.
Fatura fiktive dhe konflikt interesi
Sipas Prokurorisë së Posaçme, koordinatori i ‘USAIR Facility Point’, Ermal Kurtulaj dyshohet si personi kyç në skemën korruptive për keqpërdorimin e fondeve të BE-së nëpërmjet faturave fiktive. Sipas SPAK, ai është përfshirë në veprime korruptive nëpërmjet kërkimit dhe pranimit të lëshimit të faturave fiktive nga subjekte të ndryshme tregtare dhe OJF, duke vendosur vlera fiktive në faturime me qëllim përftimin personal.
Nga përgjimet telefonike, Prokuroria shprehet se Kurtalaj ka kërkuar dhe siguruar dy fatura fiktive me vlerë 51,800 euro edhe nga shoqëria “Nine Services Int”, që ka si objekt të aktivitetit të saj “Shërbime dhe konsulencë në aktivitete sportive” – në veçanti në sportin e futbollit.
Kurtulaj është përgjuar duke kërkuar dhe siguruar fatura fiktive nga disa shoqëri tregtare në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë si dhe fatura konsulence nga persona fizikë me vlerë dhjetra mijëra euro. Në një rast, Kurtulaj është vëzhguar nga prokuroria duke marrë atë që në dukje kuptohet si ryshfet nga administratorja e një prej bizneseve që lëshonte fatura fiktive.
Sipas Prokurorisë, nga të dhënat e administruara deri në këtë fazë të procedimit, shtetasi Ermal Kurtulaj rezulton se përfshihet edhe veprime të tjera më punonjës të Agjencisë, konkretisht me shtetasen Mira Topçiu, nëpunëse financiare pranë SASPAC, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin kryejnë po ashtu veprime me të njëjtën natyrë, ku në të paktën një rast rezulton dukshëm marrja e përfitimit për një shërbim të prokuruar si qira salle dhe shërbim kateringu.
Përveç këtij fakti, rezulton se të dy këta persona kanë të regjistruar në emër të tyre OJF dhe person fizik, të cilat kryejnë veprime me njëri-tjetrin po në funksion të veprimtarisë së tyre shtetërore, duke qenë kështu edhe në konflikt interesi.
Mira Topçiu nuk ishte e arritshme për koment./Reporter.al
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Mbahet seanca gjyqësore për rastin "Kobra", ai thotë se nuk ndihet fajtor
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Arrestohen 18 persona në Prizren për bixhoz të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje