LAJMI I FUNDIT:

Macet në Amsterdam pritet të kenë një zile në qafë

Macet në Amsterdam pritet të kenë një zile në qafë

Në një nismë të re për të rritur sigurinë e kafshëve në qytet, Amsterdami po planifikon t’u kërkojë pronarëve të maceve që t’u varin një zile në qafë kafshëve të tyre kur dalin jashtë, për të paralajmëruar zogjtë dhe kafshët tjera për praninë e tyre.

Ky propozim përfshihet në një plan sigurie që kryeqyteti holandez të jetë “miqësor ndaj kafshëve”.

Macja është një nga kafshët e pakta që lejohet të bredh rrugëve pa mbikëqyrje, pavarësisht se përbën rrezik për zogjtë.


Sipas studiuesve të Universitetit Wageningen, macet shtëpiake vrasin rreth 18 milionë zogj në vit.

Përpjekje të shumta janë bërë ndër vite për të frenuar problemet e shkaktuara nga macet shtëpiake.

Në vitin 2021, fondacioni holandez Huiskat Thuiskat, u përpoq të detyronte qeverinë të marrë masa kundër njerëzve që i lënë macet të bredhin lirshëm jashtë, por pa sukses.

Fondacioni e ka mirëpritur masën për zilet, por sipas hulumtimeve ky veprim nuk do të ndikoj shumë në reduktimin e gjahut të maceve.

Me rreth 2,9 milionë mace shtëpiake në vend, dhe 60 mijë prej tyre të raportuara të zhdukura çdo vit, kujdesi për kafshët shtëpiake i kushton qeverive lokale 4,8 milionë euro në vit. /Telegrafi/