LAJMI I FUNDIT:

Nga Bentley Continental GT e deri të Ferrari 458, policia turke me flotë të veturave luksoze të sekuestruara

Nga Bentley Continental GT e deri të Ferrari 458, policia turke me flotë të veturave luksoze të sekuestruara

Policia e Dubait njihet për flotën mbresëlënëse të veturave me performanca të larta, por edhe Turqia ka me çfarë të lavdërohet.

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya, ka shfaqur fotografitë e mbi 20 veturave sportive, super-vetura dhe SUV të cilat janë sekuestruar dhe shndërruar në vetura të policisë, transmeton Telegrafi.

Policia turke sekuestroi në total 23 vetura në mesin e të cilave Bentley Continental GT, Porsche Taycan, Ferrari 458, Volkswagen Golf R, Range Rover Sport dhe Mercedes-Benz GLS.


Vlera e përgjithshme e këtyre veturave kap shumën e rreth 3.5 milionë dollarë.

Daily Telegraph shkruan se veturat janë marrë nga kontrabanduesi i drogës Hakan Ayik, që ishte lider i bandës së motoçiklistëve Comanchero me seli në Australi.

Pasuria e tij është vlerësuar në miliarda dollarë. Megjithatë ai dhe 36 bashkëpunëtorët e tij janë arrestuar në Stamboll muajin e kaluar.

Ministri Yerlikaya ka thënë se të gjitha veturat i janë dorëzuar policisë, dhe do të përdoren si vetura të njësive të trafik të policisë turke. /Telegrafi/