LAJMI I FUNDIT:

Politika në Maqedoni zhvlerëson punën e Komisionit Antikorrupsion

Politika në Maqedoni zhvlerëson punën e Komisionit Antikorrupsion

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut po përfundon mandatin pesëvjeçar me sfida të shumta, rekomandime, konstatime, e vërejtje mbi punën e shumë institucioneve shtetërore, por pa ndonjë epilog konkret nga organet e ndjekjes penale, apo të organeve tjera përgjegjëse për shqyrtimin e raportit të këtij komisioni.

Kuvendi maqedonas ka shpallur konkurs për zgjedhjen e përbërjes së re të Komisionit, që duhet të nisë me punë në shkurt të vitit 2024. Mirëpo, anëtarë të komisionit aktual, si dhe ekspertë të kësaj fushe, ngrenë dilemën nëse ky komision duhet të ekzistojë duke marrë parasysh se vendimet e tij nuk kanë epilog nga organet gjyqësore dhe të pushtetit ekzekutiv.

Gjatë vitit 2022, Komisioni Antikorrupsion ka pranuar 698 denoncime për shpërdorim të detyrës zyrtare apo shkelje të tjera ligjore, ka ngritur 127 iniciativa në fusha të ndryshme, ndërsa ka inspektuar pasurinë e 55 bartësve të funksioneve publike dhe, me këtë rast, ka miratuar 1056 vendime.


Më shumë parashtresa apo denoncime ka për korrupsionin, gjithsej 583 sosh, për konflikt të interesit janë 145 dhe për organet gjyqësore 81 parashtresa.

Por, thuajse asnjë prej tyre ende nuk ka marrë epilog apo janë në procedurë të shqyrtimit.

Pa epilog ka edhe qindra lëndë të tjera nga raportet e viteve të kaluara.

“Format e këtilla të organizimit janë të shkruara mirë në letër, por në praktikë nuk funksionojnë. Dhe, unë mendoj se meqë kemi përkeqësim, kemi kthim pas, nuk kemi progres, atëherë duhet seriozisht të mendohet se funksionimi i tillë i institucioneve, të cilat vetëm harxhojnë para të buxhetit dhe duke e bërë punën si në përralla apo të shkruhet diku vetëm sa për t’u mbajtur mend, është e kotë, e palogjikshme”.

“Shkelen ligjet në mënyrë absurde. Kemi raste kur një vendim në prokurori nuk sillet dy, tre apo katër vjet dhe kjo tregon se ka humbur kuptimi i preventivës në këtë rast”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit Antikorrupsion.

Ky komision disa herë kishte kërkuar vërtetimin e përgjegjësisë për zyrtarë të Qeverisë për shpërdorim të detyrës, përfshirë zëvendëskryeministrin Artan Grubi, për pasurinë e tij, përdorimin e makinës zyrtare për qëllime politike, por edhe të kabinetit të tij për pritje partiake, por në vend të masave, komisioni u përball me akuza “për mungesë kapaciteti për luftimin e korrupsionit”.

Për mungesën e rezultateve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si pasojë e ndërhyrjes së politikës, ka folur edhe Dragan Malinovski, njohës i çështjeve juridike dhe ish-anëtar i Komisionit Antikorrupsion.

“Problemi te ne qëndron në mungesën e vullnetit politik. Kjo nuk po ndodh tani, por ka vite të tëra dhe lufta kundër korrupsionit gjithmonë ka qenë vetëm deklarative. Nevojitet një konsensus nga partitë që njëherë e përgjithmonë të heqin duart nga puna e komisionit dhe ta kuptojnë se luftimi i korrupsionit është imperativ”, ka deklaruar Malinovski.

Mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit është theksuar edhe në raportin e Komisionit Evropian.

Raporti ka lavdëruar punën e Komisionit, por ka drejtuar kritika të ashpra në adresë të institucioneve për mosmarrjen në konsideratë të punës së komisionit dhe procedimin e rasteve për keqpërdorim të detyrës nga zyrtarët.

Komisioni Evropian rekomandon që Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit të zbatohet plotësisht dhe Komisioni Antikorrupsion të forcojë më tej kapacitetin për të nxitur iniciativa para autoriteteve kompetente, duke identifikuar shkeljet e mundshme të paraportuara ende në media.

“Nëse nuk kemi epilog për rastet që iniciohen nga Komisioni Antikorrupsion, nëse nuk kemi efekt në shoqëri, është e kotë që komisioni të punojë në mënyrë të drejtë”, ka thënë Malinovski duke komentuar raportin e KE-së.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit numëron shtatë anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, ndërsa ka të angazhuar edhe 40 persona të tjerë, për punën e të cilëve ndahet një buxhet vjetor prej mbi 750 mijë eurosh./REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori