LAJMI I FUNDIT:

Bytyqi-Gabriel: Hekurudha deri në kufirin bullgar është në fazën përfundimtare

Bytyqi-Gabriel: Hekurudha deri në kufirin bullgar është në fazën përfundimtare

Zv. kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi ka takuar Bjorn Gabrielin, nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) në vend, thuhet në njoftimin e shtypit të qeverisë.

“Bytyqi dhe Gabrieli diskutuan për mbështetjen që BEI vazhdimisht i jep Maqedonisë së Veriut, përmes realizimit të projekteve që janë me interes jetik për qytetarët tanë.


Në takimin e sotëm theksi u vu në realizimin e impiantit të trajtimit në Shkup, si dhe në renovimin dhe rehabilitimin e infrastrukturës së ujësjellësit në të gjitha komunat tona ku është e nevojshme.

Bashkëbiseduesit ndanë edhe informacione për realizimin e seksionit të fundit të korridorit hekurudhor VIII/lindje, nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Republikën e Bullgarisë, i cili tani është në fazën përfundimtare, por u diskutua edhe për një projekt të ri potencial për infrastrukturën rezistente të klimës e cila do të financohet nga fondi i gjelbër i klimës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, BEI, si partner afatgjatë i vendit, ka investuar rreth 1,1 miliardë euro në Maqedoninë e Veriut që nga viti 1991, kryesisht për të mbështetur infrastrukturën kryesore të transportit dhe për të ndihmuar në sigurimin e furnizimit me energji dhe sigurisë./Telegrafi/