LAJMI I FUNDIT:

Ramadani: Skenarin e Donetsk-ut për veriun e Kosovës e paralajmërova 5 vite më parë

Ramadani: Skenarin e Donetsk-ut për veriun e Kosovës e paralajmërova 5 vite më parë

Eksperti i çështjeve të sigurisë dhe ish-Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, përmes një shënimi në Facebook ka thënë se veprimet destabilizuese të Serbisë në stilin e Donbasit i kishte paralajmëruar qysh në vitin 2018.

Ai ka shpërndarë një shkrim të asaj kohe, ku kishte paralajmëruar rrezikun e skenarit të Donetsk-ut për veriun e Kosovës.

“Një skenar i Donetsk-ut më duket se është më i rrezikshëm nëse replikohet në rastin e Kosovës, përkatësisht në zonat e banuara me serbë të Kosovës, me theks të veçantë në komunat e veriut”, kishte shkruar Ramadani.


Ai thotë se narrativi politik i ankesës, alarmit për gjoja katastrofë humanitare, vajtimit hipokrit, letrave të panumërta drejtuar shteteve e organizatave, mbajtjes në gatishmëri të forcave të armatosura, ndikimit përmes presionit ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së për të lëshuar Forcën dhe për të qëndruar të lidhur mes vete, ushtrimeve të fokusuara në mision për forcat e armatosura dhe njësitë tjera të sigurisë, portretizimi i Serbisë si faktori stabilizues dhe konstruktiv, si dhe portretizimi i gjithçkaje në Kosovë si axhendë kundër serbëve të Kosovës dëshmon për një strategji bazuar në metodologji ruse.

“Për më tepër, sigurisht që është krejtësisht e dallueshme se mbështetja ruse për këtë narrativ dhe këto veprime”, kishte shkruar Ramadani.

Ramadani thotë se në secilin nivel politik e të sigurisë, mbështetja ruse është qartësisht e institucionalizuar.

“Vizita e paralajmëruar e Presidentit autokratik rus Putin në Serbi, në mesin e janarit 2019, duket sheshazi se është një pikë mjaftueshëm kulmore e mbështetjes në këtë metodologji armiqësore.

E ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish tashmë ka kaluar të gjithë kufijtë e Ballkanit, duke shërbyer në të njëjtën kohë edhe si Qendër e aktiviteteve armiqësore” kishte shkruar Ramadani në një shkrim të dhjetorit të vitit 2018./Telegrafi/