Presidentja Osmani ishte falënderuese për angazhimin e misionit të NATO-s, KFOR, sidomos kohëve të fundit, pas sulmit terrorist nga kriminelët serbë.

E para e shtetit ofroi një sërë argumentesh bindëse se ai akt terrorist ishte e mbështetur nga Serbia, duke përmendur llojin e armatimit, si dhe një sërë elementesh të tjera, që lidhin drejtpërdrejt shtetin serb me këtë agresion ndaj Kosovës.


“Së pari ata njerëz ishin të trajnuar nga ushtarakët serbë. Pastaj, armatimi, të cilën kishin përdorur ata njerëz, janë të prodhimit serb. Disa nga armët ishin të prodhuara në 6 javët e fundit”, tha, mes tjerash, presidentja Osmani.

Ndërsa e pyetur për mundësinë e ndikimit rus në veri të Kosovës, presidentja Osmani tha se është e mundur përfshirja e Rusisë gjithandej, ndërsa vuri në pah deklarimet e zyrtarëve rusë lidhur me gjendjen në rajon duke thënë se Rusia është në gjendje ta ndihmojë Serbinë në çdo formë të mundshme.

Më tej, e para e shtetit ftoi vendet demokratike të qëndrojnë të bashkuara rreth Kosovës. Ajo tha se mbrojtur popullin e Kosovës, pavarësisht përkatësive etnike, mbrojnë vlerat demokratike, ngase, siç u shpreh ajo, hegjemonizmi dhe shtetet diktatoriale janë kërcënim për demokracinë.

Tutje presidentja Osmani foli për Policinë e Kosovës, e cila, siç tha ajo, u tregua e shkëlqyer në aksionin kundër terroristëve serbë në Banjskë të Zveçanit. Ajo edhe njëherë përsëriti se Policia e Kosovës është e para në marrjen e përgjegjësisë në sigurinë e vendit, pastaj EULEX, për të arritur te KFOR-i.