LAJMI I FUNDIT:

Çfarë i ndodh trupit nëse bëni shumë ushtrime, por nuk ushqeheni mirë

Çfarë i ndodh trupit nëse bëni shumë ushtrime, por nuk ushqeheni mirë
GettyImages

Ndoshta, ju bëni vrap 30 deri në 40 kilometra në javë, por në darkë hani çfarë t’ju dalë para. Mund të mbani një regjim të rregullt ushqimor nga e hëna në të premte, por kur vjen fundjava dorëzoheni!

Hani darka jashtë me miqtë, nuk kurseheni me patatinat apo pijet me gaz sepse e dini që stërviteni shumë dhe aktiviteti ju mban në formë.

Të hash çdo gjë që të pëlqen dhe pa pasoja në trup ngjan si një ëndërr e largët, sidomos nëse jeni të bindur se kaloritë i digjni në palestër ose aktivitete fizike. Por, çfarë ndodh me ju nëse ushtroheni shumë, por nuk hani shëndetshëm!


“Skinny fat” është termi që e përcakton në rrjetet sociale një fenomen të tillë, që ndryshe shpjegohet si një trup që ka shumë yndyrë, por pak muskuj. Grumbullimi i yndyrës nga ngrënia e ushqimeve të papërpunuara, me shumë sheqer apo kripë, pavarësisht nëse keni një fizik të rregullt mund të çojë në të njëjtat rreziqe shëndetësore si te njerëzit obezë, shkruan CNN.

Stërvitja nuk i zhduk plotësisht efektet e një diete të keqe, thonë ekspertët. Sipas tyre, ka edhe një shans në rritje për vdekje të parakohshme nëse ushtroheni, por neglizhoni ushqimin e shëndetshëm.

Në një nga studimet e fundit për efektet e aktivitetit fizik dhe cilësisë së dietës, studiuesit zbuluan se ata që ushtroheshin rregullisht, por hanin gjithçka që donin, ishin në rrezik më të madh vdekshmërie krahasuar me njerëzit që stërviteshin, por njëherësh hanin edhe shëndetshëm.

Nëse doni të humbi peshë, sekreti qëndron tek djegia e më shumë kalorive se ato që merrni përmes ushqimit. Ngrënia e ushqimeve me yndyrë dhe shumë kalori e bën këtë sfidë të pamundur. Nëse po digjini shumë kalori, por ushqimet që hani janë plot yndyrë dhe sheqer, atëherë ju duhet të stërviteni akoma më shumë se një person që mban një regjim ushqimor të rregullt.

Ushqimet e përpunuara, pijet me gaz dhe të ëmblat kanë pak ose aspak lëndë ushqyese. Me mungesën e vitaminave, proteinave dhe fibrave për t’ju ngopur, ju do e keni vështirë të mendoni për palestrën kur jeni vazhdimisht të uritur.

“Njerëzit që nuk mbajnë një dietë të shëndetshme janë gjithë kohës të uritur, pa humor dhe pa motivim për ushtrime në natyrë apo palestër,” thotë dieotologia Grace Derocha, citon Anabel.

Gabimet që bëni me ushtrimet fizike

Aktiviteti fizik nuk ka rëndësi në planin afatgjatë nëse ju nuk i kushtoni rëndësi ushqimeve që konsumoni. Personat që bëjnë ushtrime të forta djegin më shumë kalori se ata që bëjnë kardio.

Sipas dietologes Derocha, konsumi i ushqimeve pa vlerë për trupin dhe organizmin e bëjnë më të vështirë ndërtimin e masës muskulore.

Ekuilibri është çelësi i suksesit

Të jesh i shëndetshëm nuk do të thotë që të heqësh dorë nga të gjitha ushqimet që të pëlqejnë.

Në vend që të ndiheni fajtorë për ushqimet e pashëndetshme, ëmbëlsirat, patatinat apo pijet me gaz, zgjidhni ushqime me fibra, omega-3 apo karbohidrate, ndërkohë që mos e ndërprisni aktivitetin fizik. /Telegrafi/