LAJMI I FUNDIT:

Pacolli publikon fotografinë e policit të vrarë në veri

Pacolli publikon fotografinë e policit të vrarë në veri

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka reaguar pas sulmeve të Policisë së Kosovës në veri, ku një polic u vra dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Pacolli ka ngushëlluar familjen e policit të vrarë, ndërsa ka thënë se sulmi është i rëndë ndaj ligjit dhe rendit, transmeton Telegrafi.

“Gjatë natës ka mbetur i vrarë njëri prej policëve tanë hero, Afrim Bunjaku, ndërsa një tjetër është plagosur. Ky është një sulm i rëndë ndaj ligjit dhe rendit, dhe nuk është gjë tjetër veçse një akt terrorizmi dhe duhet trajtuar si i tillë. Ngushëllimet e mia familjes Bunjaku, ndërsa policit tonë të lënduar i uroj shërim të shpejtë. Opozitë dhe pozitë, duhet të jemi të gjithë të bashkuar në këto momente”, thotë Pacolli.


Ndryshe, Policia e Kosovës u sulmua me armë mëngjesin e sotëm në fshatin Banjskë, të Leposaviqit.

“Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, njoftoi Policia. /Telegrafi/