LAJMI I FUNDIT:

FBK dënon me tonet më të ashpra dhunën e shfaqur në finalen e Superkupës së Kosovës

FBK dënon me tonet më të ashpra dhunën e shfaqur në finalen e Superkupës së Kosovës

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dënon me tonet më të ashpra dhunën e shfaqur gjatë organizimit të Superkupës së Kosovës në basketboll në Suharekë në javën që shkoi.

Si pasojë e hedhjes së gjësendeve, ndezjes së flakadanëve dhe akteve të papërgjegjshme të individëve të caktuar dhe huliganëve të kamufluar me petkun e tifozëve të basketbollit mbrëmë u lënduan disa persona, në mesin e së cilëve edhe gazetarja e mirënjohur sportive dhe ish-basketbollistja e kombëtares së Kosovës, Ulpiana Emra, e cila u godit nga një mjet i rëndë i hedhur në drejtim të saj gjatë kohës kur ajo po e kryente detyrën e saj në palestër. Fatmirësisht lëndimet këtë herë ishin të lehta, por për viktimat e këtyre veprimeve të dhunshme epilogu ka mundur të jetë shumë më i rëndë e madje edhe me pasoja fatale. Ulpianës dhe të tjerëve që mund të jenë lënduar gjatë aktiviteteve të basketbollit, FBK u uron shërim të shpejtë.

Veprimet e tilla, dhuna dhe urrejtja e shfaqur nga një numër shikuesish të ndeshjeve të basketbollit janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës dhe autoritetet e vendit. Aktet e dhunës dhe huliganizmi që akterët e ndeshjes i përjetuan brenda dhe jashtë palestrës nuk mund të tejkalohen apo injorohen nga Federata e Basketbollit, apo nga klubet e basketbollit në emër të së cilave këta individë të papërgjegjshëm veprojnë, apo edhe nga autoritet e rendit, të cilat mbrëmë e patën shumë të vështirë e në momente edhe të pamundshme që ta kontrollojnë turmën brenda dhe jashtë palestrës.


Të përballur me situata të shumta të ngjashme edhe stinorin e kaluar, FBK në bashkërendim me klubet e Superligës, ka ndërmarrë një sërë masash dhe ka imponuar shumë kufizime si masa të domosdoshme për të garantuar sigurinë e akterëve të ndeshjes dhe shikuesve, moscenueshmërinë e terrenit dhe mbarëvajtjen e garave. Tanimë, pas përfundimit të turneut të Superkupës, është e qartë që individë të caktuar keqdashës brenda tifozerive të disa klubeve të Superligës do të vazhdojnë me shpërfaqje të dhunës, huliganizëm, gjuhë të urrejtjes dhe veprime të papranueshme për ngjarjet sportive basketbollistike.

Është tërësisht e papranueshme që sot, në ditën kur do duhej të flisnim për rezultatet sportive të arritura, kur do duhej të analizonim ndeshjet dhe t’i kënaqeshim spektaklit të dhuruar nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse në këtë turne, fokusi i tërë komunitetit të basketbollit dhe sportit të jetë në ngjarjet dhe dukuritë negative që nuk kanë bëjnë me sportin.

Federata e Basketbollit e Kosovës nuk mund të qëndrojë duarkryq para sjelljeve të tilla dhe nuk do të lejojë që ndeshjet e basketbollit të shndërrohen në forume për shfaqjen e dhunës dhe urrejtjes, duke vënë në plan të dytë tërë spektaklin sportiv, mundin dhe investimet enorme që klubet elitare dhe federata po i bëjnë për të zhvilluar dhe avancuar edhe më tej sportin më të dashur në vendin tonë tash e sa vite. Nuk mund të lejojmë që përkushtimi i të gjithë drejtuesve të klubeve, lojtarëve e shtabeve teknike, por edhe i sponsorëve që me dekada i kanë qëndruar përkrah basketbollit, të vihet në plan të dytë e në spikamë të vihen veprimet kriminale, të papërgjegjshme dhe të papranueshme të personave që nuk ia duan të mirën as klubit e qytetit të tyre, por as basketbollit e sportit në përgjithësi.

Si rrjedhojë, nga ndeshja e parë e xhiros së parë të edicionit 2023/24, Federata e Basketbollit e Kosovës do të imponojë rregulla shumë më strikte lidhur me veprimin e shikuesve dhe me masat e sigurisë në palestrat tona, duke mos lejuar në asnjë rast e moment cenimin e terrenit apo sigurisë së akterëve të ndeshjes, hedhjen e gjësendeve në fushë, sharjen, fyerjen apo denigrimin në çfarëdo baze të cilitdo akter të garave të basketbollit në Kosovë. Për më tepër, në këtë edicion nuk do të tolerohen as shfaqja e kërcënimeve, kanosjes, sjelljeve të dhunshme apo shpërfaqja e dhunës verbale apo gjuhës së urrejtjes, të cilat po shërbejnë rëndom si uverturë për eskalim të situatës, në përpjekje për t’i hapur rrugën drejt palestrës të gjithë tifozëve të mirëfilltë dhe qytetarëve të përgjegjshëm që në kushtet që po krijohen nga individë të caktuar nëpër palestrat tona nuk po arrijnë ta shijojnë sportin tonë të zemrës.

Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkërendim me autoritetet e vendit, do t’i shqyrtojë ditëve në vijim të gjitha masat dhe kufizimet potenciale të cilat do të vendosen që nga xhiroja e parë e edicionit të ri, përfshirë ndalimin e plotë të publikut në palestra për një periudhë të caktuar, moslejimin e tifozerive të organizuara në ndeshje të basketbollit, ndalimin e stërpopullimit të tribunave dhe terrenit, imponimin e identifikimit të shikuesve dhe masave shtesë të sigurisë për ta, si dhe të gjitha veprimet tjera të cilat garantojnë mbarëvajtje të garave të basketbollit dhe sigurinë e të gjithë akterëve të tyre.

Federata e Basketbollit e Kosovës dhe klubet elitare do të veprojnë bashkërisht në çrrënjosjen e dukurive negative në aktivitetet tona dhe do ta vënë në spikamë atë që është më e rëndësishmja për ne – basketbollin cilësor të cilin ekipet tona po e zhvillojnë e kultivojnë pa dallim dhe garën e bukur dhe paparashikueshme basketbollistike që po na e ofrojnë ato! Bashkë do të luftojmë huliganizmin dhe t’ia kthejmë basketbollin tifozëve dhe basketbolldashësve të mirëfilltë!

Në trend Sport

Më shumë
Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar

Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar

Ligat tjera
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Kombëtarja e Shqipërisë
As nuk deshën të dëgjonin për Pogban - vjen refuzimi i parë nga një klub i madh në Evropë

As nuk deshën të dëgjonin për Pogban - vjen refuzimi i parë nga një klub i madh në Evropë

La Liga
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i kërkuar mbetet problem

Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i kërkuar mbetet problem

La Liga
Zyrtare: Guardiola i qëndron besnik Man Cityt, vazhdon kontratën me kampionët anglez

Zyrtare: Guardiola i qëndron besnik Man Cityt, vazhdon kontratën me kampionët anglez

Premier League
Gjiganti anglez ndryshon strategji për Thuram, i afron atë që Interi nuk mundet

Gjiganti anglez ndryshon strategji për Thuram, i afron atë që Interi nuk mundet

Premier League
Kalo në kategori