LAJMI I FUNDIT:

FSK e gatshme të ndihmojë pas tërmetit në Marok​ 

FSK e gatshme të ndihmojë pas tërmetit në Marok​ 

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shprehur keqardhje për situatën e shkaktuar në Marok, si pasojë e tërmetit të fuqishëm, me magnitudë prej 6.8 shkallë të Rihterit, i cili  shkaktoi pasoja katastrofale.

“Në këto çaste të vështira për mbretin e Marokut, Mohammed VI dhe popullin marokien lutjet tona janë me ta. Ministrit Loudiyi i shprehim gatishmërinë tonë të plotë që të ofrojmë ndihmë me të gjitha kapacitetet tona të specializuara për kërkim-shpëtim dhe rimëkëmbje në zonat e prekura”, ka deklaruar Maqedonci.

“Urojmë që numri i viktimave dhe dëmeve të jetë sa më i vogël, ndërsa familjeve të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Lutemi që ta kaloni këtë sfidë të rëndë!”, ka theksuar tutje ministri Maqedonci.


Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për viktimat që humbën jetën pas një tërmeti që ka goditur Marokun.

Kurti në një postim në platformën “X” ka shkruar se ky është lajm i tmerrshëm.

“Lajm i tmerrshëm për tërmetin e Marokut dhe humbjet shkatërruese që ka sjellë. Mendimet tona janë me të gjithë ata që janë prekur, si dhe me ata të cilët janë përfshirë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit gjatë kësaj kohe sfiduese”, ka shkruar Kurti./Telegrafi/