LAJMI I FUNDIT:

Falsifikimi i parasë, raportohen dy raste në Ferizaj dhe Graçanicë

Falsifikimi i parasë, raportohen dy raste në Ferizaj dhe Graçanicë
Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës njofton se janë raportuar dy raste të falsifikimit të parasë.

Sipas raportit 24-orësh, rastet kanë ndodhur në Ferizaj dhe në fshatin Preoc të Komunës së Graçanicës.

“Ankuesja zyrtare e një banke private ka njoftuar policinë se nga klientë të ndryshëm janë deponuar në bankë 216 monedha nga 2 euro dhe 3 monedha nga 1 euro, që dyshohen të jenë të falsifikuara. Monedhat e dyshuara janë sekuestruar nga njësia e hetuesisë. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti në hetime”, thuhet në raportin e policisë.


Po ashtu, aty theksohet se një zyrtare e një banke ka raportuar se një person kishte deponuar nja kartëmonedhë në vlerë prej 100 euro.

“Ankuesja femër kosovare zyrtare e bankës me datën 19.07.2023 ka raportuar se një person në bankë kishte deponuar një kartëmonedhë në vlerë 100 euro e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Njësiti policor si dëshmi për procedura hetimore ka sekuestruar monedhën e dyshuar, rasti vazhdon të hetohet”, përfundon raporti.

Para të shumta false në Kosovë, disa nga ndërmarrjet nuk po i pranojnë monedhat 2-euroshe për pagesa
Lexo po ashtu Para të shumta false në Kosovë, disa nga ndërmarrjet nuk po i pranojnë monedhat 2-euroshe për pagesa

Shumë qytetarë dhe biznese janë duke u ankuar se në treg janë duke qarkulluar sasi e madhe e parave të falsifikuara.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës dërguar Telegrafit, brenda katër muajve janë rreth 400 raste të veprës penale “falsifikimi i parasë”.

“Për periudhën kohore janar-prill 2023, janë 363 raste nga vepra penale ‘falsifikim i parasë’”, thuhet në përgjigjen e PK-së. /Telegrafi/