LAJMI I FUNDIT:

Ish-komandant Remi ftohet për të dëshmuar në Hagë

Ish-komandant Remi ftohet për të dëshmuar në Hagë

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rrustem Mustafa është ftuar për të dëshmuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, ish komandanti Mustafa.

“Po, e vërtetë është. Do të udhëtoj javën që vjen”, ka thënë ai.


Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Telegrafi/