LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria Speciale thotë se është arrestuar një person për krime kundër njerëzimit

Prokuroria Speciale  thotë se është arrestuar një person për krime kundër njerëzimit
Foto: Arkiv

Prokuroria Speciale njoftoi të premten se ka ndërmarrë një operacion për arrestimin e personit M.D., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale – Krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit, operacioni për arrestimi e të dyshuarit është bërë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, respektivisht, Drejtorinë Kundër Terrorizmit.


“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, respektivisht, Drejtorinë Kundër Terrorizmit, me autorizim të Prokurorit Special të Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë një operacion për arrestimin e personit M.D., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale – Krime kundër njerëzimit, nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.7 të Kodit Penal të Kosovës. Arrestimi është bërë sot, më 23 qershor 2023, me urdhëresë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

Ndaj të njëjtit, Prokuroria Speciale në afatet e parapara ligjore do të ushtrojë kërkesë për caktimin e paraburgimit./Telegrafi/