LAJMI I FUNDIT:

Ministri serb i Punëve të Brendshme: E dimë saktësisht kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin

Ministri serb i Punëve të Brendshme: E dimë saktësisht kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin

Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Bratislav Gashiq tha të mërkurën se autoritetet serbe “e dinë saktësisht” se kush e vrau Oliver Ivanoviqin, një politikan serb nga veriu i Kosovës.

“Ne e dimë saktësisht se kush është vrasësi”, tha Gashiq, duke iu drejtuar deputetëve në një seancë të Kuvendit të Serbisë, ku po diskutohet për largimin e tij me kërkesë të opozitës.

Siç raportojnë mediat në Serbi, Gashiq tha se policia serbe e ka kërkuar atë njeri nga autoritetet gjermane “nën mbrojtjen e të cilës është”.


“Kemi një video nga aeroporti i Tiranës, kemi fotografi nga Prishtina, kemi fotografi kur ka hyrë në banesë”, ka thënë Gashiq, pa treguar asnjë detaj tjetër, e as nuk ka dhënë prova të qarta për pretendimet që ka bërë, transmeton Telegrafi.

Ai tha se “çështja është zbardhur ashtu siç e bëjnë profesionistët”, por se nuk kanë marrë pamje satelitore nga vendi i ngjarjes që kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë, me arsyetimin se “ka qenë me mjegull”.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para objekteve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut në Kosovë.

Në Serbi publikohen mesazhet e grupeve kriminale pas të cilave fshihet vrasësi i Oliver Ivanoviqit
Lexo po ashtu Në Serbi publikohen mesazhet e grupeve kriminale pas të cilave fshihet vrasësi i Oliver Ivanoviqit

Më shumë se pesë vjet pas vrasjes së tij, rasri ende nuk është ndriçuar.

Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka ngritur tri aktakuza për vrasjen e Ivanoviqit.

Në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, dhe aktakuza përmendin vetëm individë të cilët, siç thuhet, “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për të kryer veprën penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit”.

Nuk bëhet e ditur autori i vrasjes apo porositësi.

Akuza u ngritën kundër policëve Nedeljko Spasojeviq, Radeta Basara, Zharko Jovanoviq, si dhe ndaj sekretares së Oliver Ivanoviqit, Silvana Arsoviq dhe Marko Roshiq, qytetarë të Mitrovicës së Veriut.

Më 19 tetor 2022, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe M.M. nga komuniteti serb nën dyshimin se ishte pjesëtar i një “grupi të organizuar kriminal” të lidhur me vrasjen e Ivanoviqit.

Hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë duke u zhvilluar edhe nga Prokuroria Speciale e Serbisë, por nuk kanë përparuar përtej hetimeve paraprake.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe e Serbisë nuk bashkëpunojnë, ndërkohë që procedurat në Kosovë kërkonin ndërmjetësimin e EULEX-it në marrjen e deklaratave të dëshmitarëve. /Telegrafi/