LAJMI I FUNDIT:

Vela: Grupet kriminale në veri po bëjnë lista për t’i çuar serbët në tubimin e Vuçiqit më 26 maj

Vela: Grupet kriminale në veri po bëjnë lista për t’i çuar serbët në tubimin e Vuçiqit më 26 maj

Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se grupet ilegale dhe kriminale serbe po përgatisin lista për t’i çuar serbët e Kosovës në tubimin e 26 majit në Beograd, të organizuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përmes një postimi në Twitter, Vela ka treguar edhe format të cilat po i përdorin grupet kriminale.


“Po përgatiten listat e të gjitha personave që do të udhëtojnë, po merren me qira të gjithë autobusët në dispozicion në veri të Kosovës, pushime vjetore të anuluara të punëtorëve. Kanë urdhëruar institucionet që të rishikojnë të gjitha lejet që u janë dhënë punëtorëve në terren dhe po ashtu të gjitha objektet shëndetësore janë paralajmëruar të mos miratojnë pushime mjekësore”.

“Detyruan të gjitha furrat e bukës të përgatisin pako ushqimore për njerëzit që udhëtojnë në Beograd, ndërsa detyruan të gjitha shtypshkronjat të përgatisin materiale për tubime”, ka shkruar ai.

Vela tutje është shprehur se derisa Vuçiqi dhe tjerët vazhdimisht trumbetojnë “se serbët vendas në Kosovë janë të rrezikuar nga shqiptarët, ata nuk e kanë problem t’u drejtohen kompanive të autobusëve në pronësi të shqiptarëve për t’i transportuar njerëzit në Beograd”.

“Serbia është një vend farsë dhe një fasadë e një demokracie që glorifikimin frikësimin”, ka përfunduar ai.

Vuçiq ka thënë se zgjedhjet në Serbi do të mbahen më së voni në shtator dhe se për këtë do t’i informojë qytetarët më 26 maj, “në një tubim të madh” të organizuar nga Partia Progresive Serbe. /Telegrafi/